Tabaku fshin mesazhin dezinformues. MIA: Kërko falje. Deputetja: Të shfuqizohet ligji për zonat e mbrojtura

Agjencia për Media dhe Informim reagoi sërish pas fshirjes nga deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, të një mesazhi të cilin MIA e kishte cilësuar si dezinformues dhe të atribuar në mënyrë të rreme kryeministrit Edi Rama.
Në reagimin e saj, MIA përshëndet fshirjen e postimit, por shprehet se Tabaku nuk ka kërkuar ndjesë për informacionin e shpërndarë.
Sipas MIA-s, identifikimi, verifikimi dhe saktësimi i përmbajtjeve dezinformuese janë pjesë e përgjegjësisë së saj institucionale.
“MIA përshëndet fshirjen e mesazhit dezinformues nga Tabaku. Duke qenë se znj. Tabaku, në vend të një ndjese ndaj audiencës së cilës i përcolli informacionin e rremë, zgjodhi të ironizojë MIA-n për angazhimin e saj në luftën kundër dezinformimit, përfitojmë nga rasti t’u kujtojmë të gjithëve se detyra jonë si Agjenci është e pandarë nga përgjegjësia për të identifikuar, verifikuar dhe saktësuar përmbajtjet dezinformuese.
MIA do të vijojë ta bëjë këtë detyrë pa asnjë dallim, pavarësisht se kush e prodhon apo e amplifikon një informacion të rremë. Informimi i saktë i publikut dhe mbrojtja e tij nga dizinformimi është qëllimi dhe misioni ynë i përditshëm”, thuhet në reagimin e MIA-s.
Nga ana tjetër, deputetja Jorida Tabaku reagoi duke u ndalur tek debati në ligjin për zonat e mbrojtura dhe kërkesat e Parlamentit Europian për ndryshimet ligjore.
Tabaku theksoi se një çështje e tillë nuk mund të reduktohet vetëm në një debat për një imazh të publikuar në rrjetet sociale.
Ajo shtoi se kjo çështje nuk është dezinformim dhe nuk mund të fshihet pas debatit në rrjetet sociale.
“Një imazh që qarkulloi në rrjet mobilizoi menjëherë Agjencinë e Medias dhe kryeministrin. Ndërsa një imazh sqarohet me një reagim; një ligj që bie ndesh me standardet europiane korrigjohet me votë në Kuvend duke zhbërë amendimet. Kërkesa e Parlamentit Europian për shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura është zyrtare dhe e qartë.
Nuk është as dezinformim, as pavërtetësi dhe nuk mund të fshihet pas zhurmës së rrjeteve sociale. Shqipëria nuk ka nevojë për propagandë rreth një imazhi te rremë. Ka nevojë për përgjigje mbi faktet. Shfuqizo ligjin për zonat e mbrojtura! Këtë duan shqiptarët, këtë kërkojnë protestuesit, kjo i duhet Shqipërisë, këtë na dikton Europa tani. Kryeministri duhet t’i përgjigjet kësaj kërkese, sepse ora e integrimit europian vazhdon dhe Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur as kohë për propaganda”, shkruan Tabaku.
ATSH
KOHA JONË SONDAZH

