“TAP, 1 mld dollarë investime në Shqipëri”
Shqipëria do të marrë 1 miliard dollarë investime për tre vitet e ardhshme nga ndërtimi i gazsjellësit Transadriatik. Drejtuesit e kompanisë shtetërore të gazit në Azerbajxhan, një nga aksionerët kyç të projektit, thonë se punimet në Shqipëri do të nisin vitin tjetër me ndërtimin e rrugëve. Por pjesa më e madhe e këtyre investimeve do të kryhet në periudhën 2016-2017.
Drejtori i gazsjellësit për Greqinë dhe Shqipërinë, Ibrahim Idarov, thotë se strategjia e kompanisë është që shumica e punimeve të nënkontraktohen nga kompani shqiptare.
Po flasim për një projekt të madh, i cili shpesh është cilësuar edhe si një investim që mund të bëjë ndryshimin në ekonominë shqiptare. Gazsjellësi TAP pritet të kushtojë në total mbi 40 miliardë dollarë. Sa nga këto para parashikohen që të investohen në Shqipëri?
Idarov: Ne besojmë se investimi total i drejtpërdrejtë ose indirekt në Shqipëri do të jetë rreth 1 miliard dollarë. Dëshira dhe strategjia jonë është që në këtë investim të angazhojmë sa më shumë kompani shqiptare që të jetë e mundur dhe për këtë i mirëkuptojmë plotësisht pritshmëritë e qeverisë tuaj. Megjithatë, në disa punime mund të ketë kufizime për kompanite vendase, që lidhen me teknologjinë e lartë që kërkohet. Por për ato punë të cilat nuk kërkojnë teknologji komplekse, strategjia jonë do të jetë kontraktimi plotësisht tek kompanitë vendase.
Ju keni deklaruar se në Shqipëri keni gati çdo gjë. Keni marrë të gjitha lejet dhe liçencat e nevojshme nga autoritetet. A kanë filluar punimet në terren dhe kur do të kryhen këto investime që ju përmendni?
Idarov: Gazsjellesi Transadriatik ka një program të përcaktuar ndërtimi dhe sipas këtij programi punët aktive në terren në të tre vendet Itali, Greqi dhe Shqipëri do të fillojnë vitin tjetër. Pjesa e parë e punimeve ka të bëjë me ndërtimin e rrugëve mbështetëse të projektit. Tenderi është duke u mbyllur dhe shumë shpejt në do të lidhim kontratat me kompanitë qe do fitojnë. Pra, në këtë sens, përsa i takon Shqipërisë, investimet e para do të vijnë që vitin tjetër, ndërsa pjesa më e madhe e shumës prej 1 miliard dollarësh parashikohet të kryhet në dy vitet e ardhshme, 2016 dhe 2017.
Cilat janë përfitimet që merr ekonomia shqiptare nga ky projekt?
Idarov: Unë do të thoja që përfitimi më i madh është që Shqipëria bëhet anëtar i një projekti paneuropian. Pra, vendi juaj shndërrohet në një lojtar aktiv në një vepër strategjike dhe shumë të rëndësishme për Europën. Ky është një nga elementët kyç. Por sigurisht ndërtimi i projektit do të ketë përfitime të tjera të rëndësishme për ekonominë dhe qytetarët shqiptarë. Do të krijohen vende të reja pune, do të ketë kontrata për bizneset shqiptare dhe kompanitë tuaja do të përfitojnë njohuri teknologjike duke marrë pjesë në projekte kaq gjigande.
Kur do të përfundojë projekti? Pra, kur Europa do të marrë sasitë e para të gazit nga gazsjellësi Transadriatik?
Idarov: Ne besojmë se sasitë e para të gazit azerbajxhanas do të arrijnë kufijtë europianë në fillim të vitit 2020. Ne tani jemi duke punuar që edhe Shqipëria të ketë mundësi të përfitojë nga ky gaz. Me qeverinë tuaj sot firmosëm një meomrandum bashkëpunimi. Në thelb qëllimi i këtij memorandumi është që Shqipëria të mos jetë thjesht një vend tranzit i gazit, por të ketë mundësi ta përdore atë. /TCH/