Tetra Pak në partneritet për të përmirësuar zhvillimin e bulmetit në Shqipëri
Tetra Pak dhe Tetra Laval Food for Development, të dyja pjesë të Grupit Tetra Laval si dhe kompanitë e bulmetit Agroal & Global Services (AGS) dhe Lufra kanë rënë dakord për një partneritet tre-vjeçar për të përmirësuar prodhimin e qumështit në Shqipëri përmes modelit Dairy Hub. Marrëveshja u nënshkrua mbrëmjen e djeshme në një event të veçantë pranë ambienteve të Ambasadës Suedeze në Tiranë.
Përmes modelit Dairy Hub, Tetra Laval Food for Development mbështet klientët e Tetra Pak duke i lidhur ata me fermerët e vegjël dhe duke u ofruar asistencë teknike, njohuri praktike dhe trajnim për zhvillimin e prodhimit dhe grumbullimit të qumështit. Qëllimi i Dairy Hub është rritja e vëllimit të prodhimit të qumështit duke integruar mbajtësit e vegjël në zinxhirët e furnizimit të bulmetit. Në Shqipëri, partneriteti synon të përfshijë më shumë se 3,000 fermerë, prodhimi dhe të ardhurat nga qumështi të të cilëve pritet të rriten me të paktën 20-30%.
Guillaume Latourette, Drejtor Menaxhues pranë Tetra Pak për Europën Juglindore tha: “Ne jemi shumë të kënaqur që AGS dhe Lufra do të punojnë me ne për krijimin e Qendrës së parë të bulmetit Dairy Hub në Europë, e cila synon të përmirësojë produktivitetin e bulmetit, të rrisë të ardhurat e fermerëve dhe të sigurojë një furnizim afatgjatë të qumështit cilësor të prodhuar në vend, pa rritur kostot e grumbullimit. Jemi të bindur se me përpjekje të përbashkëta mund të krijojmë përfitime për të gjitha palët: fermerët, përpunuesit e qumështit, ekonominë vendase si dhe konsumatorët”.
“Është gjithmonë kënaqësi e veçantë për mua si Ambasador i Suedisë, të shoh kompanitë suedeze që forcojnë prezencën e tyre në tregun shqiptar! Më vjen mirë që Tetra Pak dhe klientët e saj të bulmetit angazhohen në zhvillimin e prodhimit të qumështit nga fermat e vogla në Shqipëri, një sektor që ka shumë nevojë si për investime ashtu edhe për asistencë teknike. Ne kemi parë që modeli Dairy Hub me mbështetjen e Suedisë ka funksionuar mirë në shtete të tjera si Bangladeshi dhe Kenia. Është nder për Ambasadën Suedeze në Shqipëri që nënshkrimi i partneriteteve të para Dairy Hub të Tetra Pak në Europë realizohet në ambjentet e ambasadës sonë,” tha në fjalën e tij Ambasadori i Suedisë, Z. Johan Ndisi.
Tetra Pak është kompania kryesore në botë që ofron zgjidhje për përpunimin dhe paketimin e ushqimeve. Duke punuar ngushtë me klientët anembanë globit, ato ofrojnë një gamë të gjerë risish, produktesh, teknologjish dhe shërbimesh inovative, duke ndihmuar kështu në ushqim të sigurtë dhe të disponueshëm, kudo. Tetra Pak ka 24,800 punonjës dhe të ardhurat për vitin 2017 arrijnë në 11.5 miliardë Euro. Më shumë informacion mund të gjeni në www.tetrapak.com
Grupi Tetra Laval është fokusuar në teknologjitë për prodhimin, paketimin dhe shpërndarjen efikase të ushqimit. Përbëhet nga tre grupe të pavarura të industrisë, Tetra Pak, Sidel dhe DeLaval, të gjithë liderë botërorë të fushës së tyre përkatëse të veprimit. Grupi ka 35,000 punonjës, të ardhurat për vitin 2017 arrijnë në 13.9 miliardë Euro dhe operon në më shumë se 170 shtete. Më shumë informacion mund të gjeni në www.tetralaval.com