Ta qash me lot diktaturën!

Nga Andrea Stefani/Sikur 25 vjet pas rënies së diktaturës komuniste të ishte ndërruar sistemi i demokracisë liberale me mirëqenie, të drejta dhe liri të garantuara institucionalisht; pra, sikur Shqipëria të ishte bërë ashtu si shqiptarët e shpallnin se e donin, si Europa, me kohë do kish vdekur, bashkë me nevojën për një shpëtimtar (Mesia), edhe nostalgjia për komunizmin dhe diktatorin Enver Hoxha.

Mjerisht në Shqipëri është instaluar një surrogato e shtetit pa shtet, ku bën kërdinë diferencimi i skajshëm pasuror, varfëria, padrejtësia, mafia dhe korrupsioni i pandëshkuar. Prandaj edhe nostalgjia për Enverin shpaloset në çdo përvjetor të vdekjes së tij si një ofshamë që shpreh nevojën për rikthimin e modelit qeverisës që ai përfaqëson, që të mund të vendosej pak rend në këtë rrëmujë ku edhe më i pastri shpallet i kriminalizuar pikërisht se të gjithë kriminelët shpallen të pafajshëm.

Një nostalgji për diktatorin që nxjerr kokën jo vetëm në Tiranë, por edhe në Prishtinë, ku drejtori i një institucioni që merret me ruajtjen e monumenteve, në përgjigje të një pyetjeje nëse e lejon ligji që të ngrihet një monument për Enver Hoxhën në Kosovë (edhe atje aspirata glorifikimi për diktatorin) shprehet si do kish dashur që “Enveri” (kupto, modeli i tij) të mund të kthehej që të qeveriste qoftë edhe për një vit në mënyrë që t’i jepte fund vjedhjeve.

Pesë vjet do më qani, pesë të tjerë do më shani dhe pastaj do më kërkoni – qarkullonte që pas rënies së komunizmit një fabul lidhur me Enverin. Por që sot po rezulton një profeci. Edhe i vdekur Hoxha vazhdon të sfidojë rivalët e tij të gjallë. Jo se janë ndryshe nga ai. Por pikërisht se janë si, veç më të paaftë se ai. Enveri e mbyti lirinë me shtet. Sharlatanët e sotëm të politikës, liderët e lavdishëm po e mbysin lirinë me padrejtësi, korrupsion dhe antishtet. Dhe nuk ka më keq se antishteti. Ndërkaq, e keqja më e madhe është se liderët tanë ngrehalucë, të korruptuar dhe mediokër, pasi kanë krijuar këtë gjendje kritike për Atdheun, këmbëngulin të ofrohen si shpëtimtarë unikalë të tij!

Shkurt, nostalgjia e ringjallur për Enverin, është kryesisht revoltë për gjendjen e varfërisë kronike dhe korrupsionit po ashtu kronik dhe në një kontekst më të gjerë, e mungesës së shtetit real. Edhe në kohën e komunizmit shqiptarët dhe Shqipëria nuk i shpëtuan varfërisë. Por atëherë, për shumë vjet, shfaqeshin të kënaqur ngase nuk kishin parë më mirë. Sot shfaqen të pakënaqur se kanë parë më mirë. Është fakt se kur Enveri mori pushtetin Shqipëria ishte thuajse një fshat i prapambetur ballkanik me tradita të theksuara anarkike. Enveri e vuri theksin tek shteti duke sakrifikuar në themelet e tij lirinë e njeriut. Dhe është fakt se konsolidoi një shtet diktatorial i cili gëzonte njëfarë dinjiteti në botë sepse ishte i mbyllur ndaj Botës. Shqiptarët ishin të lumtur jo se ishin të pasur, por se ishin barazimtarisht të varfër. Padyshim edhe pse ishin më mirë se në vitin 1938 të cilit, propaganda e regjimit kish kujdes t’i referohej pafundësisht.

Me rënien e komunizmit, dështimi themelor i elitave politike nën mediokre, është fakti se nuk arritën të bëjnë shtet. Shteti, sundimi i ligjit, demokracia kanë qenë, dhe mbeten, të gjitha një butafori sa tallëse aq edhe vrasëse. Nëse Enveri sakrifikoi lirinë për shtetin, këta të sotmit sakrifikuan shtetin në emër të “lirisë”. Në fakt të një anarkie që, e maskuar me ligj, jepte mjaft dorë për pasurim korruptiv. Me rënien e diktaturës, bashkë me akujt e saj, shkrinë edhe gjarpërinjtë e anarkisë, korrupsionit, evazionit dhe vjedhjeve që kanë bërë kërdinë duke rrënuar jo vetëm mjedisin natyror (plazhet, shtretërit e lumenjve, parametrat urbanistikë) por edhe mjaft nga ato shpresa të mëdha se një ditë edhe Shqipëria do të bëhet shtet. Aq e madhe është uria për shtet sa tashmë jo vetëm nostalgjikë të diktaturës, nuk kundërshtojnë nevojën e ardhjes së një dore të fortë që do të bëjë shtet. Si dikur Enveri. Aspirata për një shtet me liri e demokraci po tretet si kripa në ujë.

Besoj se ato ishin lotë të sinqertë – shkruan Teuta Hoxha, ndërsa kujton shpalosjen e dhimbjes masive ditën e funeralit të diktatorit. Ka një të vërtetë në këtë pohim. Jo gjithçka ishte lotë hipokritë prej frikës se mos komshiu apo shoku e spiunonte se nuk qau për vdekjen e “shokut Enver”. Thashë më sipër se shqiptarët nuk kishin parë më mirë. Ata ishin në pozitën e atyre skllevërve në shpellën e Platonit që mund të shikonin vetëm hijet në murin e ndriçuar nga zjarri prapa tyre, duke pandehur se e gjithë bota përbëhej nga hijet.

Edhe nostalgjia për diktatorin është e sinqertë. Sepse kanë parë më mirë. Në dy kuptime: Kanë parë shumë më mirë në Perëndim. Por kanë parë më mirë edhe në kohën e Enverit ku nuk kishte krim rrugës (vrasja ishte monopol i shtetit), gjakmarrje, mafie, korrupsion, kontrabandë, drogë, diferencim të skajshëm pasuror, rrënim të mjedisit dhe të jo pak vlerave morale. Kanë parë më mirë kur kishte ca fabrika ku një pjesë e shqiptarëve bëni sikur punonin dhe shteti sikur i paguante, ca kooperativa që nuk linin copë toke pa mbjellë deri edhe në kodra dhe kooperativisti nuk ishte i lirë ta linte djerrë tokën si sot.  Kanë parë më mirë kur shteti të jepte një apartament falas (qeraja ishte tejet modeste), mjekimin falas, shkollimin falas apo një pension që, për nivelin e atëhershëm, nuk e flakte pensionistin në mizerje. Prandaj sot, janë shtuar radhët e atyre shqiptarëve që e qajnë me lot diktaturën.

Problemi është i thjeshtë në shtrim, ndonëse aspak në realizim. Një rend i ri nuk mund të triumfojë mbi të vjetrin nëse nuk arrin epërsi ekonomike. Enveri diti ta tejkalojë ekonomikisht periudhën parakomuniste. Në këtë drejtim ai “e qante” diktaturën. Ndërsa liderët e sotëm politikë, në këto 25 vjet, kanë treguar aftësi vetëm në pasurimin e tyre, të familjeve dhe klaneve politike rreth tyre, por shqiptarët dhe Shqipërinë e kanë lënë të varfër si në komunizëm. Madje, ndoshta edhe më të varfër…

Kohët po provojnë se liria është një sfidë tepër e vështirë. Por ajo bëhet edhe më e vështirë kur liderët e një shoqërie që kapardisen si partizanë të lirisë, e tradhtojnë atë dhe sfidave që vet liria, për nga natyra e saj, nxjerr para çdo individi, i shtojnë edhe të tjera që nuk kanë të bëjnë me lirinë por me padrejtësinë, krimin, paaftësinë qeverisëse dhe korrupsionin. Dhe atëherë, i braktisur në mëshirë të fatit njeriu, siç ka konstatuar Erich Fromm, i kthen shpinën lirisë (në fakt, kaosit, kriminalizimit, anarkisë) dhe kërkon shpëtim tek diktatura, duke vajtuar për kohën e shkuar. Por edhe më keq, duke kërkuar shpëtim pikërisht tek ata që janë shkaktarët kryesorë të fatkeqësisë së tij, të nostalgjisë dhe lotëve të tij të sinqertë. Tek liderët sharlatanë, që ndërsa mallkonin Enverin bënin kujdes të trashëgonin prej tij kultin e rremë të shpëtimtarit të Shqipërisë.

Shpresa vdes e fundit. Por tashmë ka vetëm një shpresë. Që në Shqipëri të bëhet drejtësi. Dhe vëreni me kujdes! Janë po ata politikanë që e kanë robëruar, përdhunuar dhe keqpërdorur drejtësinë në këto 25 vjet, që po bëhen pengesë për reformën në drejtësi gjoja, sikur duan të mbrojnë pavarësinë e drejtësisë. Nuk duhen lënë të realizojnë intrigën e tyre. Sepse vetëm bashkë me drejtësinë, ringjallet edhe liria për shqiptarin edhe begatia për të. Gjithçka tjetër është një iluzion. Shqiptarët nuk do shpëtojnë nga robëria e iluzioneve nëse nuk shijojnë lirinë si drejtësi, si dinjitet, si begati. Por nëse një ditë ideja e lirisë do të vdesë dhe bashkë me të edhe Shqipëria, mbi varrin e saj nuk mund të jetë tjetër epitaf veç ai i parathënë nga Konica: E varrosën politikanët! Pikërisht këta që shqiptarët duartrokasin sot, për turp të tyre, si shpëtimtarë! Zgjohuni!

Gazeta Dita

SHKARKO APP