Tabaku: Qeveria ka dështuar me programimin buxhetor, 20% e investimeve kryhen në fund të vitit
Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave për buxhetin faktik të vitit, deputetja e PD-së, Jorida Tabaku flet për shqetësimin që qeveria ”Rama 4” ka dështuar të zbatojë një programim afatmesëm buxhetor, duke i dhënë të drejtë gjetjeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH).
”Sot nuk ka më një programim të qartë dhe afatmesëm të buxhetit të shtetit”,-u shpreh Tabaku. ”KLSH ka evidentuar se qeveria miraton një buxhet në fillim të vitit, por në fund ai ndryshon përmes një sërë aktesh normative, duke humbur çdo lidhje me planifikimin fillestar”.
Deputetja opozitare theksoi se, sipas raportit të KLSH, rreth 20% e shpenzimeve kapitale realizohen në ditët e fundit të vitit, çka tregon mungesë të theksuar eficience dhe planifikimi nga Ministria e Financave. ”Si mund të quhet funksionale një Ministri që nuk arrin të ndajë dhe të zbatojë normalisht fondet për investime? Kjo është paaftësi institucionale dhe dështim në menaxhimin e financave publike”,-shtoi ajo.
Tabaku vuri në dukje gjithashtu se procesi i rindërtimit është kryer në pjesën më të madhe pa fonde të buxhetuara, duke e cilësuar këtë si një shembull flagrant të mungesës së disiplinës fiskale.
KOHA JONË SONDAZH

