Terrorizmi në Paris dhe strofulla e “Pol-Albania”
Nga Irfan Rama
Ngjarja terroriste në Parisin që historikisht ka mbarsur e ka pjellë ëndrra, në sipërmëngjezin e 7 janarit 2015, e skicuar aq përsosmërisht nga truri ligësor i Xhihado- Alkaedës, do të përcjellë shumë metra letër, faqe kompjuterike, dosje kartoni e foldesh për të mbrojtur shtetet, tok me njerëzit e tyre nga “Ebolat” e vjetra e të përditësuara, që nuk do të sosin kurrë. Po Shqipëria e politika e saj tashmë ebolike prej 23 vjetësh a do të punojë e eksperimentojë për të shpikur vaksinën e saj antiprimitive, siç po bëjnë shkencëtarët amerikanë për të prodhuar vaksinën anti –Ebola? Nuk po marrim shembullin e SHBA-së që brenda dy muajve do të prodhojnë vaksinën e parë në 2 milion kopje, për të shpëtuar njerëzimin nga Ebola, por të paktën politikanët shqiptarë ta fillojnë ndërtimin e skicë idesë përparuese në trupin mendor të tyre se për prodhimin progresues shqiptarët do t’ia falin kohën…
Terrorizmi islamik dhe politika francezo- botërore
Ndodhia e orës 11 e 25 minuta e së mërkurës jo fort larg Notre –Damë du Paris ku nga aksioni terrorist “Stuhia e Zezë” e tre banditëve super të ftohtë u vranë 12 njerëz të profilit të lartë të satirës botërore, dy oficerë policie, punonjës të shtypit dhe 11 apo 20 të plagosur, troshitën rëndë opinionin politik e publik francez dhe gjithnajën botërore. “Charlie Hebdo Magazine” me bërërsit e shkëlqyer të vizatimeve skicore humoristike kishin stigmatizuar anët negative të religjioneve të ndryshme me prirësit ortodoks, katolik etj duke përfshirë edhe islamin. Ata donin t’i rrëfenin njerëzimit se për feedback kanë nevojë edhe devijantët njerëz të Zotit, për progresin dhe mirësimin e shoqërisë njerëzore. ATA, kartunistët, e lapsit e penës së hollë bojëzezë me Stephane Charbonier në krye nuk u tutën as nga zjarrbombat e 2011 të terroristëve islamikë, pavarësisht se shteti francez nuk e gjykoi hollë mbrojtjen e tyre, pavarësisht se një togë policie dhjetë pesëmbëdhjetëvetëshe mund të qëndronte 24 orë të përditshme në mbrojtje të martirëve më të mëdhenj të shtypit ndaj egërsisë së paparë që është ngjizur tek disa mijëra shtrembërues të fesë së dirë islame. Kjo mbrojtje nuk do t’i dëmtonte financat franceze, pavarësisht se kujtesa e rikthyer e sulmeve të 11 shtatorit 2001 në SHBA, sulmet terroriste në vitet 80, 90 të shekullit të kaluar e pas 2000 në Francë e kanë bërë shtetin francez të ngrejë në maksimum ALERT-in e saj në të gjitha institucionet shtetërore franceze, organet e shtypit e medias dhe përfaqësitë diplomatike. E pra shtetet perendimore ishin paralajmëruar nga “shteti ISIS” që po i zmadhon germat e siglave të saj gjakatare se së shpejti do të sulmohet zemra e Europës Perendimore. E kishin lajmëruar mjete më prestigjioze të botës si CNN, BBC, Euro News, Al Xhazira, NYT, The Gardian etj etj. Nuk është ajo që ndokush sipas mendimit të tij këtu në Shqipëri mendon se varfëria apo mos edukimi emancipues i jashtëeuropianëve me lindim francez apo në vendet perendimore ndër të tjera i ka çuar ata kundra vendushqyesve të tyre europiano-perendimorë. Atavizmat e egërsisë, primitivizmit, barbarizmit, qetësisë olimpike vrastare e ngjashme me lehtësinë e shkeljes së barërave lëndinore etj ngjizen e kultivohen edhe tek autoktonët europianë e populacionet që janë ngjitur 5,4,3,2 e një shekull më parë në kontinentet e zbuluara. Idetë tejkaluese fetare, banditeske e korruptive mëkohen, ngjizen e formohen me edukim e kultivim intensiv edhe tek europianët autoktonë, edhe tek njerëzit e kollareve edhe tek të pasurit edhe tek të varfërit edhe tek të pashkollët edhe të njerzve me shumë universitete e të kulturuar. Historia botërore e ka vërtetetuar. Shqipëria me shumëçka. Geni nuk lind ai transmetohet, kulturat dhe edukimet pasurojnë pozitivisht ose negativisht njerëzit. Ligjet me ndëshkimet po ashtu. Sidoqoftë e gjithë bota e dënoi me ashpërsinë më të madhe sulmin terrorist në Paris. Obama e dënoi sulmin terrorist dhe e nofkoi si “Cowardly,evil” (burracak e djall) si dhe premtoi për ndihmë e koordinim me shërbimet sekrete franceze për goditjen e kapjen e terroristëve. Dejvid Cameron i quajti terroristët të sëmurë dhe terrorizmin sëmundje. Merkel dënoi ashpër aktin dhe tha se Gjermania do të luftojë krah për krah me Francën për të mbrojtur lirin e fjalës dhe të shprehurit. Presidenti dhe kryeministri francez po ashtu. Dhe u shprehen për të punuar për unitetin politik francez. Kryemyftiu i Parisit, Dalil Boukaber për CNN e dënoi sulmin terrorist ndërsa ish-xhihadisti Mubin Shaik tha se ishte shumë i shokuar nga ngjarja makabër dhe se jam për lirinë e fjalës dhe lirinë e të shprehurit në shtyp.
Reagimi i politikës shqiptare dhe strofulla “Pol-Albania”
Me të drejtë të gjithë politikanët e të gjitha krahëve në Tiranë dënuan sulmin terrorist në Paris dhe vrapuan të theksonin fjalinë e shpeshtë se do të jemi në krah të aleatëve në luftën e madhe kundër terrorizmit islamik apo çfarëdoqoftë ai. Presidenti, kryeministri, shefi i opozitës, ish-lideri i opozitës, ministri i jashtëm shqiptar etj dënuan aktin terrorist. Shqiptarët si një popull tepër i civilizuar në drejtim të vëllazërimit fetar u indinjuan dhe tema e bisedës së sotme ishte ngjarja e dhimbshme në Paris dhe solidarizimi me popullin francez për fatkeqësinë e ndodhur. Por ajo që duhet të bëjë politika shqiptare apo “Pol-Albania” është të reflektojë ndaj popullit shqiptar drejt progresit e ekonomik, social, kulturor, por sidomos të qetësojë shqiptarët nga bëmat e saj tepër terrorizuese e njëherësh frikësuese. Ajo duhet të dalë nga strofulla e saj e bizantizmit të politikbërjes, ku fryma e urrejtjes midis opozitës dhe pozitës, krijimi i një fryme lufte midis dy grupimeve politike për të lënë apo marrë pushtetin kohë e pa kohë duhet të marrë fund. Aktet e terrorizmit në Shqipëri midis vetë shqiptarëve të nxitur nga politikanë e shtetarë të të dyja krahëve është më se evidente. Grupet kriminale dhe maskistë të zinj nëpër rrugët e rrugicat e Shqipërisë me BMV, Benza, Rollrojs, motorë të tipave të fundit, me armë të sofistikuara me zë e pa zë sipas porosisë e dëshirave të manjatëve politikanë e bosista, dinamit e kapsolla me gramatura farmaceutike, shpërthime uturuese lëndësh “nobeliane” në shtëpi, mure, dyqane, kompani, makina, rrugë në fusha e male tashmë janë bërë formula mizore me një “normalitet” tepër pirandik. A nuk ishin tejet gjakftohtë vrasësit e Santosit bankier shqiptar kur kryen vrasjen makabër mu në zemër të kryeqytetit në kushte thuajse të njëjtë qetësie si në rrugën pariziene kur algjero- francezët manjakistë të terrorit me veprime e ecje prej balerinësh vrisnin gazetarët e policët si të ishin koka të vogla shpendësh e largoheshin me sigurinë e qetësinë e kalëruesve shumëvjeçarë. Rrugët e kryeqytetit e të shumë rretheve në Shqipëri janë bërë nga armëmbajtësit e vrastarët si arena cirku tundonjëse për ta! Argëtuese! Dy ditë më parë në Tiranë e pranë Tiranë u vranë e u plagosën disa njerëz me njëri– tjetrin. A jemi vend terrorist apo bujtës terroristësh? E din Tirana zyrtare e politike. “Panem et circenses”! Politikanët shqiptarë përduken sikur kujtojnë shprehjen e Juvenalit: “Kemi bukë e lojëra për ta mbajtur popullin të “lumtur” “…