Të ndalim vrasjen e punës
Në Shqipëri duket se mbisundon mentaliteti se grantet, kreditë, huatë, ndihmat që vijnë nga jashtë janë më të rëndësishme se burimet e brendshme për zgjidhjen e problemeve që ka vendi. Ky është iluzion i gabuar, pasi i thonë një fjale të urtë: “nuk mbahet shtëpia me miell hua”. Ata që marrin bukën dhe ushqimet me listë e dinë ndoshta më mirë se politikanët se, çdo gjë që merret borxh, duhet kthyer mbrapsht një ditë, së bashku me interesat. Në kohën e “qeverive te rrumpallës”, madje po bëhej trend se të jesh i suksesshëm, do të thoshte të gjeje sa më shumë borxhe. Kishte “filozofë” të ekonomisë që lëshonin ide se këto borxhe edhe mund edhe të mos ktheheshin dhe si shembull sillnin borxhet e Titos për ish-Jugosllavisë, apo ato të Greqisë sot. Ministrat e Saliut rropateshin institucioneve financiare dhe zyrave të qeverive perëndimore, pa harruar asnjëherë edhe dyert shteteve arabe, duke kërkuar borxhe, grate e ndihma. Qeveritë e lypsave u bënë aq të pafytyrë e të payndyrë, ndaj njëri pas tjetrit shtetet perëndimore filluan tua mbyllin dyert. Mjaftuan disa mospagesa në kohë të kësteve të kredive, apo disa anulime tenderësh e privatizimesh, si ai i hekurudhës Tiranë-Durrës , Telekomit, CEZ-it etj., dhe financat u morën rrokullimën, sa nuk kishin më para as për pagat e buxhetorëve. Më pas, iu lëshuan rrjepjes së bankave të nivelit të dytë, Banës së “Fullanit” dhe më skandalozja iu lëshuan vjedhjes së biznesit, duke vrarë masivisht punën në vend.
Qindra biznese që ndërtuan rrugë e ura me tendera të fituar e më para të marra hua nëpër banka falimentuan, pasi kryenin punët, por Qeveria nuk i paguante. Mijëra të tjerë prisnin borxhet e akcizave dhe TVSH-së, që nuk i mbërrinin kurrë. Nëpër rrumpallhanen e këshillave të komunave dhe bashkive, ku mesatarja shkollore është 5 vite, dhënia e lejeve të ndërtimit u bë mollë sherri mes të majtëve dhe të djathtëve, çka i çoi ato në paralizë, duke shkatërruar punën ndërtimore dhe duke shteruar edhe vetë arkat e tyre. Leja e ndërtimit quhet luks i madh, ndaj ato janë kthyer në tregti me kosto asfiksuese korrupsioni për sipërmarrje, deri në 25-30%. Bujqësia, minierat e turizmi u lanë në mëshirë të fatit, të barbarisë e kaosit. Kështu, gjithë ekonomia jonë u drejtua drejt greminës së dytë me demoktarët. Kjo, sepse puna e prodhimi brendshëm, gjeneratori kryesorë i gjithë ekonomisë, i gjithë të ardhurave, gjithë të mirave materiale e gjithë burimeve jetësore të vendit u vra masivisht pa mëshirë dhe në mënyrën më të papërgjegjshme të mundur. Vendet e “varfra” perëndimore nuk e kanë këtë luks që t’u shkojë mendja, jo më “ta vrasin”, po as t’i fusin ndonjë gjemb në këmbë punës dhe bizneseve që e gjenerojnë atë. Përkundrazi, puna dhe prodhimi i brendshëm është prioriteti absolut i çdo qeverie, është gjëja më parësore për hapjen e rrugës së të cilës angazhohet çdo qelizë e një kabineti qeveritar apo komunar.
Në Shqipëri, tash një vit e këtej, gjërat kanë ndryshuar dhe njerëzit i janë kthyer besimit e shpresës për t’iu rikthyer punës. Shqiptarët, por dhe të huajt, si italianë, grekë, emigrantët dhe shumë europianë të tjerë dëshirojnë të investojnë këtu, duke synuar pikërisht të përfitojnë nga tregu i punës dhe taksat e ulta. Po,sa e shohim sot Qeverinë e re dhe Opozitën qeverisëse vendore të kujdesën për mosprekjen e vendeve ekzistuese të punës dhe në riaktivizimin e vendeve të reja në gjithë territorin. Sigurisht, nuk është qeveria lokale e qendrore gjeneruesi kryesor i vendeve të punës. Në afro 80% është biznesi. Por këto dy qeveri kanë në dorë pengimin, ndalimin, apo ringjalljen e punës përmes ligjeve e reformave. Mirëpo, me keqardhje shpesh konstatojmë se reformat e domosdoshme dhe jetike që ka ndërmarrë Qeveria qëndrore nga njëra anë, dhe braktisja e punës nga qeveria vendore nga ana tjetër, po shoqërohen fatkeqësisht me mbylljen e shumë vendeve të punës, sidomos në sektorin e ndërtimit. Kulmi është kur dëgjon se Bashkia e Tiranës, apo dhe bashki të tjera, nga paaftësie a papërgjegjshmëria edhe pse i kanë paratë, nuk arrijnë të realizojnë as 65% planin e investimeve, për të kryer punët që u detyrohen qytetarëve. Këta duket se mendojnë akoma se do të ushqehen njerëzit me marrëzitë politike të Saliut! Gjithashtu, ngërçi disa vjeçar i lejeve të ndërtimit dhe tani ndalimi krejt i tyre, është bërë asfiksues për ekonominë e vendit. Ndërtimi tërheq më vete një zinxhir të gjatë të ekonomisë dhe ndalimi i tij është dramatik. Ndalimi i masakrës urbane të “qoftëlargut e rrumpallës” ishte po ashtu domosdoshmëri jetike për të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Por nuk e besonim kurrë që zgjidhja do të gjendej në ndalimin total të ndërtimeve, çka do të thotë paralizë totale të afro 30-35% të ekonomisë së vendit. Kush ka krijuar idenë se Shqipëria është e ngopur me ndërtime, bën gabim të madh, pasi një gjë e tillë jo vetëm nuk është e vërtetë, pasi nga njëra anë vendi sapo ka nisur të ndërtohet dhe nga ana tjetër, nuk ka pse të mos rritet konkurrenca dhe nuk ka arsye që shqiptarët të vijojnë t’i blejnë kaq shtrenjtë shtëpitë. Sot i blejnë shtrenjtë sepse të marrësh një leje ndërtimi është dramë, sepse ndërtimeve krahas kostove të tyre, u shtohen edhe afro 25-30% taksa korrupsioni, sepse janë rritur kostot e çdo gjëje tjetër që nuk ka lidhje me punën ndërtimore, por vetëm me kostot e zyrave.
Nëse dy qeveritë do të vijojnë që të na rrisin dhe taksat, të shtojnë burokracinë, nëse do vijojnë tritolet, nëse do vijojmë të ledhatojmë korrupsionin,nëse do ta lejojmë Saliun të destabilizojë vendin, nëse mafia e drejtësisë do të vijojë të na mbajë peng, kapitalet dhe puna do ta braktisin Shqipërinë. Është naive të bazohet e ardhmja dhe zhvillimi i vendit tek borxhet apo dhe te fasonët, të cilat sot shyqyr që i kemi. Ata vërtetë na zgjidhin ndonjë problem të përkohshëm, por na largojnë kapitalet jashtë. Që të rilindim ekonominë, para çdo reforme, na duhet të mendojmë mirë se si të mos mbyllim asnjë vend pune, që të mos cenojmë prodhimin e brendshëm, i cili është zemra ekonomike e çdo vendi, që të riaktivizojmë resurset e vendit dhe energjitë krijuese të njerëzve tanë, pasi tash 25 vite puna e madhe e shqiptarëve po prosperon botën, por jo vendin tonë.