Të ndryshimit renegatë
Ben Blushi në Kuvend, nuk shpërtheu ndaj Edi Ramës, as e mori para si ia ka ënda Nikollës, thjesht artikuloi një qëndrim, i cili në fakt prej kohësh përtypet në dhomat e politikës shqiptare. Kjo historia e fjalës “burg”, e cila shoqëron çdo ligj të qeverisë që dërgohet në Kuvend, është shqetësuese, jo vetëm në të djathtë, por edhe tek shumica. Nën zë me shumë deputetë apo ministra që më kanë rënë rasti të bisedoj, fryma burgosëse është e pështirë.
Aleatët e PS-së nuk e kanë fshehur rrudhjen e buzëve për këtë kërcënim mbarëqytetar, Ben Blushi guxoi dhe e tha në Kuvend.
Rama nuk përtoi t’i tregonte atij dhe shumë të tjerëve që rrinin ballë tij kokëulur se kjo është e folur alla opozitë. Me këtë kundërpërgjigje që rrëfen pushtet, forcë, kërcënim, Rama besoj se e ka fjetur mendjen që ka vënë rregull në të tijtë. Pikërisht këtu dua të ndalem pak, tek “rregulli” dhe tek “të tijtë”.
Partitë politike shqiptare janë të mbushura me histori “tradhëtish” dhe “renegatësh”. Kur udhëheqësit nuk i pëlqen mendimi ndryshe, shpall armiqtë, militantët e ndjekin me pathos dhe largohen nga rradhët “të ndryshmit”.
Më pas ndaj tyre nis fushata e denigrimit të plotë moral, politik, ekonomik dhe pas do kohësh ripeshkimi. Ky është një proces i njohur në të gjitha anët e politikës.
Fjala vjen, Gramoz Pashko, Genc Ruli, Neritan Ceka, Arben Imami, Genc Pollo kanë kaluar në këtë kalvar, vetëm se ishin “të ndryshëm” ose mendonin “allasoj”.
Në të majtë këtë rrugëtim e ka kryer disa herë Ilir Meta, por edhe Petro Koçi, Gaqo Apostoli, Paskal Milo e plot tjerë. Veçse, në një situatë të ngjashme ka kaluar edhe vetë lideri suprem, Edi Rama. Besoj se shumëkush kujton fushatën e tij në degët e partisë, kur paraqiste një alternativë ndaj Fatos Nanos.
A thua e mban mend vetë Rama, kur e degjeneronin militantët në Koplik apo një natë para se të bëhej kryetar si ia rrëzuan Gramoz Ruçit dokumentin politik që kishte firmën e tij me “R” të madhe.
Zbehtë duhet ta kujtojë, përderisa dje, vetë u soll me “të ndryshmin” si janë sjellë dikur me të, përbuzës, fuqiplotë, arrogant do të thoshte Arvizu. Do ketë vazhduar më vonë me mesazhe a fjalë në vesh: “Legen ky Blushi. A pe si ju gafura?” dhe do ketë marrë përgjigje: “Ja mbylle gojën shefo. Komplet legen. Ti e bone edhe deputet”.
Në këtë rast udhëheqësi duhet marrë me të mirë. Fiton ai që i thotë atë që udhëheqësi pëlqen të dëgjojë, sepse lideri ka një problem të vogël me ndërgjegjien, ka një fije dyshimi, ndaj “të bindurit” duhet t’ia davarisin edhe atë pakëz dyshim që qëndron në qoshe. Duhet t’ia vdesin dilemën.
A nuk ishte tëpkë e njëjtë puna e “marionetave” apo ideja e përjashtimit të deputetëve “besëpremë”? Kjo vjen nga bindja se “i ndryshmi” është shqetësues, është arrivist, është i rrezikshëm dhe ka gjasa të jetë, por ai mund të jetë “i ndryshëm” edhe pa dashje.
Fjala vjen në cilin vendim politik të grupit parlamentar socialist është thënë që fjalën “burg” duhet ta mbështesim pa mëdyshje? Apo në cilin vendim politik të grupit opozitar është vendosur që bojkoti duhet të ndodhë dhe të ndodhë kaq gjatë që ta dinte edhe Astrit Patozi?
Askund. Thjesht udhëheqësi e ka ndarë mendjen, ka menduar se kjo nuk mund të vihet në diskutim nga “të tijtë”, sepse ata janë “të tijtë”, si bariu ka delet a lopët. Në këtë rast Blushi mund ta ketë menduar me dorë në zemër që derisa të tërë e thonë tek kafja e Parlamentit se kjo puna e burgut po na çon tek drutë, unë pse mos ta them në foltore? E tha, e pësoi.
Mospërfillja e “të ndryshmit” në forcat tona politike është padyshim kujtesa e gjallë e së shkuarës, e pluralizmit topall të Ahmet Zogut dhe monopartizmit të komunistëve, ku deputetët opozitarë u vranë.
Udhëheqësit tanë ndoshta nuk e dinë që në ’90 nuk u fitua vetëm pluralizmi partiak, por dhe ai i mendimit, i cili u zbeh, sepse i pari që e përdhosi ishte Ramiz Alia, teksa e përdorte si As nën mëngë
Enkel Demi