Studiuesja Kamberi: Oj e bukura more, ja kënga origjinale…
Të hartosh një Antologji të poezisë arvanitase, është një punë e vështirë, duke ditur që arvanitasit e Greqisë, gjithmonë kanë qenë nën trysninë e racizmit shtetëror grek.
Nën një presion të tillë, ata me shumë sakrifica ruajtën gjuhën, kulturën e tyre shqiptare, si dhe në fillim të viteve 1980 themeluan Lidhjen e Arvanitasve të Greqisë. Kjo shoqatë filloi të botonte revistën BESA dhe Kalendarin Vjetor, në faqet e të cilave pasqyroheshin pjesë nga jeta arvanitasve. Për këtë Antologji, ne shfrytëzuam pikërisht arshivën e Lidhjes së Arvanitasve të Greqisë, duke bërë një përzgjedhje të kujdesshme të poezisë arvanitase gojore dhe asaj të shkruar.
Në shumicën e rasteve poezitë na janë sjellë të shkruar në gjuhën shqipe jo nga autorët e tyre por nga mbledhësit. Një problem i poezisë arvanitase është se shpeshherë autorët nuk kanë vënë emrat e tyre, por i kanë botuar pa emra ose thjesht me emrin një arvanitas i Greqisë.
Një pjesë e mirë e krijimeve poetike arvanitase janë pa titull dhe neve na u duk më e arsyeshme që ti sillnim ashtu siç i kemi gjetur. Gjithashtu zgjodhëm ato krijime të cilat kanë vlera të larta artistike dhe nxjerrin në pah karakterin e vërtet të arvanitasve. Në të shumtën e rasteve poeti arvanitas, përmes vargjeve ka shprehur gjithçka rreth ndodhive të jetës së tij.
Kërkimi për të gjetur poezinë arvanitase të shkruar është çështje tepër e vështirë, por ia vlen mundimi të merret njeriu me to, për pasurimin e mëtejshëm të kulturës sonë kombëtare.
Si përfundim dua të shtoj se ky libër është i pari i këtij lloji dhe shpresojmë që mos të mbetet i vetëm, por le të jetë një shkëndijë dhe nxitje e mëtutjeshme për punën e studiuesve që merren me çështjen e arvanitasve.
Shumë mendime ka rreth poemës O E BUKAR MORE, ku secili jep mendimet e veta.
Kjo poemë e përcjell gojarisht dhe e shtuar shumë vite më vonë ka këtë histori.
Në vitin 1534 rreth 20.000 mijë arvanitas me në krye kapitenin Andrea Doria largohen nga Korona e Moresë në drejtim të Italisë së Jugut. Largimit të kësaj mase të madhe të popullsisë arvanitase nga trojet dhe shtëpitë e tyre u kushtohet poema “O e bukura More”. Për fat të keq ende nuk dihet autori që e krijoi këtë poemë e cila u kthye në himn për të gjithë popullin arbër. Por, për herë të parë poema “O e bukura More” u gjet e shkruar në vitin 1708, në dorëshkrimet e Kieutit. Filologu arbëresh Dhimitër Camarda (1821-1882), do ta ribotonte në vitin 1866, këtë vjershë në gjuhën shqipe por me shkronja greke në librin “Appendice al Saggio di Grammatologia Comprata Sulla Lingua Albanese”.
Vite më vonë poemës “O e bukura More” do t’i shtohen edhe disa reshta të tjera nga Arqimadriti Pietro Camodeca. Kjo këngë-vaje që i kushtohet dhimbjes shpirtërore për braktisjen e pasurive të tyre u këndua për herë të parë në fshatin arbëresh Shën Dhimitri Korone në Itali. Pra, kjo poemë e kthyer në këngë nuk i përket krijimeve të poezisë gojore të arbëreshëve por, të arvanitasve. Dallimi midis arbëreshëve dhe arvanitasve është sepse arbëreshët emigruan në Itali nga Arbëria (Shqipëria), ndërsa arvanitasit shkuan në Itali nga Greqia.
O E BUKURA MORE
Petkat e të mirat tona
Na i lam te Korona
Krishtin na kemi me ne
Oj e bukura More
Thell të plas, me lot ndër si
Na të lipisnjëm, Arbëri!
Petkat e të mirat tona
Na i lam te Korona
Shën Mërin kemi me ne
Oj e bukua More!
Thell të plas, me lot nder si
Na të lipisnjëm, Arbëri!
Petkat e të mirat tona
Na i lam te Korona
Papën na kemi me ne
Oj e bukura More!
Thell të plast, me lot ndër si
Na të lipisnjëm, Arbëri!
Malet tan me lis e driza
Të bukur sheshe me muriza
Të bukur kroje, të bukur gropa
Të bukur gjerdhe me fallopa!
Jemi e vemi ndë Itali
E më s’ju shomi me këta si!
Dherat të huaj hare s’kan
Se s’mbllin printët tan
Prindë, luftuat me thik më dor
Ndërpër shi e ndëpër bor
Ni ju lëm pa një qiri
E pa një vajim. Oj Arbëri!
Luajtim valle nd’atë More
Shtum kangjele ndë ato hje
Klisht e tona të bukuruara
Shpizit tona të nderuara!
Ni vjen Turku, Turku i zi
E tërpron klish e shpi
Qeti: Shihni jet e re,
Na tha Dorja, zoti Ndre,
Lipim qellnjëm ka do vemi
Se buartim mallin e s’e kemi
Me kët zemër, me këta si
Klajëm keq kët Arbëri!
Ndallandishe e ler e ler
Kur të vish ti njatër hjer
Vjen të vish ti te Korona
E s’gjën më shpit e tona!
Më së gjën trima hajdhjar
Po ngë një qen, çë kloft i vrar!
Kur u nistin gjith anit
E dherat tan iktin ka sit
Burrat gjith me një vajtim
Thirrtin grat me një vajtim,
Dil e hana ti, Stihji!
Oj More! Oj Arbëri!
(Marrë nga libri “Antologjia e Poezisë Arvanitas” autor, Teuta Kamberi-Llalla, botuar në Tetovë, 2008)/gazetanewborn.net