Të rinjtë në Fier që kandidojnë për herë të parë nën siglën partiake
Politika është një karrierë me reputacion të njollosur në Shqipëri, por të rinjtë nuk duhet të kenë druajte të përpiqen për ta ndryshuar këtë situatë. Kandidatët më të rinj të Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe LIBRAS në Fier rrëfejnë për Ora News eksperiencën e fushatës së parë elektorale dhe përse vendosën të merren me politikë.
Nuk kanë qenë kurrë pjesë e politikës dhe këtë 25 qershor hyjnë në garë duke përfaqësuar forcat kryesore.
Kandidatët e rinj nga Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim, PDIU dhe LIBRA tregojnë për Ora News, së pari përse vendosen të hyjnë në politikë, që në Shqipëri ka një reputacion të njollosur.
Olsi Çukaj nga PD, Klajdi Bogdanaj nga LSI, Enisa Rexhepi nga PDIU dhe Pranvera Troka nga LIBRA, kanë përgjigje të ndryshme por i bashkon idealizmi.
Olsi Çukaj: Unë i jam futur një rruge me përgjegjësi të mëdha që edhe të tjerë e kanë bërë më përpara por që unë duhet të ndjek një model ndryshe, perëndimor dhe europian.
Klajdi Bogdanaj: Vetëm me pjesmarrjen aktive të të rinjve në politikë ne mund të arrijmë që të luftojmë për kauzat tona, të bëhemi pjesë e përpilimit të programeve për të rinjtë qoftë në arsim, qoftë në ekonomi.
Enisa Rexhepi: Unë besoj fort që çdo i ri duhet të ketë vullnetin dhe forcën që të hapë kontributin e vet në jetën politike të vendit.
Pranvera Troka: Futem në këtë moment në politikë sepse po shoh që politika shqiptare po merr një drejtim jo të duhur. Fus imazhin tim tek LIBRA si një e re që jam dhe dua të ofroj të gjithë vizionin dhe idetë e mia për ti dhënë më të mirën këtij vendi.
Përfshirja e sa më shumë të rinjve në politikë shihet edhe si mënyrë për të bërë më shumë për pjesën më vitale të kombit.
Kandidatët e rinj tregojnë sesa të realizueshëm e shohin programin e partisë që përfaqësojnë.
Pranvera Troka: LIBRA Ka si synim që arsimi i mesëm të jetë i detyrueshëm dhe të përkrahë të gjitha ato shtresa dhe familje të cilët nuk mund të ndjekin fëmijët e tyre.
Klajdi Bogdanaj: Plani i LSI-së është punësimi i 100 mijë të rinjve, ne kemi një plan konkret që fillon që nga arsimi sepse jemi të bindur që vetëm me një arsim cilësor të rinjtë do të jenë të përgatitur dhe të aftë për tregun e punës.
Olsi Çukaj: Unë e mbështes fort këtë pikë në program sepse u jep të rinjve mundësinë që pasi të diplomohen të bëjnë stazhe 12 mujore nëpër kompani private dhe në shtet që të “vjedhin” zanatin.
Enisa Rexhepi: Një program për të rinjtë që i jep prioritet arsimit, sidomos reformës në arsim. Duhet të krijohet një sistem arsimi në mënyrë që të rinjtë pasi shkollohen të kenë mundësi direkt të hyjnë në tregun e punës.
Ndërkaq i kontaktuar nga Ora News, kandidati për deputet i PS-së, Ervin Bushi, nuk ka pasur mundësi ta shpalosë këtë eksperiencë pas refuzimit të lejes nga ana e qendrës së kordinimit të kësaj partie.