
Protesta e studentëve e nisur në ambientet e Fakultetit të Ekonomikut, është zhvendosur drejt Ministrisë së Arsimit, ku të rinjtë kanë vijuar tubimin me thirrje të forta kundër qeverisë dhe klasës politike në vend.
Të pajisur me pankarta dhe slogane proteste, studentët kanë artikuluar kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar largimin e tij si kusht të panegociueshëm. Gjatë marshimit nuk kanë munguar as thirrjet për revolucion dhe ndryshim të sistemit politik.
Pavarësisht ofertave të përsëritura të kryeministrit për të zhvilluar një proces dialogu me përfaqësuesit e studentëve, këta të fundit kanë refuzuar të ulen në tryezën e propozuar nga qeveria.
Protestuesit mbeten të vendosur në qëndrimin e tyre, duke theksuar se dialogu nuk është një alternativë e pranueshme për sa kohë që kërkesa kryesore, dorëheqja e kryeministrit, nuk merret parasysh.