Tabaku: Një shtet pa Gjykatë Kushtetuese si një orë pa busull
Deputetja e Partisë Demokratike dhe Kryetarja e Komisionit të Medias dhe të Drejtave të Njeriut, Jorida Tabaku, mori pjesë në konferencën ndërkombëtare “30 vite partneritet dhe progres: Shqipëria, Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venecias”.
Teksa foli në në panelin kushtuar drejtësisë kushtetuese, Tabaku theksoi rëndësinë e ekuilibrit midis vullnetit politik dhe kontrollit juridik, duke e cilësuar këtë si “shtyllën themelore të çdo demokracie moderne”.
“Në çdo shtet modern, Kushtetuta është akti më i lartë juridik, dhe mbi këtë themel ngrihet një ekuilibër delikat midis vullnetit politik të shumicës dhe kontrollit juridik të Kushtetutës. Parlamenti është shprehja e sovranitetit të popullit; Gjykata Kushtetuese është garancia që ky sovranitet të ushtrohet brenda kufijve të ligjit dhe të drejtës”, tha Tabaku.
Deputetja demokrate falënderoi Komisionin e Venecias për rolin e tij të pazëvendësueshëm në mbrojtjen e demokracisë dhe ekuilibrave institucionalë në Shqipëri gjatë dekadave të fundit, duke e cilësuar si “partnerin më të çmuar të demokracisë shqiptare”.
“Reforma në drejtësi, megjithëse u nis me qëllime të mira dhe me kontribut të rëndësishëm nga Partia Demokratike, e la vendin për tri vjet pa Gjykatë Kushtetuese. Në atë kohë Shqipëria ishte një shtet pa arbitër kushtetues. Çdo nismë që prekte balancat e pushtetit mbeti pa testin e kushtetutshmërisë. Dhe siç duket, maxhoranca u mësua pa të”, vijoi më tej Tabaku.
KOHA JONË SONDAZH

