
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar projektbuxhetin e vitit 2027, duke deklaruar se rritja e të ardhurave buxhetore vjen si pasojë e taksave më të larta, ndërsa mungojnë prioritetet e qarta për zhvillimin e ekonomisë. Në një intervistë për News24, Tabaku u ndal te situata e bujqësisë, sektorit fason dhe prodhimit, duke theksuar se mungesa e mbështetjes dhe pasiguria fiskale po krijojnë vështirësi për bizneset.
“Është një buxhet që nuk tregon se ku janë stimujt e ekonomisë”, u shpreh ajo, duke shtuar se dhomat e tregtisë dhe shoqatat e biznesit e kanë cilësuar paketën si “antibiznes”. Sipas Tabakut, politikat aktuale rrezikojnë të ndikojnë në aktivitetin e sipërmarrjeve, punësimin dhe mirëqenien e qytetarëve. Ajo theksoi veçanërisht barrën fiskale mbi shtresën e mesme dhe mungesën e një strategjie të qartë për pagat.
“Është një dramë e madhe që puna nuk vlerësohet, që puna mbitaksohet”, deklaroi deputetja demokrate. Si alternativa për zhvillimin ekonomik, Tabaku kërkoi më shumë investime në arsim, lidhjen e tij me kërkesat e tregut të punës dhe mbështetjen e sektorit prodhues. Ajo nënvizoi gjithashtu nevojën për rregulla fiskale të qëndrueshme, që t’u japin bizneseve siguri dhe parashikueshmëri.
“Biznesi duhet të ketë siguri, taksa që nuk ndryshojnë”, tha Tabaku. Gjatë intervistës, deputetja komentoi edhe protestat, duke i lidhur pakënaqësitë ekonomike me shqetësimet sociale. Ajo theksoi se Partia Demokratike duhet të reflektojë dhe të hapet më shumë ndaj shoqërisë dhe studentëve, në mënyrë që pakënaqësia qytetare të përkthehet në mbështetje politike. Në përfundim, Tabaku u shpreh se, sipas vlerësimit të saj, qeveria ka konsumuar ciklin politik, ndërsa opozita duhet të ndërtojë një ofertë më përfaqësuese për qytetarët. “Protesta tregoi që qeverisë iu dridhën këmbët”, deklaroi ajo.
