Testi i vërtetë i Bashës në zgjedhjet vendore
Nga Ndriçim Kulla
Për ata që njohin mirë fatin e partive të krijuara pas vitit 1989 në vendet ish-komuniste, zgjedhjet e fundit vendore në Shqipëri, për Partinë Demokratike dhe liderin e saj të ri, Lulzim Basha, kishin më tepër rëndësi se testi që do të provonte nëse PD do të mbetej përsëri parti e madhe pas ndryshimit të liderit historik dhe daljes në opozitë me një lider të ri. Shumica e partive të reja, të krijuara në vendet ish-komuniste që nga viti 1989, nuk mundën ta kalojnë dot këtë sfidë dhe, ose u shpërbënë, ose u shndërruan në parti të vogla. Partia Demokratike hyri në sfidën e zgjedhjeve me liderin e ri, e gjendur në opozitë, dhe arriti të ruajë staturën e saj si një parti e madhe, partia e dytë në vend. Shifrat e provojnë këtë gjë. Ato vota për këshillat bashkiakë, pra vota për partitë që ka marrë koalicioni i kryesuar nga PD, janë kryesisht vota të PD-së. Tanimë fjalët “kryetar i PD-së” dhe “kryetar i opozitës” janë pothuajse e njëjta gjë.
Ndryshe nga ç’ thonë disa, nuk është një dështim i Bashës që PD hyri në zgjedhje me një koalicion kaq të ngushtë. Nga PD u larguan ato parti-shushunja, të cilat me abuzimin e tyre me pushtetin e fituar në sajë të PD-së, u bënë shkak që PD të ketë rrjedhje votash. Arsyeja kryesore për të cilën PD u zvogëlua elektoralisht si parti në zgjedhjet e fundit parlamentare, përveç konsumimit të natyrshëm që sjell pushteti, ishte koalicioni me këto lloj partish. PD-së i duhet që akoma t’u ngjallë besim njerëzve se është ndarë përfundimisht nga këto parti të kryesuara nga matrapazë të pushtetit, që t’i rifitojë natyrshëm këto vota. Basha zgjodhi që midis përpjekjes sizifiane për të ruajtur koalicionin e madh të PD-së me partitë tradicionalisht shushunja të pushtetit, dhe përpjekjes herkuliane për ruajtjen e PD-së si parti e madhe, qoftë edhe me një koalicion të vogël, të bënte zgjedhjen e dytë. Në perspektivë, kjo është zgjedhja më e mirë e bërë prej kryetarit të një partie që po zvogëlohej për shkak të koalicionit me partitë shushunja të pushtetit.
Arritja e madhe e Bashës, që është ruajtja e PD-së si një parti e madhe, është meritë e padiskutueshme e tij. Kjo arritje nuk është e parëndësishme, siç mund t’u duket disave që e quajnë si një gjë të natyrshme që PD është akoma parti e madhe dhe pas zgjedhjeve të para ku në krye të saj nuk është lideri historik. Fenomeni që kam përmendur më lart, në vendet ish-komuniste të Europës Lindore me shumicën e partive të krijuara pas vitit 1989, ka ndodhur madje që në zgjedhjet e para, ku këto parti hynë pas largimit të liderit historik. Dhe këto parti, të cilat për një kohë qenë parti të mëdha që qeverisën vendet e tyre, pas largimit të liderit historik, që në zgjedhjet e para u katandisën në parti të vogla me përqindje rezultati njëshifrore. Kryetarët e tyre të rinj nuk e kaluan dot testin e ruajtjes së partisë si parti e madhe, dhe me këtë nuk e kaluan dot as testin personal të shndërrimit nga kryetarë në liderë.
Ky ishte dhe testi i vërtetë i Bashës në këto zgjedhje, domethënë, a do të ishte i zoti që ta ruante PD-në në përmasat e një partie të madhe. Këtë test Basha e kaloi me sukses. Me këtë, në zgjedhjet vendore të këtij viti, Basha, pas zgjedhjes si kryetar i PD-së hyri efektivisht në klubin e liderëve të politikës shqiptare, ku për momentin gjenden Rama dhe Meta. Basha hyri në zgjedhjet vendore të fundit si kryetar i PD-së dhe doli prej këtyre zgjedhjeve si lider i PD-së. Basha arriti të ruante bazën e elektoratit, falë të cilit kjo parti ka qenë historikisht një parti e madhe dhe që ka shërbyer si bazë për fitoret e saj në zgjedhje, madje ia doli edhe ta zgjerojë atë në krahasim me zgjedhjet e vitit 2013. Basha është një lider i ri, i cili do të rritet akoma si lider me kalimin e kohës. Çelësi i rritjes së tij është që të krijojë një frymë në shoqëri të lidhur me të, pra t’i frymëzojë njerëzit, të frymëzojë një pjesë sa më të madhe të shoqërisë si lider që ngjall besim se mund të përmirësojë jetën e tyre nëse i jepet besimi për të qeverisur. Fakti që Basha arriti ta ruajë bazën elektorale të PD-së, pas tranzicionit në lidershipin e saj, është një tregues se ai ka krijuar tanimë një frymë, domethënë se ai ngjall frymëzim te njerëzit. Pra Basha e ka atë cilësi të liderit që John Quincy Adams e përcaktonte kështu: “Nëse veprimet tuaja i frymëzojnë të tjerët të ëndërrojnë më shumë, të mësojnë më shumë, të bëjnë më shumë, e të të kërkojnë të bëhen më tepër se ç’janë, atëherë ju jeni një lider”.
Pikërisht këto presin njerëzit nga një lider opozitar, që t’i bëjë të ëndërrojnë, pastaj t’i bëjë të mësojnë sesi nga ëndrrat mund të nxirren projekte të realizueshme, pastaj t’i frymëzojë që të bëjnë më shumë për të përmirësuar vendin dhe jetën e tyre sipas këtyre vizioneve, duke kërkuar që të bëhen më tepër se ç’janë, domethënë më mirë se ç’janë. Por një lider nuk do të mund ta bënte vërtet këtë gjë nëse nuk do të kishte parasysh se frymëzimi që ai u ngjallte të tjerëve kishte si bazë njohjen e thellë prej tij të atij realiteti që Hilary Clinton e shpreh kështu: “Përshtypja ime është se, nëse ju doni të bëheni një lider, atëherë ju duhet të vlerësoni me kujdes gjendjen se ku janë njerëzit dhe ku dëshirojnë të shkojnë ata”.
Vetëm kështu frymëzimi që një lider do t’u ngjallë njerëzve do të burojë edhe nga vetëdija e tij për nevojat dhe interesat e njerëzve, të shoqërisë në përgjithësi. Por fryma që arrin të krijojë një lider i ri nuk mund të gjenerojë, nëse ky vetë nuk gjen dot burime për të. Për këtë arsye, Basha duhet të ketë parasysh maksimën e liderit shpirtëror amerikan, John Calvin Maxuell, që ka shkruar shumë për lidershipin dhe psikologjinë e liderit: “Si një lider, personi i parë të cilin unë kam nevojë të udhëheq jam unë vetë. Personi i parë që unë do të provoj të ndryshoj jam unë vetë.”
Në rastin e një lideri politik kjo ka kuptimin se tek ai mendimtari duhet të ecë para politikanit, të shkëputet prej tij dhe pastaj mendimtari ta udhëheqë politikanin në këtë shteg vizionar, duke e ndryshuar atë. Por që ta arrijë këtë gjë, Basha duhet ta plotësojë ekipin e tij të lidershipit me mendimtarë, të cilët ndjekin traditën më të mirë të mendimit shqiptar dhe të cilët nuk kanë munguar në ekipin e liderëve të mëdhenj shqiptarë që nga Ismail Qemali e më tutje. Kështu, një lider opozitar do të kompletohet për të qenë nesër një lider qeverisës. Ky është si të thuash një test filozofik për liderin, nga i cili nuk mund të bëjë përjashtim as Basha.
Basha po i kalon normalisht etapat e liderit. Pasi Basha kaloi në këto zgjedhje testin personal të ruajtjes së përmasave të partisë, për të cilin kam folur më lart, tanimë ai ka kredencialin për të hyrë në sfidën e tij të madhe politike, që t’i prijë partisë në zgjedhjet parlamentare të pas dy vjetëve, duke synuar ta rikthejë në pushtet. Problemi i vetëm i Bashës është se entourage e tij, domethënë ekipi drejtues i PD-së që punon me të, është dukshëm nën nivelin e tij. Ekipi drejtues i PD-së që është pranë Bashës, përbëhet nga dy grupe. Në të parin janë disa fytyra të reja në PD që, me ndonjë përjashtim, nuk po arrijnë ta justifikojnë veten në ekipin ku kanë hyrë. Në grupin e dytë janë disa ish-ministra dhe deputetë të PD-së gjatë disa legjislaturave, të cilët nuk arrijnë të sintonizohen me liderin e ri. PD sot ka një lider të ri, por nuk ka një ekip drejtues të përshtatshëm për këtë lider. Kjo është një e metë që PD duhet ta riparojë detyrimisht para zgjedhjeve të vitit 2017, të cilat nuk janë shumë larg, kur është fjala për të bërë punë të tilla. Sepse, nëse do të krijohet një ekip i ri pranë liderit të PD-së, atëherë ky ekip duhet të ketë edhe kohën e nevojshme para zgjedhjeve për të punuar për fitoren e PD-së. Ekipi i ri duhet të jetë i aftë që ta gjenerojë frymën e re të krijuar nga lideri, ta përçojë atë në shtresa më të gjera të shoqërisë. Përzgjedhja e bashkëpunëtorëve të aftë është gjithashtu një test për liderin e ri. Kjo gjë nuk ka të bëjë aspak me autoritarizmin në parti. PD e ka pranuar tanimë natyrshëm frymën e re “Basha”, kështu që është e natyrshme që ekipi drejtues që do të jetë pranë liderit të jetë i përshtatshëm për ta gjeneruar këtë frymë. Mospërshtatja mes frymës së liderit dhe ekipit drejtues do të shkonte kundër vullnetit të anëtarësisë së kësaj partie dhe bazës elektorale të saj.
Ky opinion është shprehje e qëndrimit të vazhdueshëm intelektual të autorit dhe nuk shpreh domosdoshmërisht opinionin e institucionit të Presidencës ku ai punon.
Mapo