Të pathënat rreth udhëtimit diplomatik të Abdyl Frashërit

Nga Nuri Dragoj/Me gjithë përpjekjet e atdhetarëve për të shmangur përgjysmimin e trojeve shqiptare, Kongresi i Berlinit i zhvilloi punimet duke u shndërruar në një thertore, ku Shqipëria u copëtua barbarisht për të shuar oreksin e fqinjëve. Kjo bëri që pas punimeve të atij kongresi famëkeq, kryengritjet shqiptare të rifillonin me intensitet edhe më të lartë. Shqiptarët ishin bërë gati për kryengritje kundër vendimeve të Berlinit, por ato sabotoheshin nga politika greke, e cila pengonte të krishterët për të marrë pjesë. Për të thyer murin e krijuar nga propaganda helene, elementë myslimanë kërkonin të merrnin me detyrim në radhët e luftëtarëve edhe ortodoksët shqiptarë, që nuk pranonin të luftonin. Madje, ata përpiqeshin t’i vinin përpara, me qëllim që të mos kishin mundësi largimi. Ky relacion tregonte acarimin e marrëdhënieve midis shqiptarëve, pasojë e punës përçarëse të fqinjëve.

Lidhja e Prizrenit funksiononte si një qeveri e rregullt dhe kishte ngritur komisione për punët e jashtme, për punët e brendshme dhe të financës. Abdyl Frashëri, në krye të komisionit të jashtëm, luajti rolin kryesor për idenë e organizmit dhe frymëzimit të lëvizjes kombëtare.

Lidhja shqiptare ishte venë në dijeni për mbledhjen e Kongresit të Berlinit, i cili do të diskutonte çështjen e kufijve greko-turk në dëm të trojeve shqiptare, ndaj vendosi të dërgonte në Romë e Paris Abdyl Bej Frashërin dhe Ali Bej Vrionin. Ata duhej t’u paraqisnin qeverive italiane dhe franceze kërkesën që të mos lejonin Berlinin të cenonte interesat kombëtare të shqiptarëve.

Abdyli punonte për t’ia bërë perandorisë fakt të kryer krijimin e shtetit shqiptar. Në muajin tetor të vitit 1878, nën kryesinë e Iliaz Pashës u mblodhën në Dibër disa delegatë, midis të cilëve dhe Abdyl Frashëri. Në atë mbledhje u vendos të dërgonin një përfaqësi në Stamboll për të biseduar me qeverinë për reformat që do të ndërmerreshin në Shqipëri. Si delegatë ishin caktuar Iliaz Pashë Dibra, Hasan Pasha, sheh Mustafa Tetova, Abdyl Frashëri, Mustafa Pashë Vlora, Abedin Bej Dinua, Mehmet Ali Bej Vrioni, Sabri Beu prej Gjirokastre dhe Mihal Kristua.

       Për të marrë takim me delegatët e Jugut, ishte caktuar Abdyl Frashëri. Ai bisedoi me të gjithë krerët dhe ata qenë shprehur të gatshëm, gjë që pasqyrohet gjerësisht në tekstin e letrës origjinale që Abdyl Frashëri i dërgonte Iliaz Pashë Dibrës nga Janina, më 20 dhjetor 1878.

Përpjekjet e Abdyl Frashërit përmenden dhe nga konsulli austriak në Vlorë, i cili shkruante se Abdyli ishte takuar me parinë e Vlorës dhe më 31 tetor 1878 ishte nisur për në Fier, i shoqëruar nga 27 vetë të armatosur. Madje veprimin e tij patriotik e kishin përkrahur dhe të krishterët.

 Lidhja e Jugut, me qendër herë në Gjirokastër e herë në Janinë, nën kryesinë e Abdyl Frashërit, mori masa për të ndihmuar vëllezërit e tyre në Veri, për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë. Porta e Lartë kishte rënë dakord që ato troje t’i jepeshin Malit të Zi. Krerët e saj, ku përmendet dhe Mihal Harito nga Përmeti, në korrik-gusht 1878 kishin vendosur të përgatisnin një fuqi të mjaftueshme ushtarake. Në rast nevoje ajo do të përdorej për mbrojtjen e trojeve shqiptare të Epirit dhe Thesalisë, të cilat synoheshin të merreshin nga Greqia. Për këtë, secili nga krerët merrte përsipër të mblidhte një numër të caktuar luftëtarësh. Nga treva e Përmetit do të mblidheshin 8 600 burra të armatosur. Ahmet dhe Dajlan Bej ishin zotuar të sillnin 5 000 luftëtarë, Abdyl Bej Frashëri 1 500, Ymer Metko 500, Ismail Bej Velçishti 500, Nexhip Zavalani 300, Nexhip Aga 500, Jahja Bej Zavalani 300.

Në peticionin e datës 11 janar 1879 që u dërgohej Fuqive të Mëdha nga Preveza, kundër vendimeve të Kongresit të Berlinit, në krye nënshkruan Abdyl Bej Frashëri, Mustafa Pashë Përmeti, Sabri Beu dhe shumë të tjerë nga Margëlliçi, Filati, Delvina e Tepelena.

Deputetët shqiptarë, Abdyl Frashëri dhe Mehmet Vrioni, i dërguan një memorandum qeverisë angleze në muajin maj të vitit 1879, ku shpreheshin kundër dhënies së Shqipërisë Jugore Greqisë. Sipas tyre, Epiri ishte tërësisht shqiptar dhe aty gjendeshin portet më të rëndësishme të Shqipërisë, si Preveza, Narta, Gumenica e Parga. T’i jepeshin Greqisë ato zona, do të thoshte që t’i dorëzoheshin çelësat e Shqipërisë. Për të realizuar synimet e tyre, politika greke organizoi banda kriminelësh të drejtuara nga oficerë që bënin presion mbi popullsinë ortodokse, për t’ju bashkuar një qëllimi të tillë.

Mobilizimi kërkonte shumë fonde. Prandaj paria e trevave jugore i bëri thirrje popullsisë të ndihmonin me të holla Lidhjen. Në Korçë u vendos të grumbulloheshin 8 000 lira turke, nga të cilat 2 500 prej popullsisë së qytetit dhe 5 500 nga ajo e fshatrave. Mbledhje të tilla u bënë edhe në Frashër të Përmetit, por konsulli anglez pohonte se nuk kishte të dhëna të sakta për shumën e mbledhur. Ambasadori anglez në Stamboll, George Goschen, më 30 gusht 1880 shqetësohej nga rregullat e forta që kishte caktuar Dega e Frashërit. Ai i shkruante ministrit të Jashtëm, Lordit Granvill, se “Corpus Legislatif” në Frashër kishte caktuar disa rregulla, sipas të cilave, të krishterët ishin të detyruar të shërbenin në ushtri. Përjashtoheshin vetëm ata që provonin se nuk ishin të aftë fizikisht. Por edhe në rastet që vërtetohej paaftësia e tyre, duhej të bënin përpjekje për të gjetur një zëvendës. Ndërsa po të konstatohej se ndonjë do të përpiqej t’i shmangej shërbimit me falsifikime, do t’u digjeshin shtëpitë dhe pasuria do t’u konfiskohej. Personi që i kundërvihej Lidhjes do të varej në litar.

Në mbrojtje të çështjes shqiptare

Udhëtimi diplomatik i Abdyl Frashërit, për në Europë, kryesisht Gjermani, Angli, Austri e Francë, kishte si qëllim moszbatimin e vendimeve të Kongresit të Berlinit. Deri tani nuk është mundësuar gjetja e dokumentit që saktëson kohën kur është zhvilluar takimi i tij me kancelarin gjerman Bismark. Dihet vetëm që atje ka shkuar me Mehmet Ali Vrionin. Gjithsesi, takimet e zhvilluara dhe shkrimet e publikuara në gazeta të huaja, i kanë bërë jehonë atij takimi. Ndonëse jo zyrtarisht, thuhet se Abdyli ishte takuar me Bismarkun, prej të cilit mori përgjigje negative. Del se kancelari gjerman nuk e njihte Shqipërinë, madje e konsideronte “një shprehje gjeografike” dhe pohonte se, “nuk ka kombësi shqiptare”. Këto vizita janë përcjellë edhe nga goja e popullit. Në trevat e Përmetit, por edhe më gjerë, këndohej shpesh kënga kushtuar takimit të tij me Bismarkun. Djalë nga je ti? / Unë jam nga Shqipëria, Abdyl Frashëri! / Ju lutem shikoni mirë, Ju për Shqipëri / Mos e bëni copa- copa, sikur s’ka njeri / S’jemi grekër, as bullgar, as nga Mali i Zi / Jemi vetëm shqipëtarë dhe duam liri / Të rritur në ato male, me libra në gji.

Jani Vreto shkruante se gjatë udhëtimit me misionin e diplomatit nëpër shtete të Fuqive të Mëdha, në pranverën e vitit 1879, Abdyli dhe Mehmet Ali Vrioni janë sjellë në mënyrë të arsyeshme, pa i bërë lajka askujt, por dhe pa mashtruar njeri.

Ishte koha kur patriotët shtronin problemin e marrjes së masave për të mbrojtur Janinën nga një pushtim i mundshëm grek. Për të shmangur një rrezik të tillë, ata besonin se mund të nxirrnin 70 mijë luftëtarë. Ndërkohë, politika greke e kishte thelluar veprimtarinë përçarëse. Qenë hapur fjalë se myslimanët do të bënin terror mbi ortodoksët e Janinës, ndaj u bë një takim me përfaqësues të krahinave të Jugut, ku merrnin pjesë partizanë të dy rrymave politike. Aty u mor mendimi i parisë lidhur me hapat që duheshin bërë në mbrojtje të Çamërisë dhe kërkesës drejtuar Stambollit për formimin e Shqipërisë. Shumica ranë dakord, por pati dhe nga ata që u tërhoqën. Gjithsesi, përpjekjet vazhduan. Abdyli punonte në disa drejtime, pasi ishte i ngarkuar nga Lidhja e Prizrenit për organizimin e jetës politike si dhe kryengritjeve të armatosura në zonën jugore. Ai mori pjesë në protestën e Lidhjes Shqiptare për Toskërinë në Prevezë, më 28 janar 1879, si dhe në memorandumin* e dërguar dy muaj më vonë. Të dyja këto dokumente, mbajnë në krye firmën e tij.

Më 26 mars 1879 ai i deklaroi konsullit francez se nuk shkonte në Paris me Mehmet Ali Vrionin për çështje private, por si përfaqësues të Lidhjes Shqiptare dhe të ngarkuar nga Kuvendi i Prevezës, me qëllim që të mbronin interesat e kombit shqiptar.

Në bazë të një telegrami që dërgohej nga Janina për dy fisnikët shqiptarë, Abdyl Beun dhe Mehmet Ali Beun, vihej në dijeni edhe Porta e Lartë. Thuhej se ata kishin menduar të shkonin në Romë e Paris, për t’i mbushur mendjen Italisë dhe Francës, që të hiqnin dorë nga ratifikimi i kufijve të Epirit. Por një sipërmarrje e tillë nuk shihej me sy të mirë në Janinë.

I njëjti ambasador raportonte më 8 prill se kishte marrë takim me dy shqiptarët. Ata do të shkonin në Francë dhe Austri për të kërkuar paprekshmërinë e Shqipërisë, brenda kufijve të Perandorisë. Madje i kishin thënë ambasadorit turk se shqiptarët do të luftonin si një trup i vetëm, në rast se Europa do t’i jepte Greqisë pjesë të trojeve shqiptare. Të njëjtën gjë do të bënin edhe sikur Porta e Lartë të ishte e detyruar ta pranonte një aneksim të tillë.

Shqetësimi i qeverisë ishte i dukshëm. Ajo nuk donte që të faktorizohej çështja shqiptare, prandaj vuri në lëvizje anëtarët e kabinetit të saj. Dy ditë më pas, ministri i jashtëm turk i shkruante ambasadorit se delegatët shqiptarë, si dy shtetas të perandorisë, në asnjë mënyrë nuk mund të hynin në marrëdhënie të drejtpërdrejta me qeveritë e huaja. Ai kërkonte që Abdyl Frashëri dhe Mehmet Vrioni të këshilloheshin dhe të hiqnin dorë nga misioni që kishin marrë përsipër. Ajo shihej si një çështje që i përkiste Perandorisë, e cila po e kryente me kujdes detyrën.

Ministri turk, të njëjtin telegram e dërgonte edhe në ambasadën e Perandorisë në Paris. Me anë të tij kërkohej tërheqja e dy shqiptarëve nga misioni, pasi qeveria nuk mund të lejonte njerëz të paautorizuar, të hynin në marrëdhënie politike të drejtpërdrejtë me qeveritë e huaja.

Më 12 prill të vitit 1879, ambasadori turk në Romë e informonte ministrin e jashtëm se porositë e Stambollit ua kishte transmetuar dy misionarëve shqiptarë. Por ata ngulmonin në zhvillimin e takimeve të parashtruara, pasi “vepra e tyre ishte në favor të Portës”. Qëllimi i vetëm ishte t’i shpjegonin Europës, në emër të popullit të tyre që vendimi për copëtimin e trojeve shqiptare ishte i padrejtë dhe se populli shqiptar do të luftonte kundër gjithkujt që kërkonte të pushtonte territorin e tij. Të dy shpreheshin të mendimit që Shqipëria do të vazhdonte të mbetej nën Perandorinë Osmane. Madje dy shqiptarët e shquar e shihnin pa vend kthimin në Shqipëri, pasi misioni do të quhej i dështuar dhe europianët do ta shihnin një nismë të tillë si komedi.

Dy diplomatët nuk u ndalën përballë presioneve të Portës. Dhjetëditëshin e parë të prillit, Abdyl Frashëri dhe Mehmet Vrioni mbërritën në Paris dhe bënë një takim me ministrin e jashtëm frëng, Vaddington. Në raportin e ambasadorit turk thuhej se ministri i kishte dëgjuar me vëmendje dy bejlerët shqiptarë. Ai shprehu mendimin e tij që, po t’i jepeshin Greqisë trojet shqiptare nga Preveza deri në Artë, nuk do të kishte ndonjë problem, pasi sipas tij, banorët e atyre trevave ishin kryesisht ortodoksë dhe flisnin greqisht. Por dy bejlerët shqiptarë e kundërshtuan Vaddington, duke e sqaruar se përdorimi i gjuhës greke dhe besimi ortodoks, nuk do të thoshte aspak që ata ishin grekë. Popullsia ishte shqiptare dhe banorët ishin ortodoksë shqiptarë, ndërsa greqishten e përdornin si gjuhë tregtare. Në fund të takimit delegatët i dorëzuan ministrit një promemorie, ku ishin shtjelluar vërejtjet e tyre.

Katër ditë më vonë, Safet Pasha u shkruante eprorëve të vet në Stamboll se dy delegatët shqiptarë ishin larguar nga Parisi, por nuk e fshihnin shqetësimin që ekzistonte për këtë çështje. Madje qenë të bindur se po të mos merrej parasysh kërkesa e tyre, dëshpërimi i shqiptarëve mund të shoqërohej me pasoja shumë të dhimbshme.

Ambasadori turk, në raportin dërguar Portës së Lartë nuk e shmangte mendimin e Abdylit, sipas të cilit, duke qenë nën presionin e Lidhjes së Prizrenit, Perandoria do të detyrohej të bënte disa reforma në Shqipëri. Ato do t’i përkitnin administrimit të brendshëm dhe do t’i siguronin popullsisë më shumë të drejta. Kjo bënte që edhe shqiptarët në thellësi të Greqisë, të bëheshin pjesë e shtetit të ardhshëm autonom shqiptar.

Frashëri dhe Vrioni shkuan edhe në Londër, ku u takuan me Lordin Selisborin, të cilit i shtruan shqetësimin e popullit dhe i dorëzuan një promemorie. Sipas ambasadorit turk në Londër, delegatët kishin dalë të kënaqur nga takimi dhe ishin nisur për në Berlin.

Për të dorëzuar promemorien te ministri i jashtëm gjerman ishte e nevojshme ndërhyrja e ambasadës. Pa ndihmën e saj nuk mund të realizohej një takim i mundshëm zyrtar. Ambasadori turk në Berlin i kërkonte udhëzime ministrit të jashtëm, për mënyrën e sjelljes me dy delegatët shqiptarë. Me telegramin nr. 24, datë 17 maj 1879, ministri i jashtëm osman e udhëzonte si të vepronte.

Pasi dorëzuan promemorien në zyrat e larta të Berlinit, Abdyli dhe Mehmet Ali Beu mbërritën në Vjenë. Edhe aty ambasadori turk, Et’hem Pasha, nuk i mbështeti sepse priste udhëzime nga Stambolli, në mbështetje të telegramit nr. 242, datë 24 maj 1879 që ishte dërguar prej tij. Ministri i Jashtëm osman, i shkruante dy ditë më pas ambasadorit të tij në Vjenë se qeveria perandorake nuk mund të lejonte shtetas të saj, për çfarëdo arsye, që të hynin në marrëdhënie politike të drejtpërdrejtë me shtete të huaja. Gjithsesi, nëse do të dëshironin të bënin ndonjë takim të nivelit më të ulët, siç ishte konti Andrashi, mund të shoqëroheshin nga sekretarët e ambasadës.

Më 9 janar 1879 Abdyli i shkruante Iliaz pashë Dibrës që delegacioni shqiptar duhej të nisej menjëherë për në Stamboll, pasi ishte duke u diskutuar çështja e Bullgarisë dhe Greqisë, si dhe mënyra e qeverisjes së Shqipërisë. Synohej ndarja e saj në disa vilajete. Qendrat e këtyre vilajeteve do të ishin: Janina, Selaniku e Manastiri. Ndërsa si gjuhë të vendit mendohej të njiheshin bullgarishtja dhe greqishtja. “Duhet shkuar sa më parë, pasi po të merren vendimet, – shkruante Abdyli, – vajtja jonë më vonë do të ishte e kot dhe dëmet shumë të mëdha”.

Në muajin qershor të vitit 1880, Abdyli shkoi në Stamboll dhe i kërkoi qeverisë perandorake të mos pranonte firmosjen e vendimeve të Berlinit. Mirëpo Porta e Lartë pranoi që Ulqini t’i jepej Malit të Zi. Pasi u kthye nga qendra e Perandorisë, patrioti frashërlli mbajti një fjalë të gjatë në Dibër, para më shumë se 1 000 vetëve, ku mallkoi armët që sillnin vëllavrasje dhe u bëri thirrje bashkëqytetarëve të tij, t’i linin ato dhe të bashkoheshin vëllazërisht. Abdyli i këshillonte bashkëkombasit të hiqnin dorë nga gjakmarrja dhe armët t’i përdornin kundër armikut, sepse vetëm atëherë kishin për t’i dalë zot nënës së përbashkët, Shqipërisë. Pas fjalës së tij, të pranishmit patën hedhur armët në tokë, si me urdhër, dhe bashkuan duart me njëri-tjetrin. Një veprim i tillë e kishte mahnitur dhe vetë Abdylin.

Perandoria Osmane, kur mësoi qëllimin e Abdyl Beut, i cili ishte “figura më e shkëlqyer në këtë ngjarje historike”, mori masa të forta për ta shtypur Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Por lufta vazhdoi dhe populli shqiptar nuk i lëshoi armët, gjë që e rriti prestigjin e tij. Ndërkohë luftërat bënë që të trokitej në ndërgjegjen e krerëve të kancelarive europiane, për pranimin e një shteti shqiptar të pavarur.

Në qershor të vitit 1880 në Frashër u organizua një mbledhje, qëllimi i së cilës ishte protesta ndaj lakmive greke për trojet shqiptare. Refat Frashëri për disa muaj qe bashkëpunëtor i afërt i Abdyl Frashërit. Ai kujtonte momentin kur zbriste nga Dhëmbeli për në Përmet, ku qe takuar me Abdyl Bej Frashërin, Rushan Bej Frashërin dhe Hasan Bej Kostrecin që udhëtonin për në Frashër, ku Abdyli drejtoi një kuvend ndërkrahinor të vilajetit të Janinës. Në të morën pjesë përfaqësues të Manastirit, Kolonjës, Kosturit, Janinës, Dangëllisë, Përmetit, Skraparit, Leskovikut etj.. Mbledhja trajtoi çështjen e mbrojtjes së kufijve dhe formimin e shtetit shqiptar. Aty qe i pranishëm dhe një zyrtar i Portës së Lartë, Jahja Bej Zavalani, që mbështeste lëvizjen shqiptare.

Krahinat e mësipërme raportonin se kishin regjistruar 13 000 vetë, të gatshëm për të luftuar më armë. Kjo tregonte se qenë thelluar përpjekjet për mbrojtjen e interesave të atdheut. Mbledhja zgjodhi një kryesi për drejtimin e punëve, në krye të së cilës u caktua Baba Ademi i teqesë së Melçanit për Korçën dhe Baba Alushi për trevat e anës së Frashërit. Jahja Bej Zavalani këshillonte dhe inkurajonte bashkatdhetarët e vet për të mos u tërhequr nga qëllimi i shenjtë. Diskutimet u përqendruan në çështjen e mbrojtjes së kufijve dhe formimin e shtetit shqiptar. Këto çuan në kryengritjet e viteve ‘80, të shekullit 20-të, të cilat luajtën nga themelet pushtetin absolut të perandorisë, duke sjellë në skenën historike zhvillime të reja për autonominë dhe Pavarësinë e Shqipërisë. Mbledhja vendosi që në Janinë të krijohej një qeveri e përkohshme. Madje u arrit deri aty, sa të bënin dhe emërime, duke caktuar kajmekam për Përmetin, Muhtar Bej Frashërin. U ra dakord që të njihej edhe kajmekami i Perandorisë, Mehmet Bej Goroshiani.

Megjithë rekrutimin prej politikës greke të disa prej krerëve shqiptarë, thirrja e Abdyl Frashërit për mobilizim popullor kundër qëllimeve pushtuese, u përkrah nga gjithë shqiptarët e Pogradecit, Ohrit, Korçës, Kolonjës e Përmetit. Në shtator të vitit 1880 deklarohej se shqiptarët mund të mobilizonin mbi 20 mijë forca të armatosura, me të cilat mbronin çdo qytet të jugut. Lëvizja bëri për vete edhe disa patriotë ortodoksë, si: Petro Meksin nga Gjirokastra, Dhimitër Hariton nga Tepelena, Llazar Luvianonin nga Përmeti etj., të cilët afronin dhe kontributin e tyre financiar.

Për të parandaluar rrezikun e shtrirjes së shtetit grek deri në Thesali, më 23 korrik 1880 u bë një takim në Gjirokastër, ku u shtrua çështja e krijimit të një qeverie shqiptare. Mbledhja pati rëndësi të madhe sepse aty mori pjesë edhe përfaqësia e ortodoksëve të jugut. Kjo tregonte që çështja e autonomisë ishte kërkesë mbarëshqiptare dhe pasqyrohej qartësisht në fjalimin e mbajtur nga Abdyl Frashëri.

Një muaj më pas u organizua një tjetër mbledhje në Përmet, ku u vendos që këto territore të mbroheshin me pushkë. Ky qëndrim e detyroi Portën e Lartë të mos e pranonte projektin grek, me argumentin se nuk donte të hynte në luftë me shqiptarët. Për më tepër, Janina ishte qytet shqiptar, ndërsa Larisa qytet i populluar me muhamedanë. Në këtë mënyrë lëvizja mori karakter mbarëshqiptar dhe kudo ndihej fryma e bashkimit. Këtë e pohonte dhe konsulli i Janinës, kur shkruante se kundër aneksimit shpreheshin edhe shqiptarët e krishterë, të cilët qenë të një mendimi me bashkatdhetarët e tyre myslimanë.

Duke parë qëndrimin e lëkundur të qeverisë osmane, në gusht të vitit 1880, Lidhja kishte vendosur të kërkonte autonominë dhe të mbronte me këmbëngulje trojet shqiptare. Në tetor ishte bërë një mbledhje në Dibër, ku qe vendosur të kërkohej autonomia e pavarur nga Turqia dhe kjo të deklarohej menjëherë. Por Abdyl Frashëri u kërkoi shokëve ta mendonin më shtruar një gjë të tillë. Sipas tij, shpallja e autonomisë ishte e domosdoshme, por qeveria mund të dërgonte forca të mëdha kundër shqiptarëve. Prandaj, para se ta deklaronin një gjë të tillë, do të ishte mirë të merrnin masa mbrojtëse, duke organizuar një fuqi të mjaftueshme, e cila do të ishte në gjendje të mbante pikat strategjike.

Sefulla Bej Zavalani shkoi në Frashër dhe këshilloi parinë që të mos sillte telashe për mbretërinë, sepse Janina nuk gjendej në rrezik. Për këto zhvillime u vu në dijeni dhe Abdyli që ndodhej në teqenë e Frashërit. Ai qe mërzitur pasi punët nuk vinin mirë dhe i dërgoi një letër Riza Pashës, kryesekretarit të sulltan Abdyl Hamitit, të cilit i kërkoi një takim me sulltanin. Duhej të shkonte vet në Stamboll dhe t’i shpjegonte shqetësimet që lidheshin me çështjen shqiptare. Kishte besim te Riza Pasha, pasi me të njihej nga afër. Rizai ia plotësoi kërkesën. Pas pak kohe mbërriti Hasan Bej Mesareja që solli iradén* e sulltanit në Frashër, me të cilën Abdyli ftohej në Stamboll, ku do të pritej nga kreu i Perandorisë. Mirëpo edhe pse mundi të shkonte, nuk e lanë të shpjegohej dhe në vjeshtën e tretë u largua nga Stambolli. Pasi siguroi fëmijët në Frashër udhëtoi për në Janinë. Baba Alushi i dha kalin e dhe dy trima për ta shoqëruar, Selfon dhe Abazin.

Në një mbledhje të zhvilluar në Dibër, në muajin shkurt 1881, Abdyli shtroi problemin e mobilizimit të një force ushtarake prej 15 mijë vetësh. Ai propozoi që t’u dërgohej ultimatum Greqisë, Malit të Zi dhe Stambollit, për mos pranim të copëtimit të trojeve shqiptare. Frashërlliu u tha të pranishmëve se nuk kishin çfarë të prisnin nga Perandoria, pasi ajo nuk dëshironte të bënte asgjë për Shqipërinë. Prandaj bënte thirrje për t’u bashkuar, gegë dhe toskë, se të gjithë qenë shqiptarë dhe duhej të punonin për Shqipërinë.

Porta e Lartë kërkon arrestimin e Abdylit

Përpjekjet e Abdylit për Shqipërinë e shqetësuan Portën e Lartë, e cila ishte kundër autonomisë së shqiptarëve. Lëvizjet e tij qenë vënë nën kontroll. Ishin paguar dhe njerëz për ta vrarë. Konsulli anglez në Selanik njoftonte Londrën se Abdyl Bej Frashëri kishte shkuar në Dibër për të diskutuar rreth hapave që duhej të ndërmerrnin shqiptarët, për të fituar pavarësinë. Abdyli ishte i ndërgjegjshëm që autonomia e Shqipërisë nuk mund të fitohej, pa pasur qeverisjen e tyre. Duke udhëtuar për në Prizren, ai u vu në dijeni se disa persona kërkonin ta vrisnin. Për këtë u kthye nga rruga dhe përzuri guvernatorin e Dibrës, i bindur që planet e mbrapshta thureshin prej tij. Një djalë me emrin Ago Beru, i shtyrë dhe paguar nga Mehmet Beu, kishte qëlluar dy herë mbi Abdyl Frashërin, por nuk mundi ta vriste. Plumbi shpoi vetëm trupin e kalit.

Në muajin mars të vitit 1881, Ministria e Brendshme udhëzonte Janinën për të ndjekur çdo lëvizje dhe veprimtari të tij. Zyrtarët e Janinës u informuan që Abdyli shkoi në Stamboll dhe u kthye sërish në Frashër, por u nevojiteshin të dhëna më të hollësishme, pasi ai qe përherë në lëvizje.

Në prill të vitit 1881, zëvendësprefekti i Dibrës i shkruante nënprefekturës së Elbasanit që të shihte mundësinë e kapjes së Abdyl Frashërit. Ata jepnin të dhëna edhe për fizikun e tij, shtatgjatë, mbante mjekër të bardhë, por e kishte prerë atë për të mos u njohur. Sipas prefekturës, ato ditë mund të kalonte nëpër Elbasan ose te Ura e Haxhi Beqarit, sepse qe nisur për në Toskëri.

Më 9 maj bëhej e ditur kapja e tij, bashkë me çantën me dokumente, por nuk jepeshin shpjegime se nga kush ishte kapur. Abdyl Frashëri pohoi se pati takuar në rrugë një rreshter policie me emrin Jakup dhe katër ushtarë, të cilët i thanë që e kërkonte hyqymeti*. Pas kësaj ai u paraqit në zyrat e shtetit. Kajmekami i Elbasanit dhe nënprefekti i Dibrës, Naim Mehmeti, u informuan se qenë organizuar 7 patrulla për kapjen e tij. Por në rrugën ku kalonte Abdyli, rastisi pikërisht rreshteri Jakup, me katër ushtarë. Aty kishte shtëpinë dhe varkëtari, sepse ura mbi lumin Shkumbin ishte prishur dhe nuk kishte asnjë mundësi që ai t’u ikte. Për këtë, propozohej dhe gradimi i rreshter Jakupit.

Pas tri ditësh u morën nën arrest dhe dy shoqërues të Abdylit, Mehmet Islami dhe Ymer Lutfiu, të cilët qenë nga fshatrat Arban dhe Mumajie të Tiranës. Abdylin duhej ta nisnin për në qendrën e vilajetit, po ende kishin frikë mos u arratisej gjatë udhëtimit. Për këtë, i kërkohej mytesarifit të Dibrës të financonte 157 groshë* për të paguar qiranë e pesë policëve dhe po kaq kuajve të tyre, me të cilët do të shoqëronin Abdylin deri në Qukës.

Në procesverbalet e mbajtura gjatë gjykimit, për dënimin e Nazif dhe Gani Frashërit*, si bashkëpunëtor të liderit frashërlli, dalin qartë përpjekjet e Abdylit për të mbajtur të bashkuar e në besë Toskërinë. Vetëm kështu mund të ishin në gjendje t’i bënin ballë ndonjë sulmi të mundshëm grek. Nëpërmjet rrjetit të tij, ai interesohej të mësonte, nëse kishte ndonjë përgatitje në Greqi për sulm ndaj shqiptarëve, dhe se si pritej një gjë e tillë nga paria e Toskërisë.

Sipas gjykatës, Abdyl Frashëri u dënua dhe u burgos në kalanë e Prizrenit për shkak se, me veprimtarinë politike që zhvilloi, prishi rendin në Shqipëri. Pritej fjala e sulltan Abdyl Hamitit, i cili do të vendoste internimin e tij përgjithmonë. Megjithë përpjekjet e bashkëshortes për faljen e Abdylit, lutja e saj nuk u mor në konsideratë. Zyrtarët osmanë argumentonin se falja nuk miratohej, pasi gjykata provoi që, në rolin e udhëheqësit të shqiptarëve, Abdyli synonte realizimin e bashkimit e katër vilajeteve sipas detyrave të caktuara nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Në këtë mënyrë, ai i kishte sjellë perandorisë dëme të mëdha.

Në bazë të këtij arsyetimi, sulltani kishte vendosur që Abdyl Frashëri të largohej nga vendi i tij, për të shkëputur çdo lidhje me bashkatdhetarët dhe të vendosej me gjithë familjen në Anadoll. Fillimisht e dërguan në Ballikesir të Anadollit, më vonë në Bandërma. Shkresa e kryesekretarit të pallatit i kumtonte kryeministrit urdhrin e sulltanit, për internimin përgjithmonë të Abdyl Frashërit dhe të familjes së tij në Anadoll.

Arrestimi i Abdyl Frashërit dhe tentativa për vrasjen e tij u cilësua si tradhti ndaj atdheut. Patriotët mendonin se për çfarëdo shkaku, ai nuk duhej të jepej. Ky mendim pasqyrohet dhe në një botim të S. Dine, të vitit 1910, ku është bërë publike dhe një këngë që i kushtohej asaj ngjarjeje: Kurvelesh dhe Gegëri,/ Ç’u mblodh n’Ergjeri* / Të bëjnë komision të ri** / Dhe Abdyl be Frashëri, / Ç’u përpoq i varfëri, / Dhjet herë në Frëngji, / Prishi një torbë flori / Ç’u përpoq për Shqipëri, / U përpoqe Bej për ne, / Me mend dhe me hazine, / Ta pat vendi me hilé, / Pra tashti mbetmë raje!

SHKARKO APP