Tërmet në Napoli, lëkundje 4.7 ballë në Campi Flegrei: “Më e forta e regjistruar ndonjëherë”
Një tërmet i fortë goditi mbrëmjen e së premtes, më 31 korrik 2026, zonën e Campi Flegrei, me një magnitudë 4.7 ballë. Kjo lëkundje, e konfirmuar nga Instituti Kombëtar i Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë, ishte më e larta e regjistruar ndonjëherë në këtë zonë. E regjistruar në orën 19:46 me epiqendër 5 kilometra nga Pozzuoli dhe Quarto, ajo u ndje qartë nga popullata në të gjithë provincën e Napolit.
Menjëherë pas lëkundjes së fortë, e cila ishte shumë e gjatë sipas dëshmive të shumta të qytetarëve në rrjetet sociale, pati një numër të madh thirrjesh drejtuar zjarrfikësve nga zona pranë epiqendrës. Këto thirrje ishin kryesisht për shkak të rënies së suvasë dhe bllokimit të ashensorëve në ndërtesa, si pasojë e ndërprerjeve të energjisë elektrike në disa lagje, përfshirë Fuorigrotta dhe qendrën e Napolit.
Sipas Corriere della Sera, u regjistrua edhe një kërkesë për ndërhyrjen e zjarrfikësve për shkak të shembjes së një tavani, ndërsa në lagjen Mergellina u bllokua metroja. Në disa lagje, gjithashtu, u ndërpre energjia elektrike në shumë banesa dhe, rrjedhimisht, edhe lidhja me internetin. Josi della Ragione, kryebashkiaku i Bacoli, një nga komunat më afër epiqendrës, u thirr menjëherë nga Prefektura e Napolit në Qendrën e Koordinimit të Shpëtimit (Ccs).
Kryebashkiaku Josi della Ragione deklaroi për Adnkronos se “është lëkundja më e fortë e regjistruar ndonjëherë, ka njerëz qartësisht të frikësuar, por për momentin nuk kemi dëme në njerëz apo prona”. Ndërkohë, Komuna e Pozzuolit, e cila menjëherë filloi të përgatiste zonat e pritjes së Mbrojtjes Civile, lëshoi një njoftim. Ajo theksoi se ishte në kontakt të vazhdueshëm me Observatorin e Vezuvit, Mbrojtjen Civile dhe organet kompetente, duke ftuar popullatën të ruajë qetësinë dhe t’u referohet ekskluzivisht komunikimeve zyrtare të saj.
Marrë nga La Gazzetta dello Sport
KOHA JONË SONDAZH

