Thelbi i Kontradiktës mes FMN-së dhe Qeverisë shqiptare
Nga Eduard Zaloshnja/
Në 1 janar 2014, hyri në fuqi marrëveshja aktuale mes FMN-së dhe qeverisë shqiptare, sipas të cilës e para zotohet t’i japë së dytës një kredi të butë 3-vjeçare prej 450 milionë eurosh, dhe e dyta zotohet që të shlyejë detyrimet e vjetra të qeverisë së mëparshme ndaj bizneseve dhe individëve në vlerën 700 milionë dollarë (me kursin e këmbimit të janarit 2014).
Nga 1 janari 2014 deri në 30 shtator 2015, qeveria shleu 500 milionë dollarë detyrime të vjetra dhe pagoi 700 milonë dollarë interesa për borxhet e akumuluara ndër vite.
Por si u financua kjo shumë prej 1.2 miliardë dollarësh që shkoi për të shlyer detyrime të së shkuarës?
Gjatë periudhës së mësipërme, shpenzimet buxhetore ishin 900 milionë dollarë më të larta se të ardhurat.
Pra, është marrë borxh i ri prej 900 milionë dollarësh për të shlyer detyrime/interesa të së shkuarës.
Dhe përveç këtij borxhi të ri, janë shpenzuar edhe 300 milionë dollarë nga të ardhurat e taksava e tatimeve, për të financuar shumën totale prej 1.2 miliardë dollarësh që shkoi për të shlyer detyrime të së shkuarës.
Nga 1 tetori 2015 deri ne 31 dhjetor 2016, parashikohet të shpenzohen edhe 200 milionë dollarë për detyrime të vjetra dhe 500 milionë dollarë për interesa të borxheve të akumuluara ndër vite (gjithsej 700 milionë dollarë).
Aktualisht FMN-ja i kërkon qeverisë që vetëm 400 milionë nga kjo shumë të financohen me borxh të ri dhe 300 milionë të financohen me të ardhurat nga taksat dhe tatimet.
Dhe duke parë performancën e derisotme të sistemit fiskal, po i kërkon qeverisë që mos t’i ulë taksat për sektorë të veçantë, siç synon ajo.