Të rejat e fundit të teknologjisë

Fusha e teknologjisë mund të jetë sfiduese dhe, që të jesh i mirë-informuar rreth teknologjisë së re, kjo mund të jetë e vështirë dhe e komplikuar. Por, është me rëndësi të mbajmë parasysh se qëllimi i saj është të lehtësojë jetën tonë dhe se gjithë kjo teknologji mund të shndërrohet në telajon e ëndrrave tona për të ardhmen. Këto janë disa nga idetë më të fundit të novacionit teknologjik.

Sa mirë do të ishte nëse një shërbim taksi pa shofer vjen të të shpëtojë nga trafiku. “Mendojmë se duke kombinuar udhëtimin në ajër dhe tokë do ta shfrytëzojmë më mirë hapësirën e qyteteve tona”, thotë Mathias Thomsen, i firmës “Airbus Urban Air Mobility”. Një kapsulë për rrugën, qiellin dhe shinat është ëndrra e kompanisë së dizenjimit të makinave “Italdesign”, që u paraqit në panairin e makinave të Gjenevës.

Dhe nëse ju duhet të dërgoni një email të shpejtë, apo një mesazh pa shtypur gërmat, ju ndihmon “Senstone”. Është një varëse e vogël që mund ta mbani në qafë ose në kyç. Vetëm e prek dhe i flet. Aplikacioni i saj përkthen në çast fjalët e folura në fjalë të shkruara dhe i transmeton nëpërmjet mesazhit apo email-it. Projekti u financua nga një fushatë mbledhje fondesh dhe ekipi ideues ukrainas shpreson ta hedhë në treg pajisjen në muajin korrik.

Dhe së fundi, një mënyrë e re për ta mbajtur biçikletën të sigurt dhe për ta monitoruar nëpërmjet telefonit. Pajisja e quajtur “Bisecu” është dizenjuar nga një grup inxhinierësh koreano-jugorë. Ajo montohet në rrotën e përparme dhe kyçet, ose hapet, nëpërmjet telefonit. Nëse biçikleta lëvizet, aktivizohet një alarm dhe pronari njoftohet me mesazh. Pajisja u prezantua këtë vit në Kongresin Botëror të Pajisjeve të Lëvizshme, dhe mendohet të hyjë në treg gjatë këtij viti.

SHKARKO APP