
Protestat studentore në Serbi kundër pushtetit të Aleksandër Vuçiçit kanë ngritur pikëpyetje nëse një lëvizje e ngjashme mund të marrë formë edhe në Shqipëri. Analisti Ben Andoni vlerëson se pavarësisht ngjashmërive mes protestave në Beograd dhe Tiranë, në vendin tonë mungojnë organizimi dhe figurat me autoritet që mund t’i japin drejtim protestës.
“Protesta atje u kthye në lëvizje, ndërsa te ne ka shkuar në gjysmëanarki”, tha Andoni në ”Report TV”, duke theksuar se në Serbi studentët u organizuan përmes plenumëve universitare dhe mbajtën opozitën larg drejtimit të protestave.
Sipas tij, një tjetër dallim i rëndësishëm është mungesa në Shqipëri e përfaqësuesve të komunitetit akademik që mund të artikulojnë kërkesat e protestuesve dhe të fitojnë besimin e publikut. Duke iu referuar rastit serb, Andoni nënvizon rolin e figurave akademike që i dhanë zë problematikave të studentëve dhe çështjeve më të gjera të shtetit.
“Ne nuk kemi individë të tillë që të kenë autoritetin moral dhe shkencor”, thekson ai, duke shtuar se në Shqipëri mungon edhe përfshirja e teknokratëve që mund ta orientonin lëvizjen drejt kërkesave konkrete. “Ata thirrën teknokratët, por te ne nuk po duken”, përfundon Andoni, duke e cilësuar organizimin dhe mungesën e figurave përfaqësuese si pengesat kryesore për përsëritjen e skenarit serb në Shqipëri.
