TAP, 1 miliardë dollarë investime në Shqipëri
Përfitimet e vendit tonë nga projekti i gazsjellësit Trans-Adriatik duket se do të jenë mjaft të larta. Jo vetëm financiare, por në të njëjtën kohë edhe strategjike, teksa Shqipëria do të përfshihet në rrjetin e gazifikimit. Një fakt të tillë e ka pohuar për mediat shqiptare, vetë drejtori i këtij projekti për Greqinë dhe Shqipërinë, Ibrahim Idarov, sipas të cilit, strategjia e kompanisë TAP është pikërisht që shumica e punimeve të nënkontraktohen nga kompani shqiptare. E kësisoj, i bie që pala shqiptare të ketë mjaft përfitime financiare rreth këtij projekti. “Ne besojmë se investimi total i drejtpërdrejtë ose indirekt në Shqipëri do të jetë rreth 1 miliardë dollarë”, mësohet të jetë shprehur ai, teksa në tërësinë e tij, projekti i gazsjellësit TAP pritet që të kushtojë mbi 40 miliardë dollarë. “Dëshira dhe strategjia jonë është që në këtë investim të angazhojmë sa më shumë kompani shqiptare që të jetë e mundur dhe për këtë i mirëkuptojmë plotësisht pritshmëritë e qeverisë tuaj. Megjithatë, në disa punime mund të ketë kufizime për kompanite vendase, që lidhen me teknologjinë e lartë që kërkohet. Por për ato punë të cilat nuk kërkojnë teknologji komplekse, strategjia jonë do të jetë kontraktimi plotësisht tek kompanitë vendase”, ka cilësuar gjithashtu përfaqësuesi i projektit TAP, duke nënvizuar qartë në këtë mënyrë një nga përfitimet kryesore të këtij projekti për vendin tonë. Por edhe faktin se gazsjellesi Transadriatik ka një program të përcaktuar ndërtimi dhe që sipas tij, punët aktive në terren në të tre vendet Itali, Greqi dhe Shqipëri do të fillojnë vitin tjetër. Konkretisht, pjesa e parë e punimeve ka të bëjë me ndërtimin e rrugëve mbështetëse të projektit. Teksa tenderi është duke u mbyllur dhe shumë shpejt do të lidhen kontratat me kompanitë qe do fitojnë. Pra, në këtë sens, përsa i takon Shqipërisë, sipas Idarovit, investimet e para do të vijnë që vitin tjetër, ndërsa pjesa më e madhe e shumës prej 1 miliardë dollarësh parashikohet të kryhet në dy vitet e ardhshme, 2016 dhe 2017. “Unë do të thoja se përfitimi më i madh është që Shqipëria bëhet anëtar i një projekti paneuropian. Pra, vendi juaj shndërrohet në një lojtar aktiv në një vepër strategjike dhe shumë të rëndësishme për Europën. Ky është një nga elementët kyç. Por sigurisht ndërtimi i projektit do të ketë përfitime të tjera të rëndësishme për ekonominë dhe qytetarët shqiptarë. Do të krijohen vende të reja pune, do të ketë kontrata për bizneset shqiptare dhe kompanitë tuaja do të përfitojnë njohuri teknologjike duke marrë pjesë në projekte kaq gjigande”, cilëson mes të tjerash Idarov lidhur mbi përfitimet që merr ekonomia shqiptare nga ky projekt. Duke përfunduar me faktin se sasitë e para të gazit azerbajxhanas do të arrijnë kufijtë europianë në fillim të vitit 2020. “Ne tani jemi duke punuar që edhe Shqipëria të ketë mundësi të përfitojë nga ky gaz. Me qeverinë tuaj sot firmosëm një meomrandum bashkëpunimi. Në thelb qëllimi i këtij memorandumi është që Shqipëria të mos jetë thjesht një vend tranzit i gazit, por të ketë mundësi ta përdorë atë”, saktëson përfaqësuesi i projektit të gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP).