Symbyllur drejt humnerës: komandantët dhe Gjykata Speciale

Nga Enver Robelli

Kur disa muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës politikani zviceran Dick Marty erdhi në Prishtinë, ai në xhep kishte një mandat të Këshillit të Europës për të hetuar dyshimet mbi krime të luftës të kryera nga ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Atëbotë ardhjes së tij nuk i kushtuan vëmendje të duhur as politika, as mediat kosovare. «Kur arrita në Kosovë unë kërkova që të më mundësohet të flasë me kryeministrin (atëbotë Hashim Thaçi, v.j.) dhe me të gjitha autoritetet. Por ne respektuam procedurat e Këshillit të Europës dhe pranuam se qeveria e Kosovës mund të vendosë vetë se kush dëshironte të fliste me ne dhe kush jo. Pastaj na i vunë në dispozicion zëvendëskryeministrin, ministrin e drejtësisë dhe ministrin e punëve të brendshme», ka thënë Marty në një intervistë të botuar në mediat zvicerane në fund të janarit 2011.

Dëshmitar i kësaj nonshalance të institucioneve kosovare kam qenë edhe vetë në dhjetor të vitit 2010, pak ditë pasi raporti i Dick Martyit u bë publik. «Dalim sonte pimë pak verë dhe e zhvillojmë intervistën» – kjo qe përgjigjja e një zëdhënësi të Thaçit në kërkesën time për intervistë. Dukej ashiqare se ose nuk e kishin kuptuar seriozitetin e situatës, ose bënin blof. Përpjekja e parë për intervistë u zhvillua të nesërmen paradite. Thaçi u shfaq në një zyrë ku zakonisht i priste delegacionet e ndryshme – ishte vetëm, pa asnjë këshilltar, pa asnjë dokument, pa asgjë. Ndërsa fliste, ai me nervozizëm shikonte orën. «Shef, i kam vetëm 15 minuta kohë», tha kryeministri i atëhershëm. «Kjo nuk është çështje e 15 minutave. Ose po bëjmë një intervistë si duhet, ose e lëmë krejt. Ky raport duhet të merret seriozisht, sepse mund të ketë pasoja të rënda». «Mirë», u përgjigj kreu i qeverisë, «atëherë takohemi në orën 13:00». Por as në orën 13:00 Thaçi nuk ishte më i përgatitur. Foli gjatë, i mllefosur, e krahasoi Dick Martyin me shefin e propagandës naziste Joseph Goebbels, paralajmëroi hapa juridikë kundër të dërguarit të Këshillit të Europës, tha se e tërë kjo lojë ishte pasojë e propagandës serbe. Kuptohet sa për të qetësuar zërat perëndimorë tha se Kosova është e hapur për hetime, se nuk ka asgjë për të fshehur.

Në vend se t’i merrej nisma nga dora Këshillit të Europës, në vend se të thuhej se Kosova e merr seriozisht raportin dhe menjëherë do të themelojë një gjykatë të veçantë – me gjykatës e prokurorë vendorë dhe ndërkombëtarë -, Thaçi dhe shokët e tij të luftës fillimisht besuan se furtuna e raportit të Dick Martytit do të pushonte së shpejti. Ndodhi e kundërta: raporti u miratua pothuaj njëzëri nga Këshilli i Europës dhe kështu bashkësia ndërkombëtare u gjend nën «Zugzwang», siç thonë gjermanët, pra nën presion për të vepruar. Lënda iu kalua një prokurori amerikan. Ai hetoi dhe erdhi gati në po atë përfundim si ish-prokurori Dick Marty, përndryshe i dekoruar dikur nga autoritetet amerikane për punë të suksesshme në Zvicër. Tashmë gjërat morën rrugën e tyre dhe kulmuan me ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës në vitin 2015 për të mundësuar themelimin e Gjykatës Speciale. Pastaj Thaçi u përpoq të imponohej si partner edhe më i pashmangshëm i bashkësisë ndërkombëtare. Demonstroi gatishmëri absolute për koncesione ndaj Serbisë me shpresën se kjo do t’i siguronte imunitet nga çdo ndjekje. Tani në vitin 2017 e lexojmë kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli duke thënë: «Gabimi më i madh i marrëveshjeve që janë nënshkruar nuk kanë qenë marrëveshjet, por mostransparenca». Kjo është një goditje frontale ndaj Thaçit si flamurtar i dialogut. Dhe kjo përplasje tregon edhe njëherë se kur të përzihen interesat personale me ato shtetërore, rezultati është i keq për vendin.

Në intervistën e lartpërmendur për mediat zvicerane Marty kishte thënë: «Bindja ime është se ka aq shumë indikacione, se emrat e (Hashim) Thaçit dhe (Xhavit) Halitit janë përmendur aq shpesh nga aq shumë shërbime të ndryshme sekrete dhe autoritete të hetuesisë, saqë më është dashur t’i përmend ata me emër. Ndryshe do të ishte kriminalizuar mbarë popullsia e Kosovës. Raportin e kam shkruar në emër të njerëzve në rajon, të cilët meritojnë një demokraci të vërtetë dhe politikanë të pastër. Rrezikun e përmendjes së emrave e kam marrë mbi vete. Ishte një akt ndershmërie». Në pyetjen nëse do ta quante Kosovën shtet të mafies, Marty u përgjigj: «Këtë fjalë nuk e kam përdorur dhe nuk do ta përdorë, sepse nuk dua të kriminalizojë mbarë shoqërinë. (…) Unë them se lidhjet e krimit të organizuar dhe politikës janë shumë të ngushta. Kjo nuk vlen vetëm për Kosovën. Të njëjtin fenomen e shohim edhe në Shqipëri. Por nuk dua që tani reflektorët të drejtohen vetëm ndaj këtyre vendeve. (…) Është krijuar një ambient, i cili është absolutisht i përsosur për zhvillim e tyre. Por të mendosh se në vende të tjera – edhe në vendet tona – jemi absolutisht imun ndaj këtyre rreziqeve, do të ishte arrogante dhe e pavërtetë».

A ka mundur të ketë epilog tjetër saga e Gjykatës Speciale. Nuk mund ta dimë me saktësi, por një gjë është e sigurt: politikanët e Kosovës vendimmarrjen ia lanë në duar bashkësisë ndërkombëtare. I ekzaltuar me krahasimet që në Washington ia bënin me George Washingtonin, Thaçi besonte se është lojtar i përhershëm i Amerikës. Por sot nuk është çështja vetëm te fati personal i Thaçit apo ndokujt tjetër – sot çështja është: izolim e konfrontim me Perëndimin apo bashkëpunim siç është premtuar. Një zgjidhje e mundshme do të kishte qenë nëse Thaçi që më 2011 do të ishte tërhequr nga politika. Ndoshta pas vitit 2020 – tashmë i pastruar nga dyshimet – do të ishte rikthyer triumfalisht në skenën politike. Në kuptimin penal ai dhe shokët e tij të përmendur në raportin e Martyit janë të pafajshëm, por kjo nuk i amniston nga përgjegjësia për futjen e Kosovës në qorrsokak. Në fjalimet e tij edhe vetë Thaçi e ka pranuar se gjatë luftës mund të kenë ndodhur gabime dhe krime. Konsekuenca e kësaj fjalie nuk do të duhej të ishte akomodimi në kolltukë dhe mosveprimi. Kur thuhet «janë kryer krime», duhet t’i hapet rruga drejtësisë. Vetë si shoqëri kemi qenë të pazotë për t’u ballafaquar me disa anë të errëta të luftës. Ndërkohë dalin njerëz në media dhe tregojnë se si janë mbajtur në burgje të UÇK-së në veri të Shqipërisë, për çdo vit përkujtohen veprimtarë politikë të vrarë për arsye politike, në gati çdo mbledhje të parlamentit shkëmbehen akuza të rënda për mëkatet e së kaluarës. Por kur vjen puna te gjykimi i përgjegjësve shumica e deputetëve fusin kokën në zall, bllokojnë nisma, gjejnë arsyetime, merren me linçime në stilin «kemi dëgjuar se ti do të jesh dëshmitar i Gjykatës Speciale».

Në parlament dëgjohen edhe këso margaritarë: një deputet i VV-së i kërkon Thaçit me nënton akuzues të tregojë se ç’ndodhi me Behajdin Hallaqin, pastaj po nga VV thuhet: «këta» (mendohet për krerët e PDK-së) duhet të dënohen për krimet në paqe dhe jo në luftë. Para fiks dy vitesh njëri nga funksionarët e VV-së, Liburn Aliu, në «Rubikon» thoshte: «Kemi një kryqëzim të pashmangshëm të këtyre figurave. Bahajdin Hallaqi ishte sekretar i LPRK-së që nga themelimi i saj… por në momentin kur vritet, atij nuk i dihet varri e Hashim Thaçi është drejtor politik i UÇK-së. Behajdini u shpall hero, por nuk i dihet varri. Askush nuk di se ku dhe si u vra. Thuhet se për të fundit herë ishte nisur nga Drenovci i Rahovecit me Hashim Thaçin. Unë nuk po kërkoj asgjë më shumë e as më pak sesa ai të sqarohet për mënyrën se si është vrarë. Sepse më këtë sqarohen shumë gjera të tjera. Ai fronti politik duhet të hulumtohet se kur ndodhi kjo kthesë kaq e madhe që një njeriu si Bahajdini të mos i dihet varri e një tjetër të bëhet drejtor politik».

Pikërisht për shkak të kësaj kakofonie akuzash dhe mungese të gatishmërisë për të sqaruar gjërat që duhet sqaruar, Kosovës sot po i trokasin në derë prokurorë, diplomatë, gjeneralë e politikanë të botës perëndimore. Mund të bëhemi të shurdhër dhe të presim siç kemi pritur qe gati 20 vjet – ose të bëhemi njëherë seriozë dhe të shikojmë pak edhe ndonjë kapitull të errët të punëve tona. Dialogplus.ch

SHKARKO APP