Të ndryshosh rrëfimin mbi emigracionin…

 

Nga Entela Binjaku

Shqipëria është një vend i ish- Lindjes Komuniste që u përfshi që prej fillimit të viteve ‘90 nga disa valë të emigracionit, gjë e cila bëri që me qindra mijëra shqiptarë të zhvendoseshin nga vendi i origjinës dhe të vendoseshin në vendet e reja, të quajtura tashmë, vende pritëse.
Kjo dukuri vazhdon ende; vetëm në 6 muajt e fundit media ka raportuar mijëra shqiptarë që vërshojnë drejt Gjermanisë me kërkesën për azil. Shumë nga emigrantët e fillimit të viteve ‘90, por edhe të tjerët më pas, kanë krijuar familjet e tyre ndaj sot do të duhej të flisnim për brezin e dytë të emigrantëve.
Pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë janë vendosur në vendet fqinje, Greqi dhe Itali, me ekonomi të përfshira tashmë nga kriza, gjë e cila ka bërë që shumë prej tyre të kthehen në Shqipëri duke rifilluar edhe njëherë ciklin e integrimit, por tashmë në vendin e origjinës. Emigrantët e rikthyer vijnë me përvojë pune, me profesione të mësuara dhe të ushtruara, me një sfond të brishtë personal dhe familjar, ndaj dhe organizimi dhe orientimi i tyre në tregun e punës, integrimi në jetën shoqërore vendase, kërkon një shkallë të re të ndërgjegjësimit edhe të të gjithë shoqërisë. Emigrantët e pajisur me dokumenta dhe të punësuar në vendet ku janë vendosur përballen me sfidën e punësimit dhe papunësisë, të integrimit në këto vende, ndaj shumë prej tyre nevojitet të organizohen në lëvizjet sindikaliste në ato vende, gjë e cila do t’i ndihmonte të integroheshin në shoqërinë e re.
Sot Evropa përballet me sfidat e reja të emigracionit të cilat kërkojnë një përgatitje të re për përballimin e problematikave që i shoqërojnë. Angazhimi në rrjete të lëvizjes sindikaliste, siç është ai i Union MigrantNet i ngritur mbi anëtarësimin e rreth 500 anëtarëve të saj, ndër të cilët edhe lëvizja shqiptare sindikaliste, bën të rritet shkalla e pjesëmarrjes në të gjitha aksionet që ndërmerr ky rrjet në të mirë të të drejtave të punëtorëve emigrantë në vendin ku punojnë dhe jetojnë.
“Të ndryshosh rrëfimin e emigracionit për një shoqëri më gjithëpërfshirëse,” ishte tema e Konferencës së Dytë Ndërkombëtare të Shërbimeve Sindikaliste për Emigrantët e cila u zhvillua në javën e tretë të muajit të qershor në Bruksel.
Kjo konferencë dy-ditore shënoi edhe fazën përmbyllëse të projektit, “ETUC A41-Iniciativa e ETUC-ut për ngritjen e Rrjetit Evropian të Ndihmës për Integrimin e punëtorëve emigrantë dhe të familjeve të tyre”. Konferenca që u mbajt në disa gjuhë kishte në qendër zhvillimet në kuadër të një qasjeje të re ndaj emigrimit, integrimin dhe njëkohësisht me të, edhe për përpjekjet kundër diskriminimit. Në këtë takim morën pjesë edhe përfaqësues të lëvizjes sindikaliste të Shqipërisë të cilët ishin pjesëmarrës edhe në të gjitha tryezat e diskutimeve që lidheshin me sfidat që punëtorët emigrantë kanë në hapësirën ku jetojnë e punojnë. Si një vend me një numër të lartë emigrantësh dhe që po përballet edhe me sfidat e emigrantëve të rikthyer, përfaqësuesit e lëvizjes sindikaliste nga Shqipëria paraqitën në debatet e organizuara situatën që karakterizon problematikat e emigrantëve shqiptarë.

Në këtë konferencë referuan përfaqësues të organizmave më të rëndësishëm ndërkombëtarë nga Parlamenti Evropian, drejtues të lartë të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, drejtues të Komisionit të Emigracionit dhe Punëve të Brendshme të BE-së , të Lëvizjeve Sindikaliste më të njohurat në Evropë , të Komitetit Social Ekonomik Evropian, të forcave të ndryshme politike brenda Parlamentit Evropian, të Komitetit të Emigracionit të ligjshëm dhe të Integrimit në BE etj.
Në themel të diskutimeve të tyre ishin nevoja për të rregulluar dhe dokumentuar kontributin e emigrantëve të cilët kontribuojnë mjaft në ekonominë evropiane. Nevoja për të nxjerrë emigrantët nga ekonomia e zezë, trajtimi i tyre me dinjitetin e të barabartë të qenies njerëzore, pavarësisht se nga vijnë nga Afrika apo Evropa, nevoja për të dokumentuar atë kontribut që ata japin në ekonominë evropiane etj, ishin të tjera çështje që u diskutuan.
Në fjalët e mbajtura në këtë konferencë u theksua edhe njëherë bindja se “emigrantët nuk i marrin punën askujt, ata bëjnë shumë punë që të tjerët nuk i bëjnë”, se emigracioni ka nevojë të lejohet në më shumë fusha, dhe jo vetëm në disa, se emigracioni ka nevojë për bashkëpunim për rregullim ligjor etj.
“Unioni Migrant Net” në kuadër të të cilit u organizua kjo Konferencë ka nisur fillimet e veta që në vitin 2013. Siç edhe Sekretari i Përgjithshëm i ETUC-ut z. Luca Visentini u shpreh: “në 18 muajt e tij ky rrjet u njoh me shumë njerëz duke marrë nga të gjithë mendimin se rrjeti ishte një mundësi për integrimin e emigrantëve dhe se vetë lëvizja sindikaliste mund të shërbente si një mundësi për të ndihmuar emigrantët të integroheshin”.
Sot në Evropë gjenden 20 milionë emigrantë që jetojnë në territorin e saj pa marrë parasysh në këtë shifër edhe emigrantët e natyralizuar dhe brezat e dytë të tyre.
Numri i lartë i emigrantëve në hapësirat evropiane shtron në të njëjtën kohë edhe nevojën për përballjen me kompleksitetin e çështjeve që i shoqërojnë. Kontrolli i kufijve, rikthimi i emigrantëve, seleksionimi i fluksit nuk kanë rezultuar si zgjidhje për reduktimin e numrit të tyre. Më shumë se kaq, nevojitet rregullim ligjor që do të çonte në gjetjen e rrugëve të duhura për krijimin e strehave të përshtatshme për kategoritë e brishta të emigrantëve siç janë gratë dhe fëmijët, për sisteminim e më pak të arsimuarve, për punët pak të paguara, gjetjen e zgjidhjeve për njerëzit me të ardhura të pakta.
“Të ndryshosh rrëfimin e emigrantëve do të thotë që shoqëritë evropiane të njohin më mirë me atë çfarë emigracioni nënkupton për ekonominë dhe për shoqërinë evropiane.”
Emigrantët po pengojnë rënien e popullsisë. Me punën e tyre po ndikojnë në një ekonomi më të qëndrueshme dhe me taksat që paguajnë i japin ekonomisë evropiane një kontribut të vyer.
Në fund të saj, konferenca përforcoi edhe njëherë bindjen se lëvizjet sindikaliste që kanë në qendër të punës së tyre trajtimin e barabartë të punëtorëve, duhet të kontribuojnë në mënyrë aktive për një shoqëri më kohezive, në ndihmë të harmonisë multi-etnike, dhe në shërbim të drejtave të punonjësve për dinjitet dhe rregullim ligjor të aktivitetit të tyre.
Në këtë konferencë pjesëmarrësit dolën me një angazhim të qartë për më shumë bashkëpunim mes vetë aktorëve pjestarë të rrjetit “Union Migrant Net” për standarde të larta të bashkëpunimit mes tyre.

Në konferencë ishin të ftuar ndër të tjerë, pjesëtarë të lëvizjeve sindikaliste të Shqipërisë, Moldavisë, Malit të Zi, etj, me qëllimin që të kenë mundësinë të njihen me praktikat e vendeve më të përparuara e me më shumë përvojë në këtë drejtim. Konferenca ishte një mundësi e mirë shkëmbimi përvojash, idesh dhe shqetësimesh, debatesh e referimesh sepse siç edhe znj. Belinda Pyke, Drejtore për Emigracionin dhe Lëvizshmërinë, në Komisionin e Bashkimit Evropian, do të shprehej: “fjalët kanë rëndësi”!

 

SHKARKO APP