Strategjia e ujitjes dhe kullimit në Shqipëri, “rrêna e radhës” apo një angazhim i vërtetë i qeverisë?
Dr. Gjovalin Gjeloshi*/Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave (MBZHRAU), me asistencën teknike të Projektit të Burimeve Ujore dhe Ujitjes, të financuar nga Banka Botërore, ka përgatitur Strategjinë e Ujitjes dhe të Kullimit (projekt), të cilën e prezantuan në një takim me përfaqësuesit e bashkive më kryesore të vendit, nga Shkodra deri në Vlorë, përfshi edhe Korçën e Maliqin, të realizuar nga ekspertë të USAID.
Pretendohet se projekt-strategjia na jep një gjendje të situatës aktuale, por të jemi të bindur se sado dëshpëruese të na duket ajo në letra, akoma edhe më keq është kjo situatë, atje në fushë të hapur. Nga rreth 700 mijë ha toka bujqësore që ka vendi, vlerësohet se pjesa që mund të ujitet shkon në 360 mijë ha dhe kësaj sipërfaqeje i korespondon një gjatësi e përgjithshme e kanaleve ujitëse në rreth 25 mijë km. Strategjia thekson se, në më pak se gjysmën e këtyre kanaleve ka nevojë për rehabilitim dhe modernizim. Të paktën gjendja e sistemit ujitës në rrethin e Lezhës (edhe rrethet e tjera nuk kanë pse të jenë më të bardha), është në atë situatë, ku më shumë se 70 përqind e kanaleve të të gjitha dimensioneve janë të dëmtuara, me të gjithë aksesorët mbështetës si priza, tombino, tuba kalues, nënkalime etj, etj. Përpara vitit 1990, sipas vjetarit statistikor të vitit 1991, Lezha është në krye të listës për sipërfaqe toke të ujitshme (95 përqind). Pjesa dërmuese e sipërfaqes ujitej me rrjedhje të lirë (rrethi kishte në funksion të plotë tre magjistrale kryesore ujitëse: dy në zonën e Zadrimës, përfshi edhe Kallmet e Kakarriq që e marrin ujin nga Vau i Dejës dhe një në zonën e Bregut të Matës, magjistrali Mat-Lezhë, që e ka burimin e ujit tek Ura e Zogut në Milot) dhe pjesa tjeter ujitej me ngritje mekanike. Në shkallë vendi llogariten të kenë qenë në funksion rreth 640 stacione pompimi me energji elektrike, 15 nga të cilat kanë qenë në rrethin e Lezhës. Ishte model i veçantë ujitja në formë shiu e 2400 ha në ish kënetën e Kakarriqit, ku uji merrej në lumin Drin me ngritje mekanike me një stacion të fuqishëm pompimi. Një projek i tillë pati filluar të zbatohej edhe në sektorin e NB-së Lezhë, në Rrilë. Ky sistem i veçantë ujitjeje do të kushtonte miliona dollarë për t’u ngritur, sepse ai është plotësisht i shkatërruar dhe për mua do të jetë pjesa më e vështirë e vënies në jetë (nëse do të vihet ndonjëherë) të kësaj strategjie në bujqësinë tonë. Një sasi e konsiderueshme e sipërfaqes së tokës, (që nuk përmendet në situatën përshkruese në strategji), pothuaj në të gjitha kooperativat bujqësore dhe NB-të, ujitej me një formë të ndërmjetme, që ishin motopompat. Në stinën e verës me dhjetra mjete mekanike: traktorë me zinxhirë e me goma stacionoheshin në brigje lumejsh, kolektore etj, dhe ngrinin ujin në ato ngastra që nuk ujiteshin as me rrjedhje të lirë dhe as me stacione pompimi elektrike. Sipas strategjisë, për rikthimin e ujitjes në rreth 75 mijë ha, duhen ristrukturuar mbi 300 stacione pompime me energji elektrike dhe skemat ujitëse që i korespondojnë kësaj sipërfaqeje.
Ujitja e kullimi, kullimi e ujitja apo të dyja së bashku? Mirë do të ishte kjo e fundit: rehabilitimi e vënia në funksion (të mos ekzagjerojmë duke thënë “modernizimin”) në mënyrë të njëkohshme e të dy sistemeve, kulluese e ujitëse. Por sipas përllogaritjeve të përafërta të MBZHRAU, kostoja e rehabilitimit të sistemit ujitës, kullues, rehabilitimi i digave të rezervuarëve dhe argjinaturave të lumenjve etj, që shkaktojnë përmbytje, shkon deri në 720 milion dollarë. Meqë është një vlerësim financiar me shikim të parë, natyrisht që kjo kosto mund të jetë edhe më e lartë. Atëhere nga duhet të fillojmë? Parashikohet një periudhë prej dhjetë vite ku duhet të zbatohet kjo strategji?! Në kushtet kur shteti shqiptar nuk mund të ketë një buxhet të tillë për ta realizuar në më pak vite, zbatimi i strategjisë duhet të fillojë nga kullimi dhe rehabilitimi i digave e argjinaturave që na shkaktojnë përmbytje. Kostoja e rehabilitimit të sistemit kullues është disa herë më ulët se sa ajo e sistemit ujitës dhe kësisoj shtohen mundësitëe financiare për ta realizuar këtë skemë në një periudhë së paku prej 2-3 vite.(10 vite janë shumë për të pritur edhe parcela e fundit) Çdo specialist, por edhe masa e madhe e fermerëve që kultivojnë tokën, e dinë se, një tokë të kulluar keq në rastin më të mirë apo një tokë të pakulluar, në rastin më të keq, ujite sa të duash në stinën e verës, ajo nuk ka efekt. Uji i tepërt i dimrit e ka shkatërruar atë në strukturë e teksturë dhe don vite për t’u rehabilituar, aq më tepër kur përsëriten situatat nga viti në vit, nga dimri në dimër.
Sipas të dhënave, vlerësohen me infrastrukturë kullimi (natyrisht tejet të amortizuar), rreth 280 mijë ha, prej të cilave rreth 200 mijë kullohen me gravitet (rrjedhje të lirë) dhe 75-80 mijë kullohen me ngritje mekanike, nëpërmjet 29 hidrovoreve, pesë nga të cilët janë të ndërtuar në rrethin (bashkinë) e Lezhës. Strategjia cilëson se “…mungesa e investimeve dhe fenomenet natyrore, kanë bërë të domosdoshme rikonstruksionin e plotë të infrastrukturës së kullimit në rreth 8 mijë ha toka torfike në fushën e Torovicës në Lezhë dhe në Maliq”. Specialistët e ministrisë së bujqësisë e konsiderojnë këtë fakt si “dy njolla të zeza” në hartën e kullimit të tokave të Shqipërisë dhe përmenden vështirësitë financiare për të ndërmarrë këtë aksion edhe për një periudhë. Unë nuk e njoh Maliqin, por po ju them me bindje, se Torovica kthehet në një njollë kafe e hapur, po të shprehem me terminologjinë e ministrisë, nëse atje investohen, jo disa miliarda, por disa miliona lek vetëm në thellimin e pastrimin e kolektorit si dhe të rrjetit të kanaleve të dyta e të treta. I ashtuquajturi “veprim i fenomeneve natyrore” në fushën e Torovicës, nuk është aq djall i zi, sa mundohemi ta paraqesim. Po e ilustroj me një fakt: për rreth 11 muaj, bashkia e Lezhës ka hapur në fushën e Torovicës mbi 35 km kanale kulluese kryesisht të dyta dhe impakti ka qenë shumë pozitiv dhe tejet i dukshëm. Edhe rreth tre muaj, ne përfundojmë të gjithë sistemin e kanaleve të dyta. Po të shoqërohet ky investim edhe me thellimin e pastrimin e kolektorit, nuk do ta përmendnim më atë “njollën e zezë”. Po të ndërhyhet edhe në sistemin e kanaleve të treta dhe në të dy kanalet anësore të ish-kënetës, të cilat grumbullojnë ujërat që rrjedhin nga dy malet rrethuese të kësaj fushe, të jemi të bindur se kullimi do të jetë në një nivel të lartë. Ndaj nuk duhet të ecim sipas proverbës “prit gomar të dalë bar” dhe të na ngordhë “gomari” pa e provuar shijen e barit. Përpara vitit 1990 në fushat e ish-kënetës së Kakarriqit, në një sipërfaqe prej 2400 ha, punonin pa pushim dy eskavatorë të mëdhenjë në pastrimin e thellimin e të gjithë rrjetit të kanaleve kulluese. Sot, ministria e gjeti të arsyeshme që për 18 mijë ha tokë të Lezhës, që ka shumë nevojë për kullim, të sjellë vetëm një minieskavator, i cili nuk realizon dot hapjen e asnjë kanali të dytë kullues. Në dorë të kujt është ministria e bujqësisë: të profesionistëve apo të partiakëve të bujqësisë. A thua edhe toka bujqësore duhet të ketë teserë partie, për të përfituar të drejtat e saj?
Në sektorin e kullimit, strategjia e konsideron pikë të fortë, “rinovimin e flotës së eskavatorëve me 71 mjete të rinjë”. Për momentin, pajtohem. Por si do të konsiderohej kjo pikë nëse do të përmendnim se vetëm Lezha kishte 28 eskavatorë përpara vitit 1990 dhe se, edhe ata eskavatorë që janë sot në gjendje inventari në Shqipëri, në përdorim të bordeve apo bashkive, shumica e kanë mbushur ciklin e tyre të jetës. Natyrisht që nuk do të ishte më pikë e fortë.
Ndërsa kullimi përcaktohet si detyrë e funksion publik dhe si e tillë do të ketë më shumë detyra shteti në vijimësi, për ujitjen është ndryshe. Shteti do të investojë fillimisht në rehabilitimin e këtij rrjeti, por mirëmbajtja në vazhdimësi do të jetë në dorë të përdoruesëve. Sips strategjisë, ky do të jetë një shërbim që do të parapaguhet dhe do të funksionojnë përsëri Organizatat e Përdoruesëve të Ujit (OPU), të cilat do të koordinojnë punën e tyre me Njësinë e Kullimit dhe Ujitjes në bashki. Kjo do të sintetizohet në të quajturën “tarifë e mirëmbajtjes”, me të cilën do të kuptojmë “pagesën që bëhet nga të gjithë pronarët e tokës brenda zonës potenciale të shërbimit të ujitjes për të mbuluar kostot fikse…”. Një përvojë përafërsisht e tillë e para disa viteve, pothuaj dështoi. Në zbatim të kësaj strategjie kjo do të jetë një sfidë e madhe, ndoshta më shumë se sfida e ndërtimit të te gjithë rrjetit ujitës. Nuk thonë kot: më lehtë është ta ndërtosh se sa ta mirëmbash. Dhe të fundit që do të them, është dyshimi. Siç trembemi ne fshatarët kur dëgjojmë fjalën “kooperativë”, edhe pse kooperativat që kërkojmë të ngremë nuk kanë asnjë pikë-takimi me ato të komunizmit, ashtu kam alergji kur dëgjoj, “strategji”. Për më tepër se 20 vjet, e kemi përdorur aq shumë këtë fjalë, sa kemi mbushur dheun me libra luksoz: me kopertina të trasha, me grafiqe e foto me ngjyra, me letër me llustër dhe kemi harxhuar miliona dollarë për botimin e tyre. Dashtë Zoti që edhe kjo strategji të mos përfundojë si qindra shoqet e motrat e saj: në kosh, as me e lexua njeri se çfarë është shkruar në të.
*Drejtor i Bujqësisë, Pyjeve e Zhvillimit Rural, Bashkia Lezhë