Taulant Balla: Shqipëria nevojë për lidership që bashkon në një moment kyç për integrimin europian
Në kuadër të Kongresit Kombëtar të Lutjes 2026, të zhvilluar në Tiranë me temë “Udhëheqja në kohë të vështira”, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla mbajti një fjalë me temë: “Si të udhëheqësh kur nuk ke të gjitha përgjigjet”. Balla theksoi se Shqipëria ndodhet në një moment shumë të rëndësishëm historik dhe politik, në një kohë kur vendi po avancon me ritme të shpejta në procesin e integrimit europian dhe po përballet njëkohësisht me sfida globale, tensione gjeopolitike dhe polarizim të lartë shoqëror.
Ai u shpreh se pikërisht në këto momente testohet lidershipi i vërtetë: jo në kohë rehatie, por në kohë pasigurie dhe sfidash. Duke iu referuar edhe thënies së Martin Luther King Jr se “vlera e vërtetë e një njeriu nuk matet në momente rehatie dhe komoditeti, por në kohë sfidash dhe polemikash”, Balla nënvizoi se Shqipëria ka nevojë për liderë që bashkojnë dhe jo që përçajnë, që krijojnë besim dhe jo pasiguri.
“Procesi i integrimit europian është një provë e madhe lidershipi për Shqipërinë. Është e lehtë të flasësh për Europën; më e vështirë është të ndërtosh çdo ditë standardet europiane në institucione, në kulturën politike dhe në mënyrën si dialogojmë me njëri-tjetrin”, u shpreh ai. Kongresi Kombëtar i Lutjes 2026 mblodhi në Tiranë përfaqësues fetarë, personalitete politike, diplomatë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, në një aktivitet të fokusuar tek etika në udhëheqje, përgjegjësia publike dhe roli i besimit në kohë sfidash.
KOHA JONË SONDAZH


