Thirrje ndërkombëtare për luftë të ashpër kundër korrupsionit

Nga Lavdrim Lita/Parlamenti Europian ka miratuar këtë të enjte rezolutën për Shqipërinë, në të cilën thuhet se, në vend nevojiten më shumë përpjekje për luftën kundër korrupsionit. Në rezolutën për Shqipërinë thuhet se, nëse dëshiron fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE, duhet të intensifikojë reformat në fushat më prioritare siç janë: sundimi i ligjit, reforma gjyqësore, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reforma në adminstratën publike, si dhe të drejtat themelore.  Eurodeputetët vazhdojnë të mbeten të shqetësuar për nivelin e lartë dhe shtrirjen e korrupsionit në arsim, shëndetësi, gjyqësor e fusha të tjera.

Në ditën e parë të vizitës së lartë të kryeministrit Edi Rama në Uashington, Departamenti i Shtetit Amerikan botoi edhe raportin e përvitshëm për të Drejtat e njeriut. Për Shqipërinë, dokumenti vë në dukje se korrupsioni është problem dhe i përhapur në të gjitha degët e qeverisë, veçanërisht brenda sistemit të drejtësisë dhe në shëndetësi. Korrupsioni, thekson dokumenti, është i përhapur edhe në radhët e policisë, në institucionet arsimore, përfshirë këtu edhe universitetet  publike.
Ndërkohë në raportin e fundit të progresit 2015 të Komisionit Europian për Shqipërinë, fjala korrupsion përmendet 99 herë. Që kur Brukseli filloi praktikën e raporteve të progresit në vitin 2005, ky ishte edhe numri më i lartë. Raporti ku fjala korrupsion përmendet më pak është ai i vitit 2007 me 29 herë. Fjala ‘korrupsion’ është përmendur në kuptim pozitiv në 21 raste (luftë kundër korrupsionit), në kuptim negativ në 59 raste (nuk ka pasur dënime për raste) dhe në kuptim neutral në 19 raste.
Raporti i vitit 2014 ka qenë në përgjithësi lavdërues duke renditur një sërë masash të ndërmarra nga qeveria në luftën kundër korrupsionit ndërsa për vitin 2015, lavdërimet ishin të kursyera. Në raportin kaluar  theksohet se qeveria shqiptare “ka ndërmarrë hapa të mëtejshëm dhe ka demonstruar vullnet të vazhdueshëm politik për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin”. Por për këtë vit shkruhet: “vendi ka arritur disi vend përgatitjeje në luftën kundër korrupsionit”. Vullneti politik në luftën kundër korrupsionit nuk përmendet më. Gjithashtu, në raportin e 2014, shënohej si pozitive rritja e numrit të denoncimeve në prokurori të ish – zyrtarëve të lartë për korrupsion. Por për 2015, raporti vendoste theksin te mungesa e gjithanëshme e dënimeve për korrupsion të zyrtarëve të lartë ndërkohë që denoncimet e bujshme të vitit të kaluar nuk kanë sjellë deri tani asnjë dënim konkret.
Pandëshkueshmëria është një prej problemeve të tjera me të cilat përballet Shqipëria. Sipas raportit të DASH: “Ndjekjet ligjore dhe sidomos dënimet e zyrtarëve që kanë kryer shkelje kanë mbetur sporadike dhe të paqëndrueshme. Zyrtarët, politikanët, gjykatësit dhe personat me lidhje të fuqishme biznesi shpesh kanë mundur t’i shpëtojnë ndjekjes penale”.
Sido që të jetë, një gjë është e sigurtë:  nëse Shqipëria dëshiron fillimin e negociatave të anëtarësimit, duhet të intensifikojë reformat në fushat më prioritare. Po ashtu është e qartë që korrupsioni pengon punën e qeverisë, kufizon prosperitetin ekonomik, ndikon në cilësinë e demokracisë dhe zvogëlon legjitimitetin e qeverisë. Korrupsioni bllokon burimet publike, kufizon sipërmarrësit dhe largon investimet e huaja dhe vendase.
*Autori është gazetar nga Tirana dhe njohës i mirë i rrethanave politike e shoqërore në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. MA në Kolegjin Europës.

SHKARKO APP