Studenti shqiptar mbron Obama Care

Andi është shembulli  i intelektualit shqiptar të angazhuar, në shërbim të idealeve të përmirësimit të jetës në komunitet. Ai vjen shpesh në Shqipëri, të takojë gjyshërit dhe të afërmit, edhe pse ka ikur nga vendi kur ishte vetëm 8 vjeç. Kur e njeh nga afër, habitesh me thjeshtësinë dhe drejtpërdrejtësinë e komunikimit të tij….

Nga Fatos Çoçoli

Quhet Andi Shahu. Është 25 vjeç, student për mjekësi me nota të shkëlqyera në një nga universitetet më prestigjioze të SHBA-ve dhe të botës, universitetin e Yale.

Përveç të qenit studiues skrupuloz, Andi është një aktivist i të drejtave të njeriut në SHBA, sidomos i të drejtave të pacientëve. Këto ditë ai dhe shokët e tij të komunitetit “Mbroni pacientët tanë” janë shumë aktivë me manifestime dhe protesta paqësore në mbrojtje të Ligjit të Kujdesit Shëndetësor të Përballueshëm, reformës thelbësore të administratës së Presidentit Obama, quajtur ndryshe Obama Care (Kujdesi Shëndetësor Obama).

Më 12 janar 2017, Huffington Post, një nga portalet më të njohura dhe të klikuara në botë, botoi shkrimin, sigluar nga një grup studentësh të mjekësisë në SHBA, mes të cilëve edhe Andi. Në këtë shkrim theksohet:

“Ne jemi studentë të mjekësisë – gjenerata e ardhshme e mjekëve në Amerikë. Çdo ditë, ne mendojmë rreth asaj që duhet bërë për të përmirësuar shëndetin e pacientëve tanë. Sot, kërcënimi më i madh për shëndetin e tyre nuk është një virus i ri apo kanceri, por veprimi i propozuar legjislativ i politikanëve në Uashington.

Me zgjedhjen e Donald Trump dhe me një shumicë në të dy dhomat e Kongresit, Partia Republikane është e gatshme për shfuqizimin e Ligjit të Kujdesit Shëndetësor të Përballueshëm. Kjo nismë mund t’u mohojë 30 milionë personave në SHBA sigurimin e tyre shëndetësor dhe mbulimin me shërbim mjekësor për të gjithë amerikanët”.

“Për ne, kjo është e papranueshme”, shprehen Andi dhe shokët e tij. “Ne studentët e mjekësisë së sotme në shumicë dërrmuese ndajmë një vizion për kujdes të barabartë, të plotë, dhe të arritshëm shëndetësor. Ligji i Kujdesit Shëndetësor të Përballueshëm nuk është një ligj i përsosur, por u siguron qasje në kujdesin shëndetësor për miliona amerikanë të pasiguruar përmes tregut të sigurimeve”.

Më tej studentët e mjekësisë amerikane, jo vetëm amerikanë por edhe nga shumë vende të tjera të botës që jetojnë në SHBA, japin një shembull konkret të rrezikimit të jetës së një pacienti që mund të humbë sigurimin shëndetësor dhe trajtimin e duhur mjekësor nga shfuqizimi i këtij ligji.

 “Ne së shpejti do të fillojmë karrierën tonë si mjekë”, shprehen në fund të artikullit të tyre Andi me shokë”. Ne do të jemi ata që do të praktikojmë mjekësinë në sistemin e kujdesit shëndetësor, fati i të cilit varet nga e ardhmja e Ligjit. Në mënyrë që të kujdesemi plotësisht për pacientët tanë, ne duhet të bëjmë më shumë se sa të japim ilaçet e duhura – ne duhet të avokojmë për ligjet e duhura”.

Në javët e fundit, studentët e mjekësisë në të gjithë SHBA-të janë grumbulluar rreth fushatës “Mbroni Pacientet tanë” në një lëvizje kombëtare, për të mbrojtur sistemin Obama Care dhe aksesin në kujdesin shëndetësor për të gjithë amerikanët. Mbi 4,500 profesionistë të ardhshëm mjekësorë nga mbi 150 institucione dhe të gjitha 50 shtetet e SHBA-ve kanë nënshkruar një peticion, duke i bërë thirrje Kongresit që të “mos bëjë asnjë të keqe” dhe të votojë kundër abrogimit te Ligjit. Më 9 janar, dhjetëra studentë udhëtuan për në Kapitol Hill, në Kongresin Amerikan në Uashington dhe u takuan me senatorë për t’u dhënë peticionin. Në solidaritet me kolegët e tyre në Uashington D.C., 30 shkolla mjekësore në SHBA u angazhuan në veprim lokal.

Andi është shembulli  i intelektualit shqiptar të angazhuar, në shërbim të idealeve të përmirësimit të jetës në komunitet. Ai vjen shpesh në Shqipëri, të takojë gjyshërit dhe të afërmit, edhe pse ka ikur nga vendi kur ishte vetëm 8 vjeç. Kur e njeh nga afër, habitesh me thjeshtësinë dhe drejtpërdrejtësinë e komunikimit të tij. Edhe pse karriera dhe e ardhmja e tij janë lidhur natyrshëm me jetën dhe punësimin në SHBA, ai planifikon të mos i shkëpusë asnjëherë lidhjet me vendin e tij, madje t’i shtojë ato.

SHKARKO APP