Tenderat, tani kompanitë s’do paguajnë më garanci
Të marrë pjesë në një tender, tani e tutje do të jetë më e lehtë për kompanitë private. Dhe kjo, pasi një ligj i ri i hartuar nga qeveria dhe tashmë i paraqitur në Kuvend, parashikon ndryshim të rregullave dhe procedurave për prokurimet publike që organizohen nga shteti, duke i bërë ato më të thjeshta. Duke nisur së pari nga heqja e garancisë e cila paguhej deri më sot prej secilit operator ekonomik që merrte pjesë në garë për një tender.
Kujtojmë se me ligjin aktual, secili operator pjesëmarrës në procedurat e prokurimit, ka patur detyrimin të ngurtësojë në banka apo kompani sigurimi 2% të vlerës së fondit limit dhe kjo, si masë garancie për autoritetin kontraktor, në rast të tërheqjes së tyre nga oferta. Ngurtësim ky i cili i vlente autoritetit kontraktor në rastet kur për vazhdimin e një procedure prokurimi kërkoheshin të paktën dy oferta të vlefshme dhe një tërheqje e mundshme nga gara e një ofertuesi, sillte dështimin e procedurës së prokurimit.
Por nisur nga fakti që ligji aktual parashikon se procedura e prokurimit vazhdon edhe me një operator ekonomik, tërheqja nga ofertimi i një operatori ekonomik nuk i shkakton autoritetit kontraktor dështimin e procedurës së prokurimit. Pra, praktikisht sigurimi i ofertës nuk shërben më si masë garancie për autoritetin kontraktor. Dhe kësisoj, operatorët ekonomikë të interesuar për të ofertuar në procedurat e prokurimit publik, nëpërmjet këtij ndryshimi, lehtësohen nga ngurtësimi i një vlere të caktuar monetare si garanci për pjesëmarrjen e tyre në tender.
Një ndryshim tjetër që propozohet në projektligjin për ndryshimet në prodkurimet publike, është edhe ai i shkurtimit të afatit kohor në dispozicion të Komisionit të Prokurimit Publik për shqyrtimin e informacionit të dërguar nga autoriteti kontraktor, nga 20 ditë në 10 ditë, nga marrja e tij. Kjo me qëllimin e rritjes së efikasitetit dhe finalizimit në kohë sa më të shkurtër të procedurave të prokurimit të ankimuara. Sikundër, ky projektligj parashikon edhe e specifikimit të Gjykatës Administrative, si gjykata kompetente ku palët mund të ushtrojnë ankimin e tyre rreth tenderit, duke caktuar qartë procedurën e hetimit administrativ si të tillë. Dhe nisur nga boshllëku ligjor për afatin brenda të cilit Agjencia e Prokurimit Publik mund të monitorojë një procedurë prokurimi, propozohet të shtohet në këtë nen një parashikim që ky afat të jetë jo më vonë se dy vjet nga data e nënshkrimit të kontratës.