Terrorizmi i Parisit dhe aleanca që na duhet në Tiranë

 

"…kërcënimi terrorist i cili gjithmonë kryhet në emër të një Zoti, nuk lehtësohet me anë kushtesh fetare, por me sekularizëm. Më shumë laicitet, sa më e fortë të shfaqet dogma"…

Nga Alfred Lela

Shqiptarët, shpesh i afrohen interpretimit të ngjarjeve të përbotshme, si p.sh sulmet e fundit terroriste në Paris, me mbetje të megalomanisë komuniste të Shqipërisë ‘qendër e botës’, ‘fanar i ndriçuar në brigjet e Adriatikut’, apo ‘mbrojtëse e vetme e parimeve…’. Ne jemi një kënd i vogël dhe i parëndësishëm i botës, por kjo nuk na ndan prej saj: çfarë ndodh në Paris apo New York, në një formë a tjetër, na prek edhe ne.

As ne këtu, shqiptarët e të tjerë, nuk jemi të imunizuar nga kjo zi e ky tmerr që përhap Lufta e tretë Botërore, që është përballja me terrorizmin. Fukujama parashikonte ‘fundin e historisë’ pas rënies së Murit të Berlinit, pasi sipas tij, Amerika kish mbetur pa kundërshtarin e saj ideologjik, Bashkimin Sovjetik. Pothuajse në të njëjtën periudhë Samuel Huntington, si reagim ndaj Fukujamës, ish-student i tij, fliste për ‘përplasje të qytetërimeve’. Nuk mund të thuhet me siguri se teza e Profesorit të Harvardit po provohet, por sigurisht se historia nuk ka mbaruar dhe ja ku Amerika dhe Perëndimi e kanë gjetur kundërshtarin, edhe pse jokonvencional, tek armatat e çmendura të ISIS, Al Kaeda-s e gjithë brigadave të tjera të terrorizmit.

Qytetërimet për të cilat flet Huntington në një mikroshkallë dhe potencialisht përplasen edhe këtu te ne. (Po t’i referohesh librit të tij, ai e fut Shqipërinë në qytetërimin islamik). Kujtoni  vizitën e paradokohshme të presidentit turk Erdogan dhe kërkesën drejtuar qeverisë shqiptare që të mbyllen shkollat e kundërshtarit të tij, Fetullah Gulen. Përplasja Erdogan-Gulen në Turqi reflektohet edhe ndër myslimanë shqiptarë. Eksponentë të komunitetit mysliman këtu, e pranojnë herë on e herë off record se janë tri rryma që luftojnë për supremaci ndër myslimanët shqiptarë. Secila me burimet njerëzore e financiare përkatëse. Saktësisht: myslimanët tradicionalë shqiptarë me një prirje europeiste e tolerante, që ndoshta e ka zanafillën te reformat dhe ndërhyrjet e Mbretit Zog; gulenistët që financohen dhe frymëzohen nga Turqia; dhe, linja e tretë dhe e ashpër e vehabistëve që ndjek dhe përhap një islam radikal. Frymëzimi i këtyre të fundit janë interpretime të Kuranit që vijnë nga vendet e Gjirit apo Afrikës Veriore, forma të së cilës përgjakën dhe Parisin javën e fundit.

Formëzimi më akut i tyre është ISIS dhe ndjekësit e tij. Dimë se ka shqiptarë nga Ballkani që luftojnë në Siri për dogmën apo ideologjinë (ka debate këtu) e ISIS, siç dimë se ata u kanë drejtuar edhe një kërcënim shqiptarëve me anë të një materiali filmik. Përmbajtja e të cilit me fjalë të tjera do të ishte ‘prisni, se do të sjellim gjakun edhe në dyert tuaja’.

Cili mund të ishte reagimi dhe a duhet të ketë njëfarë programi apo doktrine për t’u përballur ne tani dhe në vazhdim me terrorizmin?

Së pari, pranimi i ekzistencës së kërcënimit, dhe dalja nga poshtë fustanit të tolerancës fetare. Toleranca është një predikim për të gjithë, por jo të gjithë e pranojnë. (Ata që besojnë te toleranca mund të etiketohen edhe si infidelë). Toleranca nuk rritet duke e kthyer në klishe kombëtare që thuhet pafund nga politikanët dhe nga aktivistët e OJQ-ve; ajo mbetet thjesht një slogan dhe jeta ndodh ndërkohë që ne thurim slogane.

Së dyti, terrorizmi dhe kërcënimi prej tij nuk na afrohet si debat intelektual, ideologjik, qytetërimor, por si fakt. Ne nuk mund të ruhemi prej tij dhe as ta zhvendosim duke thënë se edhe të krishterët kanë qenë të dhunshëm në Mesjetë, apo se Franca ka kolonizuar vendet arabe para 100 vjetësh. Apo se Bushi pushtoi Irakun dhe bëri gabim. Kush fut një përgjakje të së shkuarës në gji të një masakre të ditës, është duke përligjur këtë të fundit.

Së treti, kërcënimi terrorist i cili gjithmonë kryhet në emër të një Zoti, nuk lehtësohet me anë kushtesh fetare, por me sekularizëm. Më shumë laicitet, sa më e fortë të shfaqet dogma.

Së katërti, fshehja pas tezave politikisht korrekte nuk ndihmon më. Kohët kërkojnë qëndrime dhe reagime politikisht jokorrekte. Imamët (e vetëshpallur për sa kohë veprojnë jashtë juridiksionit të Komunitetit Mysliman) gjatë seancave të gjyqit në Tiranë janë shfaqur në refuzim total të rendit kushtetues të Republikës. Shteti, ligjet, institucionet etj., janë një kompromis i shoqërisë edhe pse janë kufizuese të saj. Imponimi, në mungesë të pajtimit me formulën 50 përqind e lart, qoftë ky fetar apo laik, shkon kundër individit dhe shoqërisë.

Së fundmi, siguresa më e mirë dhe më e sigurt kundër terrorizmit në Shqipëri janë myslimanët shqiptarë. Duke qenë shumicë në këtë vend, ata i kanë instrumentet për të ndarë të mirën nga e keqja, besimtarin nga fanatiku, teologun nga proselitizmi i dhunës. Kërkohet aleanca e tyre. MAPO

SHKARKO APP