Takimi i ministrave të Jashtëm të NATO-s, ministri Hoxha: Samiti i ardhshëm në Tiranë, moment historik për rajonin

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha mori pjesë më 21-22 maj në takimin jozyrtar të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, të zhvilluar në Helsingborg të Suedisë. Në takim, ministri Hoxha nënvizoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj vlerave të NATO-s, forcimin e lidhjes transatlantike dhe rritjes së investimeve në mbrojtje, në përputhje me angazhimet e aleatëve.

“Buxheti ynë i mbrojtjes për vitin 2026 përfaqëson nivelin më ambicioz të investimeve që kur Shqipëria iu bashkua Aleancës, duke kontribuar në aftësi më të forta kombëtare dhe siguri kolektive”, tha Hoxha. Ministri ripërsëriti mbështetjen e plotë të Shqipërisë për Ukrainën, si një gur themeli i sigurisë evropiane dhe vazhdimin e ndihmës përmes mekanizmave të NATO-s. Në këtë kontekst, Hoxha informoi Aleatët se më 12 qershor, do të bashkëorganizojë në Tiranë, së bashku me ministrin Andrii Sybiha, Takimin Ministror Ukrainë-Evropë Juglindore, një platformë e rëndësishme për të riafirmuar angazhimin e përbashkët për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Evropë.

Hoxha njoftoi në platformën X se mes aleatëve theksoi gjithashtu rëndësinë e një qasjeje 360 ​​gradë ndaj sigurisë, dhe mbajtjes së një fokusi të fortë në stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe Ballkanin Perëndimor. “Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar në mbështetjen e stabilitetit rajonal, duke përfshirë diskutimet e aleatëve mbi të ardhmen e KFOR-it dhe bashkëpunimin e NATO-s me Kosovën”, deklaroi Ministri i Jashtëm. Samitin e ardhshëm të NATO-s në Tiranë, kryediplomati shqiptar e cilësoi një moment historik për rajonin dhe një sinjal të fortë të angazhimit të qëndrueshëm të Aleancës ndaj Ballkanit Perëndimor.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Ndërsa ecim drejt Samitit të NATO-s në Ankara në korrik 2026, nënvizova rëndësinë dhe domethënien e mbajtjes së Samitit të ardhshëm të NATO-s në Tiranë, i cili do të përfaqësojë një moment historik për rajonin dhe një sinjal të fortë të angazhimit të qëndrueshëm të Aleancës ndaj Ballkanit Perëndimor”, përfundoi Hoxha.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se Shqipëria pranohet në BE deri në vitin 2030?