Tani edhe Taulanti kinez mund të ketë një motër
Nga Hajdar Muneka*
Është një film shqiptar mjaft i famshëm ku personazhi kryesor, Taulanti, djalë i vetëm i një familjeje intelektuale, u lutet prindërve të tij që t’i sillnin në jetë edhe një motër, të cilën ai e dëshironte pa masë. Deri javën e kaluar, të gjithë fëmijët kinezë kanë qenë si Taulanti shqiptar i viteve ’80-të. Pas diskutimeve, studimeve dhe anketimeve prej shumë vitesh, një plenium i Partisë Komuniste kineze vendosi këto ditë që çiftet kineze mund të lindin edhe një fëmijë të dytë. Ky hap mjaft i rëndësishëm ka për qëllim të frenojë plakjen e popullsisë kineze, gjë e cila është kthyer në një problem social mjaft shqetësues për Kinën.
Për të gjithë ne që kemi jetuar për një kohë të gjatë në Kinë gjatë 30 viteve të fundit ku kemi pasur miq kinezë të dëshiruar për një fëmijë të dytë, do të ishte lehtësisht e imagjinueshme sesa me kënaqësi do të pritej ky vendim nga shumica e njerëzve. Por edhe në këtë rast ndodhi çudia kineze. Në ditën e parë të vendimit, në portalet kineze online u organizuan sondazhe e anketa lidhur me çështjen. Në njërin që ndoqa unë, portali Weibo, brenda një dite votuan 160 mijë vetë. Nga këta, 45% ishin kundër, 25% e mirëprisnin, por nuk do ta zbatonin pasi nuk kishin të ardhura të mjaftueshme për rritjen e fëmijës së dytë. Vetëm një pakicë ishte pro dhe do ta shijonte. Por edhe këta të fundit mund të përballen me të njëjtin problem, pasi ka mundësi të kërkojnë të kenë fëmijën e tretë. Mendoj se mungesa e entuziazmit lidhet me faktin se kaloi shumë kohë dhe kinezët u mësuan me këtë gjendje. Në pjesën më të madhe ata e shikojnë koston e lartë që ka një fëmijë derisa të marrë vetë në dorë fatet e jetës së tij. Për më tepër, kur një pjesë e madhe e çifteve të reja nuk duan të kenë fëmijë fare. Kjo për shkak të angazhimeve në punë e biznes, apo thjesht për të shijuar jetën pa angazhimet në rritjen e një fëmije.
Historia e lindjes së një fëmije të vetëm në Kinë është kthyer në ligj në vitin 1979. Deri atëherë, kjo ka qenë kryesisht një nismë mbi baza vullnetare. Në 36 vitet e fundit, shkelja e tij është shoqëruar me pasoja administrative dhe ligjore. Në disa zona kishte edhe masa drastike që shoqëroheshin me sterilizimin e gruas brenda tri ditëve. Përveç vuajtjes së prindërve, dënimi binte edhe mbi fëmijët. Duke u konsideruar të jashtëligjshëm ata nuk mund të merrnin dot ‘hukou’ (regjistrim në regjistrin e gjendjes civile). Për pasojë, nuk fitonin asnjë të drejtë shkollimi e punësimi. Propozimet që u bënë për të parandaluar këtë fenomen ishin nga më të ndryshmet. Njëri ndër ta ishte për shpalljen çdo pesë vjet të vitit pa asnjë lindje. Në fshat, situata ishte pak më ndryshe për shkak të pretendimeve më të ulëta, por gjithsesi me pasoja si për të lindurin, ashtu edhe për prindërit.
Qëllimi kryesor i një politike të tillë, ndoshta unike në shoqërinë e njerëzimit, ishte frenimi i shtimit të popullsisë, si një masë ekstreme për të ulur nivelin e varfërisë. Dhe ia ka arritur qëllimit. Nëse nuk do veprohej kështu, Kina sot do të kishte 400 milionë banorë më shumë. Ndërsa në vitin 2050, popullsia e saj do të kapte shifrën astronomike të 4 miliardë njerëzve. Në shtator të vitit 1980, Asambleja e Popullit vendosi që në fund të shekullit ‘20 Kina të mos e kishte kaluar kufirin e 1.2 miliardë banorëve. Në atë mbledhje u vendos gjithashtu që të ardhurat mesatare për frymë në vitin 2000 të ishin 1 mijë dollarë amerikanë. Po të kthehemi në kohë rezulton se ky parashikim nuk ka qenë i gabuar. Kina i arriti të dy objektivat. Sipas një studimi të OKB, nëse do të vazhdonte të zbatonte edhe më tej politikën e një fëmije të vetëm, në vitin 2028, për numrin e popullsisë, Kina do të rreshtohej pas Indisë.
Për prindërit e fëmijëve të vetëm, qeveria ka pasur politika lehtësuese si shpërblime mujore e vjetore, leje lindje më të gjata, shërbim mjekësor falas për fëmijët deri në moshën 18 vjeç, favorizime në punësime e prona të paluajtshme etj. Tani logjikisht, ata i humbin këto privilegje.
Vendimi i qeverisë kineze për lejimin e fëmijës së dytë është paraprirë nga disa lëshime që kishin filluar prej saj në dy-tre vitet e fundit. Në qytete, çiftet që të dy bashkëshortët ishin të vetëm, lejohej që të kishin një fëmijë të dytë. Gjithashtu, në fshat, nëse fëmija i parë i çiftit lind vajzë, kishin të drejtë të lindnin fëmijë të dytë. Ndërsa në disa provinca e rajone, kryesisht të pakicave kombëtare, çiftet lejoheshin të lindnin dy fëmijë. Tibetianët nuk kanë kufizim.
Analistë të ndryshëm thonë se ky vendim i qeverisë kineze erdhi si rezultat i presioneve nga poshtë. Nisur nga rezultatet e sondazheve të përmendura më sipër, por edhe nga realiteti kinez mendoj se janë të tjera arsyet që e detyruan partinë kineze t’i propozojë qeverisë ndërmarrjen e këtij hapi. Nga aq sa e njoh unë realitetin kinez, po rreshtoj vetëm dy-tre arsye.
Pasi kanë kaluar gati katër dekada, politika e kufizimit vetëm në një fëmijë i ka dhënë pasojat e saj. Kina vërtet arriti ta mbajë popullsinë e saj në kufirin e më pak se 1.4 miliardë banorëve, por aktualisht tendenca e saj është drejt plakjes. Sipas OKB, më shumë se 400 milionë kinezë janë mbi 50 vjeç. Krahasuar me pjesën tjetër të botës rritja e saj është mjaft e vogël. Po të vazhdojë me këto ritme rritjeje, ka mundësi që deri në fund të shekullit, në botë të ketë më pak se 1 miliardë kinezë.
Pasojë tjetër është edhe prishja e raporteve midis fëmijëve me seks të ndryshëm. Në pjesën më të madhe ky raport anonte nga djemtë. Maskilizimi i shoqërisë ka pasoja të tjera sociale që në të shumtën e rasteve merren me mend. Krijohet një shoqëri ku një pjesë e anëtarëve të saj ndjehen të tepërt, ose të refuzuar për të krijuar familje. Aktualisht, në Kinë jetojnë 32 milionë djem më shumë sesa vajza, çka e vështirëson mundësinë e krijimit të familjes.
Por ka edhe një fenomen tjetër. Po rritej një brez pa vëllezër e motra, pa njerëz të afërt. Madje, shumica e pjesës më aktive të popullsisë kineze, ata të moshës deri në 35 vjeç, janë të tillë. Bashkë me këtë zhduken edhe ndjenjat që lindin nga lidhjet e gjakut. Kjo i bën njerëzit më të egër, më të pamëshirshëm, më egoistë, më mosmirënjohës. Tradita e familjes së madhe, ky virtyt i shkëlqyer kulturës kineze, është realisht në fije të perit.
Kinezët investojnë tek fëmijët çdo gjë që kanë. Pasi, sipas traditës, edhe fëmijët kujdesen për pleqërimin e prindërve të tyre. Por kjo vështirësohet kur një çifti do t’i duhet të kujdeset për katër prindër e tetë gjyshër. Fëmijët e vetëm që po rriten në Kinë janë para një presioni të jashtëzakonshëm psikologjik. Ka shumë prej tyre që nuk e përballojnë dot këtë presion, i cili është një barrë tjetër përtej tensionit të përditshëm që prodhon jeta intensive e plot dinamike.
Duke qenë se për fëmijën e vetëm kujdesen dy prindër e katër gjyshër, ata të gjithë duan që princi i tyre të jetë më i përkryeri, të mos i mungojë asgjë. Ata do të investohen në shkollimin e tij dhe në gjetjen e një pune të zgjedhur. Por, nëse kjo ndodh përçdo njeri që del në jetë atëherë nga do të sigurohet fuqia punëtore? Kush do të punojë në arë, në fabrikë? Zhvillimi i sotëm i Kinës është mbështetur pikërisht në krahun e lirë të punës. Por nëse një punëtor kinez do të ketë të njëjtën kosto sa edhe në vendet e zhvilluara, atëherë punëdhënësit do të shikojnë alternativa të tjera më të mira. Ky fenomen tashmë po ndodh. Shumë nga gjigandët botërore të prodhimit, por edhe kinezë, që e shfrytëzonin fuqinë e lirë punëtore kineze, dalëngadalë po transferohen në vendet e tjera të rajonit si Myanmar, Indonezi, Tajlandë apo Filipine, ku akoma gjenden krahë të lirë pune. Por e ardhmja e tyre është koma më larg, në Meksikë, Indi e Brazil, ku lindjet nuk kanë asnjë kufizim dhe fuqia punëtore në rritje vazhdon të jetë relativisht e lirë. Edhe e drejta për të pasur fëmijën e dytë nuk e shpëton Kinën menjëherë nga ky fenomen. Do duhen të kalojnë disa breza derisa të rregullohen raportet. Ndërkohë, si pasojë e politikës së ndjekur deri tani, edhe për shumë kohë Kina do të vazhdojë të përballet me të gjitha fenomenet e njohura sociale që sjell ajo. Gjithsesi, e drejta për të pasur një fëmijë të dytë është çlirimi moral për një shoqëri që deri tani dukej se i ishte privuar një e drejtë për përtëritjen e jetës. Ndoshta kjo do të jetë një nxitje edhe për ata që nuk duan të kenë fare fëmijë.
Planifikimi i një fëmije të vetëm ka edhe një risk mjaft të lartë që shkaktohet nga sëmundjet e rënda apo vdekshmëria në mosha të reja, që në Kinë duhet marrë në konsideratë. Por në rastin e largimit të fëmijës së vetëm nga jeta sjell automatikisht shuarjen përfundimtare të dy familjeve nga vijnë të dy prindërit e tij. Ky është një shqetësim tjetër serioz për shoqërinë kineze aq e lidhur pas trashëgimisë familjare. “Druri i vetëm nuk digjet, fëmija e vetme mezi mësohet”, thotë një shprehje e vjetër kineze.
*Ish-ambasador në Kinë