Tenderat si mbulesë për korrupsionin

Nga Ymer Stafa/

Kur cilëson fjalën prokurim publik, autoriteti kontraktor i shkon mendja menjëherë tek fitimi privat dhe harron kursimin shtetëror. Prokurimi publik është një fushë- beteje për ata që luftojnë korrupsionin. Pjesa më e madhe e “korrupsionit masiv” ndodhet në prokurimet publike me dëm të dukshëm mbi proceset e zhvillimit të vendit.

Në fakt duhet që stafi që kryen prokurimin publik të mendojë ndryshe. Marr shkas nga vlerat e larta, me miliona dhe miliarda lekë, që po përmenden këto ditët e fundit në shpalljen e një fituesi real, të cilat  kalojnë nëpër duart e komisioneve të vlerësimit të ofertave. Këto komisione nuk janë një strukturë më vete pranë një autoriteti kontraktor, por janë nëpunës të zakonshëm, me detyra të ndryshme dhe në një ditë të bukur të caktuar për zhvillimin e tenderit, mblidhen tre veta për disa orë dhe vlerësojnë praktikat dokumentare të operatorëve ekonomikë të sprovuar disa vite në pjesëmarrje tenderash.

E si ka mundësi që ky komision vlerësimi i përkohshëm disa orësh, të vlerësojë një konkurrent që ka marrë pjesë në qindra tendera? Ka ardhur koha, që këto komisione të përkohshme vlerësimi disa orësh, detyrimisht, të zëvendësohen me strukturë të rregullt në organikë të të gjitha institucioneve publike, pjesëtarët e së cilës duhet të mbajnë përgjegjësi të plotë për punën që kryejnë gjatë gjithë vitit, në disa vite.

Edhe kohë më parë kishte Drejtori, Degë apo Sektor më vete për sigurimin e mallrave, shërbimeve dhe ndërtimeve me cilësinë e konfirmuar në standardet shtetërore, madje struktura ishte e madhe si numër punonjësish.

Duke marrë, fjala vjen, një doktor nga puna e tij e përditshme në spital, dhe duke e përfshirë në vlerësimin e procedurës së një tenderi, ky punonjës jo vetëm që nuk e njeh legjislacionin e shumtë të prokurimeve publike (pa marrë parasysh që kemi të bëjmë me ndryshime të shumta të legjislacionit të prokurimit publik gjatë një viti), të japë një vlerësim të saktë të plotësimit të kërkesave kualifikuese dhe paraqitjeve të dokumenteve të tenderit nga konkurrentët. Ky punonjës madje, nuk është në gjendje të argumentojë edhe mungesat e mangësitë e konstatuara nga strukturat audituese.

Akoma më e vështirë është edhe për ndonjë person, që aktivizohet jashtë autoritetit kontraktor, për një vlerësim të tillë dhe sa e vështirë është që struktura audituese të komunikojë me këtë person, i cili ka marrë ndonjë shpërblim dhe mund të ketë vajtur në ndonjë autoritet tjetër kontraktor, për t’u përfshirë në ndonjë komision tjetër.

Ka ardhur koha, që përgatitësit e dokumenteve të tenderave dhe vlerësuesit e procedurave të tenderave, të jenë një i vetëm. Ndarja e tyre është një dukuri që pjell korrupsion edhe në tendera në shkallë ndërkombëtare. Sa shumë u fol për korrupsion në fushën e prokurimeve publike këto ditë në Serbi, ku pati edhe shumë persona të arrestuar.

Sa përgjegjësi mban ky komision i përkohshëm kur vlerëson konkurrentët, që në llogaritjen e fondit limit të autoritetit kontraktor ka dhënë një vlerë tepër të lartë dhe në ditën (mbas 20 ditësh), kur vjen data e konkurrimit, po ky konkurrent paraqitet me një vlerë rreth 30% më të ulët? E në këtë ulje 30% ka një fshehje të madhe nga përgatitësit e dokumenteve të tenderit, e kjo vjen për të rritur sa më shumë fondin limit. Këto veprime realizohen kur vlera e fondit limit përcaktohet sipas rregullave të prokurimit publik, duke studiuar tregun, ku me këtë “studim tregu”, sot po abuzohet nga shumë autoritete kontraktore publike.

Në rregullat e prokurimit publik dhe në legjislacionin e gjurmëve të auditimit, është trajtuar gjerësisht se Nëpunësi Autorizues, në cilësinë e të deleguarit të titullarit, miraton urdhrin e ngritjes se Grupit të Punës të  Përllogaritjes së Fondit Limit dhe Specifikimeve  Teknike. Ky grup pune bën analizën e tregut, ku në përllogaritjen e vlerës limit të kontratës, Autoriteti Kontraktor duhet të mbajë  parasysh, mes të tjerave, çmimet e tregut, të argumentuara me dokumentet përkatëse.

Deri në këto momente ky grup pune punon konform rregullave të prokurimit publik. Mirëpo kur vjen data e konkurrimit, mbas rreth 20 ditëve, këta konkurrentë, paraqesin oferta ekonomike tepër të ulëta. Në këtë rast kemi të bëjmë me fryrje të caktimit të fondit limit nga përgatitësit e dokumenteve. Vlerësimin e këtyre konkurrentëve e bën një komision tjetër i përkohshëm.

Komisioneve të përkohshme të tenderimit, që në strukturën organike kanë detyra të tjera me rregullore të brendshme dhe paguhen për zbatimin e kësaj rregullore, për disa orë i jepen fonde të mjaftueshme për të shpallur një fitues, pa ditur shumë detaje për këto procedura prokurimi. Kjo krijon një mur të rehatshëm distance ndërmjet kompanisë dhe aktit të korrupsionit dhe mundëson shprehjen e habisë, simulimin e tronditjes, etj.

Këto komisione të përkohshme, edhe kur duan të nxjerrin ndonjë prokurim të saktë, nuk e arrijnë dot, pasi përgatitësit e dokumenteve të tenderave vendosin kërkesa kualifikuese jo në mbështetje të rregullave të prokurimit publik, duke i lënë me shumë nënkuptime e interpretime të ndryshme. Në asnjë autoritet kontraktor deri më sot, nuk janë bërë argumentimet e vendosjes dhe miratimit të kërkesave kualifikuese. Për çdo kërkesë kualifikuese duhet argumentuar shkaku i vendosjes dhe duhet cilësuar se si duhet vlerësuar kjo kërkesë kualifikuese nga komisionet e përkohshme.

Përgatitësit e dokumenteve të tenderave mes të tjerave kërkojnë si kërkesë kualifikuese të veçantë paraqitjen e certifikatave të menaxhimit të cilësisë (ISO), por nuk cilësojnë se nga kush organ duhen miratuar këto certifikata menaxhimi cilësie. Sot për sot nëpërmjet internetit nxirren certifikata të menaxhimit të cilësisë nga më të ndryshme, por, këta përgatitës dokumentesh, nuk zbatojnë rregullat e prokurimit publik, që të tilla certifikata duhet të aprovohen nga organet e standardizimeve shqiptare, gjë të cilën nuk e realizojnë. Nuk duhet paraqitur asnjë certifikatë e menaxhimit të cilësisë nga konkurrentët, para se të jepet një “OK” me shkrim nga organi i standardizimit shqiptar dhe në mungesë të tij, mund të merret “OK” edhe nga organet ndërkombëtare. Megjithatë, ka autoritete  kontraktore që kanë vënë këto kërkesa kualifikimi pa ditur se ekziston një institucion i standardizimit shqiptar apo ndërkombëtar.

Me mosrealizimin e parimeve të rregullave të prokurimit publik vjen korrupsioni, i cili është parajsë dhe ky korrupsion helmon prokurimin publik. Korrupsioni nuk ka brirë. Korrupsioni nuk mund të shpëtojë pa viktima. Korrupsioni po gërryen ekonominë në demokraci, duke tharë burimet e ekonomisë së ligjshme. Komisioneria për Punët e Brendshme në Komisionin Europian, Sesilia Malmstroem thotë: “Procedurat e prokurimit publik në disa vende janë vulnerabil ndaj mashtrimit. Në Suedi 18% e njerëzve thonë se njohin dikë, që ka marrë ryshfet, krahasuar me 12% që është mesatarja evropiane. Suedia është mes vendeve me më pak probleme”. Përderisa nuk ka një konkurrencë të ndershme, atëherë nuk kemi kufizim të korrupsionit. Për kufizimin e korrupsionit detyrimisht duhet të ketë politika konkurrence. Politika e konkurrencës është një mjet i domosdoshëm për të mbrojtur dhe siguruar aktivitetin ekonomik, dhe për të siguruar dhe nënvizuar integritetin e aktiviteteve në sektorin privat.

Çelësi për një ekonomi tregu efektive, është ligji i konkurrencës, që ndërton dhe mban konfidencat e publikut në institucione, dhe kështu, mund të ndihmojë në mbështetjen e stabilitetit të demokracisë. Kur institucionet e planifikuara për të siguruar politikën e konkurrencës janë të pa fuqishme, korrupsioni mund të lulëzojë dhe realisht ai sot po lulëzon tek ne.

SHKARKO APP