Të blesh mish në Shqipëri është “luks”, Eurostat: Çmimi më i lartë në rajon
Sipas të dhënave të Eurostat, vendi ynë ka çmimin më të lartë të mishit në rajon, por edhe se disa vende të BE-së.
Indeksi i çmimit të mishit për vitin 2018 ka shënuar rritje në raport me një vit më parë, dhe kjo do të thotë se shqiptarët e thjeshtë e kanë më të vështirë për ta blerë.
Sipas përllogaritjeve, rezulton se në bazë të Paritetit të fuqisë blerëse, çmimi i mishit tek ne ka shënuar një indeks prej 71, nga 67.4 e mesatares evropiane që ishte një vit më parë.
Kjo e rendit Shqipërinë në vendin me çmimin më të lartë sipas fuqisë blerëse.
Eurostat ka përllogaritur nivelin e çmimit të mishit në BE dhe në vendet kandidate sipas paritetit të fuqisë blerëse. Mesatarja e BE-së merret niveli 100.
Ndryshe nga Shqipëria, Mali i Zi renditet vendi më i lirë në BE dhe në rajon, ku sipas Eurostat shënoi një nivel çmimi prej 61.9, duke u ndjekur nga pas nga Maqedonia e Veriut me një indeks prej 62.3, Serbia 67.4 dhe Bosnja 68.6.
Eurostat ende nuk ka publikuar të dhënat më të fundit për Kosovën, por një vit më parë niveli i çmimit të mishit atje ishte 67.9.
Çmimi i mishit shënoi një nivel më të ulët se Shqipëria dhe në disa vende Evropiane.
Kështu në Poloni, niveli i çmimit të mishit ishte 62.3, duke u renditur e treta, pas Malit të Zi dhe Maqedonisë Veriut, si më e lira sipas paritetit të fuqisë blerëse.
Vlera të ulëta janë shënuar edhe në Rumani, Bullgari dhe Lituani, të cilat janë gjithashtu vende anëtare të Bashkimit Europian.
Nivelet më të larta të çmimeve janë regjistruar në Zvicër, me një nivel 2.2 herë më të lartë se mesatarja evropiane, apo edhe Islanda me një nivel çmimi prej 165.
Në Itali niveli i çmimit të mishit është 119.5, ndërsa në Greqi 91.4. Monitor