Tedi Blushi: Partia e Lirisë është kundër draftit të PS, shkrirja e 15 bashkive nxit shpopullimin

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi shprehet se PL është kundër projektligjit të socialistëve për Reformën e re Territoriale, duke e cilësuar shkrirjen e 15 bashkive si një projekt që do të përshpejtojë shpopullimin, do të centralizojë pushtetin dhe do t’i largojë qytetarët nga shërbimet. Blushi tha se bashkitë që parashikohen të shkrihen do të humbasin përfaqësimin lokal, ndërsa banorët do të detyrohen të udhëtojnë më larg për të marrë shërbime administrative. Ai akuzoi mazhorancën se po përsërit gabimet e reformës së vitit 2015 dhe u bëri thirrje qytetarëve të kundërshtojnë projektin. Sipas Blushit, opozita mbështet një reformë tjetër territoriale me rreth 100 njësi vendore, që sipas tij “do të afrojë shërbimet pranë qytetarëve, do të forcojë pushtetin vendor dhe do të ndihmojë në frenimin e shpopullimit”.

Deklarata e plotë

Me një tjetër akt shumë të rëndë pabesie ndaj qytetarëve shqiptarë, pas dështimit katastrofik dhe të pritshëm të reformës territoriale të vitit 2014, Edi Rama shpalli tani projektin ogurzi të zhdukjes nga harta e Shqipërisë edhe të 15 bashkive të tjera, një projekt antikombëtar, edhe më shkatërrues, që do të përshpejtojë shpopullimin e vendit, do të përqendrojë edhe më shumë pushtetin dhe financat në duart e qeverisë dhe do t’i lërë komunitetet lokale pa zë, pa institucione dhe pa shpresë. Projekti i Edi Ramës me 46 bashki nuk është reformë territorial por projekti për zbrazjen përfundimtare të Shqipërisë, që shuan treva dhe braktis komunitete, që nuk ofron më asnjë shërbim për qytetarin, por i largon ato edhe me dhjetëra kilometra më shumë; që nuk decentralizon pushtetin vendor, por e përqendron atë plotësisht në duart e tij.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ky është projekti i shpopullimit të Shqipërisë nga qytetarët dhe i mbipopullimit të bashkive me patronazhistë, që do të prodhojë më shumë varfëri, braktisje dhe emigrim, mbyllje institucionesh, largim deri në torturë për të marrë shërbimet më jetike,që tkurr përfaqësimin lokal dhe detyron qindra mijëra qytetarë të harxhojnë jo vetëm kohë por edhe para vetëm për të marrë një dokument apo një shërbim elementar.

Swiss Digital Mobile Reklama

Projekti antikombëtar i Edi Ramës e zbraz Shqipërisë, e asgjëson pushtetin vendor, nxit përqëndrimin e vjedhjes së finanave publike në pak duar dhe njëkohësisht, nxit betonizimin edhe më agresiv të pak qyteteve të mëdha, duke dënuar me vdekje ekonomike e sociale qytetet e vogla, fshatrat dhe trevat historike dhe më patriotike të vendit. Banorët e Poliçanit, Klosit, Maliqit, Cërrikut dhe dhjetëra zonave të tjera nuk mund të dënohen të humbasin orë të tëra në rrugë për të marrë një shërbim që sot e marrin pranë vendbanimit të tyre. Vetëm karburanti që do të detyrohen të shpenzojnë banorët e Poliçanit për të shkuar deri në Berat për një shërbim administrativ e bën këtë projekt absurd.

Qytetarët do të paguajnë më shumë, do të humbasin më shumë kohë dhe do të marrin më pak shërbime, vetëm që Edi Rama të ketë më shumë kontroll politik.Më e rënda është se ky projekt fshin me një të rënë të lapsit nga harta administrative disa prej trevave më patriotike të Shqipërisë. Është një goditje ndaj identitetit të tyre, ndaj historisë së tyre dhe ndaj kontributit që këto komunitete kanë dhënë për shtetin shqiptar.

Kam një pyetje publike për të gjithë deputetët e Edi Ramës në bashkitë që ai po i zhduk me një të rënë të lapsit. Kur dolët në fushatë dhe kërkuat votën e socialistëve dhe të gjithë qytetarëve, a ua thatë se do të votonit për mbylljen e bashkisë së tyre? A ua thatë se do t’u hiqnit institucionet, shërbimet, përfaqësimin dhe identitetin administrativ? Apo edhe këtë herë i mashtruat për të marrë votën dhe sot heshtni përballë një pabesie të turpshme ndaj njerëzve që ju besuan? Pabesia juaj ndaj qytetarëve meriton vetëm përbuzje dhe revoltë qytetarë, që tani duhet të marri në dorë fatet e tyre, të familjeve të tyre dhe të trevave që përfaqësojnë. Përshëndes banorët që po ngrihen kundër këtij projekti antikombëtar territorial dhe, në veçanti, socialistët e Poliçanit, të cilët me protestën e tyre treguan se dinjiteti qytetar është më i fortë se urdhrat politikë.

Revolta e tyre është frymëzim për çdo komunitet që refuzon të zhduket nga harta me firmën e Edi Ramës. Ndërsa Edi Rama ndërton Shqipërinë e betonit, të kullave dhe të centralizimit absolut, opozita mbron Shqipërinë e komuniteteve, të pushtetit vendor dhe të qytetarëve. Ne mbështesim një reformë të re territoriale me rreth 100 bashki, që rikthen pushtetin te komunitetet, afron shërbimet, fuqizon ekonominë lokale dhe ndal shpopullimin.
Shqipëria nuk shpëton duke mbyllur bashki. Shqipëria shpëton duke u kthyer qytetarëve shtetin që Edi Rama po ua rrëmben çdo ditë.

Spastrimi administrativ i Shqipërisë dhe krimi politik i Edi Ramës kundër komuniteteve locale është akti më i rëndë i centralizimit që nga rënia e diktaturës. Qytetarët në të gjitha bashkitë që Edi Rama kërkon t’i fshijë nga harta e Shqipërisë duhet të ngrihen në revolta dhe protesta për të mos pranuar kurrë këtë krim kundër familjeve të tyre dhe vendlindjeve të tyre.

Alternativa e opozitës për 100 njësi vendore është e vetmja zgjidhje që ndal shpopullimin duke garantuar decentralizimin, afrimin e shërbimeve pranë qytetarëve dhe fuqizimin e komuniteteve vendore, në interes të zhvillimit dhe të gjithë shqiptarëve. Alternativa e opozitës për 100 njësi vendore është një hap drejt decentralizimit të vërtetë, fuqizimit të pushtetit vendor, afrimit të shërbimeve pranë qytetarëve, krijimit të mundësive reale për zhvillim lokal dhe ndalimin e shpopullimit

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?