Tapitë për tokat: Panariti synojmë që procesi të përfundojë brenda afateve
I pranishëm në Komisionin e Veprimtarise Prodhuese, ku u prezantuan ndryshimet në ligjin për ndarjen e tokave bujqësore të ish- ndërmarrjeve bujqësore, ai tha ndër të tjera se për realizmin me sukses të këtij procesi, qeveria shqiptare pritet të realizojë sërish një proçes fotografimi ajror të territorit të Shqipërisë, me qëllim evidentimin e sipërfaqes së tokave bujqësore, pyjeve e ndërtimeve ndërsa paralelisht po punohet për realizimin e statistikave të sakta për sektorin bujqësor që mbetet i pazhvilluar, edhe për shkak të parcelizimit të tejskajshëm.
Sipas relacionit qe shoqeron kete projekt ligj, Qeveria vendos për procedurat e përfundimit të kalimit të tokave bujqësore të ish-fermave në pronësi të përfituesve pa shpërblim. Ky ligj vepron për familjet bujqësore apo individët, të cilët janë përfitues të tokës bujqësore, sipas vendimit të vitit 1992, të qeverisë “Për ristrukturimin e ndërmarrjeve bujqësore”, që, në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë banorë të njësisë së qeverisjes vendore dhe, në asnjë rast, që nga 1 tetori s’kanë ndryshuar vendbanimin e tyre sipas regjistrit të gjendjes civile, dhe e përdorin tokën për veprimtari bujqësore, por kanë mungesa në plotësimin e dokumentacionit të përdorimit apo pronësisë.
Por dhe familjet bujqësore apo individët, që kanë lëvizur nga qendrat e tyre të banimit e janë vendosur në territoret e ish-fermave bujqësore me vendime të veçanta të qeverisë, ku janë përfitues të tokës bujqësore në pronësi dhe e përdorin tokën për veprimtari bujqësore, por kanë mungesa në plotësimin e dokumentacionit të përdorimit apo pronësisë.Ndërkohë që përjashtohen nga veprimi i këtij ligji tokat bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore, të përcaktuara në ligjin “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”, toka bujqësore në rastet kur është regjistruar në regjistrin e pasurive të paluajtshme të ZRPP si pronë private, përfshihet në procesin e legalizimit, është lëshuar akti i marrjes së tokës në pronësi deri më 2008 nga komisionet e ndarjes së tokës, pavarësisht nëse është regjistruar ose jo në regjistrin e pasurive të paluajtshme, me vendim të qeverisë apo vendime të KRRTSH/KKT nuk është më e tillë.
Këtu nuk përfshihen familjet ose individët që kanë fituar tokë bujqësore si bashkëthemelues të ish-kooperativave bujqësore apo të ish-ndërmarrjeve bujqësore, është objekt kërkese, që po shqyrtohet nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, por s’është dhënë ende vendim, është objekt i një konflikti gjyqësor, për të cilin njësia e qeverisjes vendore është vënë në dijeni zyrtarisht nga gjykata, është dhënë me qira, në bazë të ligjit 1998.
Tokat bujqësore që nuk kalojnë në pronësi private, sipas këtij neni, mbeten pronë shtetërore. Ndërkohë që familjet bujqësore apo individët pajisen me akte pronësie, sipas kushteve dhe procedurave të përcaktuara në këtë ligj, nëse janë përfitues të tokës bujqësore në përdorim, sipas vendimit të 1992, e përdorin tokën për veprimtari bujqësore dhe e kanë aktin e marrjes së tokës në përdorim, të lëshuar deri më 2008, e përdorin tokën për veprimtari bujqësore, pavarësisht se nuk janë pajisur me aktin e përdorimit. Njëherësh sipërfaqja e tokës bujqësore që jepet në pronësi do jetë për përfituesit e barabartë me tokën që përdoruesi ka në shfrytëzim, por, në asnjë rast, më e madhe se sipërfaqja që tregohet në aktin e përdorimit e as më e madhe se sipërfaqja që i takon sipas normës për frymë, të përcaktuar nga legjislacioni i kohës.
Do të jetë e barabartë me tokën që përdoruesi ka në shfrytëzim, por, në asnjë rast, më e madhe se sipërfaqja që i takon sipas normës për frymë. Familjet bujqësore apo individët që kanë lëvizur nga qendrat e banimit dhe janë vendosur në territoret e ish-ndërmarrjeve bujqësore, pajisen me akte pronësie, me vendim të veçantë të qeverisë janë përfitues të tokës në pronësi apo në përdorim nga hyrja në fuqi e vendimeve e përdorin tokën për veprimtari bujqësore, pavarësisht se s’janë të pajisur me aktin e përdorimit apo të pronësisë dhe toka e tyre bujqësore nuk përfshihet në një nga rastet e parashikuara në këtë ligj. Sipërfaqja e tokës bujqësore që jepet në pronësi, do jetë e barabartë me tokën që familjet bujqësore apo individët përdorin për veprimtari bujqësore.