Tarifat, vetëm nga kafe, bar e restorante do fitoheshin 3.2 mln €
Ideatorët e vjeljes së një tarife të posaçme në favor të së drejtës së autorit, përveç subjekteve që operojnë në fushën e medias, duket se kanë vënë në objektiv të kësaj “gjobe” të re edhe shumë biznese, të vogla e të mëdha, ku mund të transmetohen muzikë, filma të ndryshëm.
Sipas Vendimit të Zyrës për të drejtën e autorit, që është në vartësi të ministrisë shqiptare të Kulturës, të gjitha bizneset akomoduese, baret, kafenetë, fast food-et, dyqanet e qofteve (skarat), diskot, restorantet, etj duhet të paguajnë një tarifë fikse mujore, që llogaritet sipas kritereve, të cilat lidhen me kapacitetet, orarin e shërbimit, etj.
Agjencitë e së drejtës së autorit, të grumbulluara në një sportel unik, sipas Vendimit, po të nisesh nga tarifat, por sidomos nga përhapja në vendin tonë e aktiviteteve të tilla, që i gjen, jo vetëm në çdo qendër të banuar të Shqipërisë, por edhe me një dendësi të jashtëzakonshme.
Sipas INSTAT-it, në 2015-n, viti i fundit për të cilin ofrohen statistika zyrtare për kategorizimin e biznesit, numri i bar-kafeve në vend ishte 13.6 mijë. Natyrisht, këtu fjala është për bizneset e regjistruara, pasi vështirë se përfshihen të gjitha fshatrat, ku nuk mungojnë kafenetë.
Po sipas INSTAT-it, nga ana tjetër, numri i restoranteve në fund të 2015-s ishte 4.061.
Shqipëria mund të jetë një nga vendet me të ardhura më të ulëta për frymë e pagat më të vogla në Europë, por kjo nuk e pengon atë të jetë shteti i dytë në botë, pas Spanjës, për numrin më të lartë të bar-kafeve për 100 mijë banorë.
Teksa në vend kishte gjithsej 104 mijë biznese në fund të 2015-s, në mënyrë unike, rreth 18% e totalit të bizneseve në Shqipëri rezultojnë bar-kafe dhe restorante. Një gjë e tillë është konstatuar edhe nga vizitorët e shumtë të huaj, që vijnë në vend si turistë.
Sipas kategorizimeve të ndryshme, që parashikon vendimi i tarifimit për efekt të së drejtës së autorit, tarifat do të varjonin nga një minimum prej 750 lekësh në muaj, deri në 30.000 lekë në rastin e bizneseve me orëzgjatje më të madhe dhe me kapacitet më të lartë, që operojnë në zonën e kryeqytetit, ku ato janë më të larta.
Duke marrë parasysh faktin se tarifat e paraqitura janë mujore, atëhere llogaritë do të bëheshin për një shifër, që vetëm bare, kafe dhe restorante do të arrinte në 17.660 njësi. Pa llogaritur diskot, baret e hoteleve, etj.
Vetëm me këto biznese, po të merrnim një mesatare hipotetike – mendojmë se është e justifikuar – prej 2.000 lekësh në muaj (më pak se 1.000 lekë të vjetra në ditë), do të kishim një shifër totale prej më shumë se 35.3 milionësh lekë të reja. Kjo është shuma vetëm për një muaj. Duke vazhduar me këtë llogaritje, del se nga afro 18 mijë objektet e shërbimeve të tilla do të merreshin afro 424 milionë lekë të reja në një vit.
Shuma është ekuivalente me sasinë prej 3 milionë e 190 mijë eurosh.
Kjo shifër u shtohet “gjobave” që do t’u vendoseshin mediave, televizioneve, radiove dhe portaleve në internet, duke arritur në nivele marramendëse.