Tatimet sqarojnë biznesin: Ja kur do ja u caktojmë taksat nga zyra

Inspektorët e Tatimeve do të caktojë nga zyra taksat për të gjitha ato biznese, të cilat nuk do të dorëzojnë në kohë deklaratën tatimore.  Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka sqaruar përmes një njoftimi zyrtar rastet se kur do të përdor metodën e vlerësimit alternativ ndaj bizneseve. Ky vlerësim nënkupton llogaritjen dhe vendosjen e detyrimeve tatimore nga zyra, në një masë dukshëm më të lartë nga ato që biznesi duhet të paguajë realisht.

Sipas ligjit për proçedurat tatimore, në çdo rast kur një tatimpagues nuk ka dorëzuar  deklaratën e tij tatimore, ai njoftohet nga ana e administratës tatimore me anë të dokumentit “Letër Kujtesë”, për mos përmbushjen e këtij detyrimi.

Administrata tatimore i dërgon tatimpaguesit “Letër Kujtesën” brenda 5 ditëve kalendarike nga përfundimi i afatit ligjor të deklarimit, me qëllim për t’i kujtuar tatimpaguesit të dorëzojë brenda 10 ditëve të ardhshme kalendarike, deklaratën e padorëzuar, që i përket një periudhe tatimore.

“Në rast se mbas kalimit të afatit 10 ditor, nga data e nisjes së “Letër Kujtesës”, tatimpaguesi nuk ka plotësuar detyrimin e tij, për të dërguar apo dorëzuar në administratën tatimore deklaratën e padërguar për një periudhë të caktuar tatimore, administrata tatimore ka detyrimin të bëjë një vlerësim të detyrimeve tatimore të tatimpaguesit, sipas njërës prej metodave alternative, të parashikuara nga neni 72 i Ligjit,”- thuhet në njoftimin e Tatimeve.

Vendimi i pa ankimueshëm

Sistemi informatik do të nxjerrë një Njoftim Vlerësimi tatimor nga zyra, i cili i njoftohet automatikisht tatimpaguesit.

Ky Njoftim Vlerësimi nuk mund të ankimohet në Drejtorinë e Apelimit Tatimor, në rrugën e ankimit të akteve administrative tatimore. Tatimpaguesi ka të drejtë, që me marrjen e “Njoftim Vlerësimit” të bërë nga ana e administratës tatimore, sipas parashikimit të kësaj pike, të paraqesë deklaratën e tij tatimore.

“Vetëm në rastin e paraqitjes së deklaratës tatimore të padorëzuar më pare, me t’u bërë ky deklarim, automatikisht anulohet vlerësimi i detyrimit tatimor të bërë nga zyra prej administratës tatimore,”-sqarojnë Tatimet.

Por biznesi duhet të jetë i kujdeshëm, pasi nëse nuk e dorëzon deklaratën tatimore, brenda 30 ditëve nga data e marrjes së njoftim-vlerësimit tatimor nga zyra, administrata tatimore fillon procedurat e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore. Kjo procedurë ndiqet për çdo lloj deklarate tatimore e çdo tatimi lidhur me të. /SYRI.net/

Image

 

SHKARKO APP