Të Lumtë, Teuta Jonë!

Nga Jogji Kote

Pasditja e datës 5 Dhjetor 2014 ishte e veçantë për katedrën e Shkencave Politike në Universitetin e Lirë të Brukselit( ULB). Për herë të parë aty u zhvillua seanca publike për mbrojtjen e titullit “Doktore e shkencave politike” për bashkëatdhetaren tonë, Teuta Vodo. Ajo punon prej 5 vitesh si kërkuese shkencore dhe asistente pedagoge në katedrën e shkencave politike të këtij universiteti me emër.

 

Sfidë shkencore

 

Ceremonia publike pasoi seancën zyrtare me dyer të mbyllura të zhvilluar një ditë më parë, ku Teuta ia doli mbanë me sukses pas një maratone pyetjesh dhe diskutimesh nga juria prestigjioze ndërkombëtare e përbërë nga akademikë me emër të kësaj qendre të mirënjohur universitare. Kryetar i saj është Zv.Rektori i ULB-së dhe Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike dhe Sociale, prof.dr. Jean Michel; kishte dhe profesorë të njohur nga Parisi, Lila dhe Brukseli. Në sallë kishte studentë, ekspertë, miq dhe dashamirës, prindërit dhe familjarë të Teutës etj; ndërmjet tyre edhe Ambasadorja jonë në Belgjikë dhe në Bashkimin Evropian, Suela Janina; kjo e fundit, edhe pse ka vetëm 2 muaj në këtë detyrë, nuk mungon në ngjarjet dhe gëzimet e bashkëatdhetarëve tanë.

Siç e pohuan panelistët, vetë tema e përzgjedhur e historikut dhe evoluimit të gjakmarrjes ishte sfidë e vërtetë politike, qytetare dhe shkencore. Ata ndanë mendimin se autorja iu qas me një guxim qytetar dhe shkencor kësaj sipërmarrjeje gjigande akademike. Teuta e arriti këtë falë bagazhit dhe përgatitjes së të lartë teorike, burimeve të pasura referuese nga literatura e huaj, rrjedhshmërisë dhe qartësisë në formulimin e përgjigjeve, pasurisë së leksikut shkencor të përdorur, etj. Padyshim, komunikimi i përkryer në anglisht dhe frëngjisht gjatë kësaj seance por dhe zotërimi i gjuhëve të tjera evidentuan dhe më qartë kompetencën e saj të spikatur profesionale në shtjellimin e problemeve. Të gjitha këto të “veshura” me qetësinë, mënçurinë dhe mirësinë e natyrshme të Teutës, me modestinë dhe fisnikërinë që ajo rezaton kudo e kurdoherë. Bëhet fjalë për një intelektuale të re që krahas veprimtarisë së saj në Bruksel, gjatë viteve të fundit ka ligjëruar me autoritet në qendra të tjera të njohura akademike, në Montpelje, Romë, Milano, Pragë, Vjenë dhe gjetkë. Ndaj dhe juria ishte unanime dhe salla e priti me “standing ovations” vendimin për t’i dhënë zyrtarisht dhe me plot meritë gradën “doktore e shkencave politike.”

 

Histori suksesi:

 

Si gjatë mbledhjes dhe në koktejin e suksesit, u pohua se cilësitë dhe arritjet e shënuara të Teutës nuk janë vetëm trashëgimi e familjes dhe prindërve të saj shembullorë nga Divjaka e Lushnjes. Teuta, si rallë kush nga moshataret e saja, e ka kuruar vazhdimisht me shumë kujdes, vëmendje dhe përpjekje karakterin dhe itinerarin e saj jetësor dhe akademik. Pasi përfundoi shkollën e mesme në Lushnje, ajo u bë si e shtëpisë në Universitetin e famshëm Sapienca në Romë për shkencat politike dhe sociale, ku mori dhe masterin e parë shkencor. Por, Teuta kërkonte të “ pushtonte “ me fuqinë e saj të mënçur Evropën, bash në zemrën e saj, në Bruksel. Por, përkëtë, i duhej patjetër të njihte dhe traditat e famshme anglo-saksone. E ku kishte stacion më emblematik për këtë se kolegji i famshëm social-ligjor “ Kellogg” në Oksfordin e famshëm, vizitore e rregullt shkencore e së cilës ajo ka qenë gjatë viteve të fundit. Aty, ajo i shtoi ndjeshëm kredencialet e saj për në Bruksel.

Kryeqyteti politik i Evropës së Bashkuar në këto 5 vitet e fundit u bë destinacioni madhor, ku ajo shpalosi pa u lodhur aftësitë, dijet, përkushtimin dhe talentin e vet të spikatur. Duke pendeluar ndërmjet Brukselit, Oksfordit, Romës e Parisit, Teuta Vodo ia mbërriti realizimit të objektivit të saj të ndërmjetëm, mbrojtjen e doktoraturës në një universitet të tillë të njohur, me një konkurrencë akademike të theksuar.

 

Diplomate qytetare

 

Dashamirës dhe kolegë të saj tregojnë se pavarësisht nga angazhimet e shumta shkencore, Teuta ka ndjekur në vazhdimësi edhe zhvillimet politike dhe sociale në vend; ajo merr pjesë dhe flet me pasion edhe për punën dhe arritjet e miqve dhe shokëve të saj bashkëatdhetarë; ajo ka shkruar shpesh për to me shqetësimin qytetar; Teutën e dëgjon kur flet aq këndshëm për veprën e Kadaresë ashtu sikurse dhe nuk heziton të ngrejë probleme në takime të zhvilluara edhe në Parlamentin Evropian. Me guxim qytetar dhe intelektual, përpara një viti ajo i shkroi një letër Parlamentit holandez, ku argumentonte me fakte bindëse përse Shqipëria e meritonte statusin kandidat. Madje, përveç se në anglisht, atë letër ajo ua drejtoi edhe në gjuhën hollandisht. Kësisoj, ashtu si dhe shoqe e kolegë të tjerë jashtë vendit, Teuta jonë ka krijuar edhe profilin e një diplomateje qytetare, publike dhe të kulturës, që përcjell kudo ku shkon e ligjëron imazhin e vërtetë të vajzës dhe intelektuales shqiptare, që me punë dhe vepra është antarësuar me kohë në BE dhe në komunitetin e saj akademik dhe shkencor.

Duke marrë në dorëzim certifikatën e vyer të doktores së shkencave, me përulësinë dhe modestinë e saj karakteristike, Teuta i falenderoi të gjithë të pranishmit, edhe ne bashkëatdhetarët e saj. Në fakt, nisur nga ato që u përmendën dhe më sipër, jemi ne dhe dashamirësit e saj të shumtë që i themi me plot gojën:

Faleminderit dhe të lumtë, ty, Teuta jonë, suksese të mëtejshme në stacionet e tjera madhore të rrugtimit akademik shqiptaro-evropian!

 

SHKARKO APP