Të na rrojë “krushqia” PS-PD

HUMOR

Nga: Thoma Goga

Ka dy-tre ditë që s’më zë gjumi nga gëzimi. Ore si u pajtuan kështu ata politikanët e mëdhenj” që ishin gati të thereshin?! U gëzova sa nuk bëhet. U gëzuan dhe ata në çadër që deri dje ulërinin “Rama ik”. Ndërsa të enjten, duke u gdhirë e xhuman, puthnin Bashën dhe bërtisnin “Hajde Rama”. E rrotulloja “kokrrën e grurit” sa andej-këndej po nuk më shqitej nga mendja kjo lloj “mrekullie”. Si u pajtuan xhanëm? U turrë gjithë Europa, po këta të mëdhenjtë tanë, me nder jush, nuk pordhën fare. Për këtë ua pifsha dollinë. U bënë ata të na japin mendje. Shkonin e vinin “krushqit” e PPE po hiç. U shkund i gjithë Brukseli. Nga Kosova tha një llaf dhe Veseli. Ngrihej një kongresmen nga përtej oqeanit t’u mbushte rradaken. Njëri në çadër e tjetri në aeroplan, asnjëri nuk e çanë…Në hundë të njëri – tjetrit ishin dhe nuk e gjenin dot gjuhën. Fliste njëri nga balona:

– Ata janë tradhtarë të elektoratit blu dhe luftojnë për karriget e tyre.

– Narkotrafikantët, të korruptuarit do të marrin fund se po lulëzon “Republika e re”. Do ta shikoni pas 18 qershorit…- ia priste tjetri nga çadra, aty poshtë dritares së kryeministrit. Era e parfumit “Shurra” mbushte bulevardin…

Kaluan kështu 90 ditë dhe unë nuk e mora vesh ku flinte lepuri. Si dolëm nga “Republika e Vjetër” dhe si hymë tek kjo “e reja”? Njerëzit vrisnin mendjen. “Hall për mall e hall për hall”, i thonë kësaj. Zgjedhjet afroheshin nga ora në orë. Po ja, mrekullia ra nga qielli. Dhe me këtë i treguam Europës plakë dhe Amerikës se politika jonë nuk është kurvë… Tashti kjo e fundit ha ca pyka, pasi hollë-hollë duhet parë me kalem në dorë…Duke vrarë mendjen për këto, kur më erdhi Çeçua im si me porosi. Fryma i mbahej, në surrat – lulëkuqe.

-Ore, e vërtetë është që u puthën ata…, – ma preu me të parën Çeçua që ka punuar ca kohë si ndërzyes në kooperativën e fshatit Qiras.- Nuk kam asnjë haber se, helbete pa drita jemi në stan. Pa më thuaj, ç’bënet këtej nga stani i madh?…

– Ulu, ta marrim shtruar, – e qetësova unë. – Hedhim dhe nga një gotë se në fund të fundit, për të mirën e popullit u puthën…

– Këtë e marr vesh unë, po kush ia futi njëri –tjetrit?- ia bëri Çeçua dhe teken e parë e hodhi me fund.

Nuk dija çfarë xhevapi t’i jepja. Ai i “çadrës” ulërinte si kaposh shqerak s’e “nuk do bënte asnjë lëshim”. Dhe sikur të donte, ata që ishin në çadër s’e linin. Keq e kishte me ata poshtë, më keq me “ATË” lart. “Kaposhi matkuar”, sikur të ishte doktor, “ia ngatërronte keq ilaçet”. Eh, të shkretët “pula” që rrinin në shesh. Duke vrarë rradaken për t’i dhënë një përgjigje Çeços, më shkoi mendja te ajo pyetja; kush e bëri; veza pulën, apo pula vezën? Më kujtohet një nga ato përgjigjet që ngjan si teori konspiracioni. Filozofët vranë mendjen dhe gjetën zgjidhje; në këtë rast duhet pyetur kaposhi. Po cili kaposh; ai i “shpirrosuri” apo ai “matkuari”. Ia përdrodha llafin afërsisht kështu Çeços, po ai si usta i “ndërzimit”, nuk e pranonte dhe hodhi teken e dytë.

– Ta thom unë. – filloi Çeçua.- Ata të huajt na e morën të keqen. Nuk na e futën dot. Këta dy të mëdhenjtë e politikës tonë mbenë vetëm në një konak pa kamera. As sekretar, as mestar… Me të dëgjuar e kam; aty këta dy babaxhanët tanët vazhduan teorinë e llastikut. Hiq njëri e hiq tjetri, llastiku u këput. Brekët ranë në tokë. Thonë që u mbyllën dhe dritat. Aty pastaj, o Çome vëllai, vate film pa para …

-Rri o Çeço, të kam rixha. Mos ia fut si kau pelës.

-Hë, ku ma gjen “si kau pelës”, po unë kam frikë se ia futën si gomari pelës. Dhe e di çfarë del? Mushkë. Prandaj na janë shtuar kaq shumë mushkat…

-Lëri Çeço këto romuze, se nuk jemi kafshë.

-Lëre ti ore, që më thua se “politika jonë nuk është kurvë”. Po s’qe kurvë, është putanë… Kësaj i thonë; u mbars mali e polli një mi. Edhe me këta një gjë do dalë. Unë thom mos na daltë kopil, se pastaj ç’emër t’i vëmë, mo? Emër trimi? Jo se jo. Apo t’i këndojmë atë këngën ”Emër trimi domosdo…”. E ç’trim, o mavri! Edhe trim, edhe kopil nuk shkon…

-Atë e di Europa, -bëra sikur ta zbusja byrazerin dhe e ftova të ngremë një dolli për “krushqinë” e re.

-Mirë e ke, – më doli në krah Çeçua, që i thirri rradakes pas dopios së tretë. – Po na doli dobiç le ta mbajë Europa, se ajo rrospia e vjetër i ha mirë pykat dhe shton kopilat…

SHKARKO APP