Të meritojmë respektin dhe drejtësinë ndërkombëtare
Nga Artur Zheji
Vendimi i djeshëm ishte i drejtë. Pikët e Kombëtares shqiptare ishin të merituara.
Sporti dhe rrahja brutale e lojtarëve përpara kamerave të të gjithë botës nuk kanë lidhje me njëra- tjetrën. Dhe kryeministri Vuçiç u harxhua më kot në protestat e tij. Ndonëse përfaqësoi humorin e vendit të vet, që po përjeton edhe ai, ditët e veta aspak nga më të mirat.
Në Shqipëri, kuptueshëm, vend ballkanik jemi edhe ne, dehja ishte e përgjithshme dhe gëzimi që jep vendosja e drejtësisë, po përjetohet me zjarrmi dhe brohorimë të hareshme.
Porse fare shpejt do të vijë ndeshja e kthimit në Shkodër. Dhe shpresoj të mos serbizohemi në tifozerinë tonë kuq e zi, ndonëse ia kemi frikën vetes në moskontrollin e emocioneve tona, simbas traditës ballkanase ku edhe ne bëjmë pjesë plotësisht.
Uroj pra që kur të vijë ndeshja e kthimit, të jemi të vetëpërmbajtur dhe “çunat” e Saimirit të jenë të shumtë në numër dhe të motivuar e vullnetmirë, e pra një gardh i pakapërcyeshëm i emocioneve foshnjarake, por shpesh të egra që ndërsen futbolli. Jo vetëm në Shqipëri e Ballkan, por anembanë botës.
Pikët e fituara nga Gjykata, duhen merituar edhe njëherë kur të jemi në rolin e mikpritësit. Sepse në tetor Kombëtarja serbe do të jetë në Shkodër dhe mendje perfide ballkanike mund të jenë duke ndërtuar një “dron” të ri, apo ndonjë rreng nga këto, që do të vinin në diskutim drejtësinë e vendimit të drejtë që sapo na u bë krah dhe ndëshkoi rëndë kundërshtarin.
Nga këtu buron një shtysë edhe më e gjerë reflektive.
Mbas vizitës pozitive të kancelares Merkel, në kulmin e krizës greke, kryeministri shqiptar kaloi çaste të bukura përkrah zonjës së fortë gjermane, ndërsa homologu i tij, Tsipras në Parlamentin Europian, u ndje si në një seancë gjyqësore divorci me dyer të hapura. Ku Tsipras ndjehej i mbërthyer në karrigen e tij, si një dhëndër që kish tradhtuar jo vetëm gruan Europë, por edhe krejt fisin e saj.
Duke krijuar pothuajse dhimbje.
Duke ndjekur këtë paralele, mund të themi se mbas një rrugëtimi të gjatë dhe pothuajse qindravjeçar, ku ne shqiptarët kemi përshkuar pothuajse të gjithë rrathët e Ferrit të Dantes, duket se kemi dalë më në fund në Purgator, ku, simbas Dantes, përmes ndëshkimesh, gabimesh e torturash, hedhim sidoqoftë hapa drejt Parajsës, që e thënë me gjuhën e sotme, hapa drejt standardeve europiane, që do t’i mbërrijmë sidoqoftë, brenda ose jashtë Bashkësisë Europiane.
Dhe pra, ndonëse nuk mund të themi se jemi të përkëdhelur, por sidoqoftë thjesht të “konsideruar”, ose më saktë seriozisht të konsideruar, si komb, si shtet dhe si entitet europian, duhet të rihapim një faqe të re detyrash, në përputhje me shkallinën ku jemi sot, e që dje veç e ëndërronim.
Duke filluar nga një përgjegjshmëri e re.
Pikësëpari ndaj vetes. Duke respektuar semaforët dhe rregullat e lojës.
Duke mbyllur më pas e sa më shpejt, rubinetet prej qaramani dhe ofshamat e gulçeve, për atë shumicë gjërash që na ndodhin, pikësëpari nga paaftësia për të qeverisur me dinjitet dhe ndershmëri vetveten.
Dhe sidomos nga paaftësia për vetëkontroll të ambicies pa kufi të klasës sonë politike. Së cilës i trembemi më shumë se çfarëdo gjëje tjetër në këtë fshatin tonë të egër, kur ca punë fillojnë e marrin për mirë.
Sepse është rrëfyer shpesh, një vrastare e pakuptimtë e pranverave shqiptare, aq shumë të rralla, të djersitura dhe të përvuajtura në vite.
MAPO