Të shtëna në “Capitol Hill”, kapet agresori. Ende e paqartë plagosja e oficerit
Një agresor është vënë nën pranga dhe është shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje, pasi shkëmbeu të shtëna me policinë e Uashington DC në kompleksin e “Capitol Hill”, selisë së Kongresit amerikan, gjatë kësaj të hëne.
Zyrtarët njoftuan menjëherë stafin dhe vizitorët që të qëndronin brenda zyrave të tyre e kryesisht nëpër “streha të sigurta”.
Raportimet fillestare flisnin për një oficer policie të plagosur lehtë, por raporte të mëvonshme ngrinin dyshime mbi faktin se kush ishte plagosur, nëse ka një të tillë.
Ngjarja ndodhi në një moment kur Kongresi është me pushime, për shkak të festës së Pashkëve, ndërsa ligjvënësit ishin kthyer nëpër shtetet e tyre. Shtëpia e Bardhë u vendos gjithashtu në rrethim, të paktën për një kohë të shkurtër kohe, por më pas situata u qetësua.
Një njoftim i dërguar Senatit tregon se asnjë i dyshuar tjetër nuk përbën më rrezik, ndaj dhe pjesa më e madhe e godinës së “Capitol Hill” u hap për bizneset.
Të shtënat raportohen të kenë ndodhur në Qendrën e Vizitorëve të kompleksit gjigant të “Capitol Hill”. Stafi, raportuesit dhe kushdo që gjendej brenda tij në atë moment u orientua drejt strehave të sigurta, teksa prej fillimit të incidentit kanë nisur hetimet.
Vizitorët u mbajtën larg ndërtesës, pasi në atë kohë mjete të emergjencave dhe zjarrfikëset “pushtuan” rrugët përreth Kongresit, e sidomos në anën veriore e lindore të tij. Policia, disa prej të cilëve me armë të rënda, rrethuan ambientet përreth saj, edhe pse ky ishte një moment tejet i ngarkuar me turistë, që shkojnë në SHBA për pushime pranverore dhe për Festivalin “Cherry Blossom”.
Trafiku u rëndua përkohësisht në rrugët përreth, por pavarësisht gjendjes së emergjencës, vendngjarja u duk të ishte relativisht e qetë.
Më herët gjatë ditës së sotme, zyrtarë të Kongresit zhvilluan një “stërvitje” sesi mund të strehoheshi brenda një kohe të shkurtër në vende të sigurta, në rast të ndonjë incidenti të ngjashëm.
/ Top Channel