Tabaku akuzon qeverinë: Familjet marrin borxh, paratë publike shkojnë te të afërmit e pushtetit
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur shqetësimin për rritjen e kostos së jetesës dhe ndikimin e saj te familjet shqiptare. Në rubrikën “Këndi i Javës”, ajo tha se shpenzimet për ushqime, qira, energji, transport dhe shkollimin e fëmijëve po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë mbylljen e muajit me të ardhurat familjare.
Sipas Tabakut, një familje me dy paga minimale shpenzon rreth 90% të të ardhurave për ushqime bazë dhe qira, ndërsa, sipas llogaritjeve të saj, mund të përballet me një mungesë prej rreth 43 mijë lekësh në fund të muajit. Ajo solli edhe shembullin e një familjeje me të ardhura mujore rreth 130 mijë lekë, për të cilën shpenzimet, sipas saj, tejkalojnë të ardhurat me rreth 9 mijë lekë.
Tabaku e lidhi këtë situatë me mënyrën e shpërndarjes së parave publike, duke akuzuar qeverinë se tenderët, koncesionet dhe fondet publike favorizojnë një rreth të privilegjuar pranë pushtetit. Ajo përmendi ndër të tjera rastet e KAYO-s, inceneratorëve, tenderëve në shëndetësi dhe AKSHI-t, duke kërkuar më shumë transparencë dhe përgjegjësi.
“Një sistem që u shërben të privilegjuarve, ndërsa familjet përballen me çmime të larta dhe borxhe, nuk mund të jetë përgjigjja për shqiptarët”, deklaroi Tabaku.

