
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj protestuesve gjatë tubimit para Ministrisë së Arsimit, duke e cilësuar shqetësuese mënyrën se si po trajtohen qytetarët e pranishëm në protestë. Tabaku vlerësoi pjesëmarrjen e pedagogëve në protestë, duke e konsideruar atë një mesazh të rëndësishëm përballë situatës së krijuar. Ajo theksoi se reagimi i tyre duhet të pasohet nga një angazhim më i gjerë i shoqërisë.
”Bashkimi i pedagogëve, i çdo zëri, i intelektualëve dhe i prindërve për të mbrojtur fëmijët duhet të ishte gjëja e parë që duhej të ndodhte”, u shpreh Tabaku, e cila tha se në protestë ishte e pranishme si pedagoge, ashtu edhe si deputete. Gjatë deklaratës së saj, Tabaku ngriti shqetësimin për shoqërimet në komisariate dhe pretendimet për praninë e personave ekstremistë në protestë. Sipas saj, shumica e të shoqëruarve janë studentë dhe qytetarë, ndërsa vuri në pikëpyetje pretendimet për përfshirjen e personave të tjerë. ”Në 90% të rasteve të të shoqëruarve nuk ka pasur ekstremistë, por studentë. Nuk ka pasur as duar të huaja. Nëse ka, ku janë?”, deklaroi deputetja.
Ajo kritikoi gjithashtu trajtimin e protestuesve, duke folur për raste që, sipas saj, përbëjnë shkelje të dinjitetit njerëzor. Një pjesë të fjalës së saj, deputetja ia kushtoi edhe Policisë së Shtetit, duke bërë dallimin mes efektivëve që, sipas saj, kryejnë detyrën me ndershmëri dhe atyre që veprojnë në mënyrë arrogante gjatë zbatimit të urdhrave.
”Dua të bëj një dallim të madh mes atij kontingjenti të ndershëm në Policinë e Shtetit, që sot është lënë në mëshirë të fatit. Ata kanë qenë 24 orë pa ngrënë dhe kanë familje. Por ka edhe një kontingjent tjetër, që sillet egër dhe zbaton urdhra”, tha Tabaku.
Në përfundim, ajo paralajmëroi se përdorimi i dhunës dhe përshkallëzimi i situatës mund të cenojnë paqen sociale, duke krijuar tensione edhe mes policisë dhe bizneseve. Tabaku u shpreh se shpreson që situata të marrë një zgjidhje normale dhe pa përplasje të mëtejshme. ”Hajde të mbrojmë fëmijët tanë”, ishte thirrja e saj drejtuar pedagogëve, prindërve dhe shoqërisë.
