“Tiranë-Rinas-Durrës, do të ndërtojmë hekurudhën”

Edmond Haxhinasto, e ka bërë me dije gjatë takimit të Observatorit të Transportit të Evropës Jug-Lindore (SEETO). Ku kryefjalë e këtij takimi ishte pikërisht konkretizimi i rrjeteve rajonale me investime dhe adoptimi i metodologjive të suksesshme evropiane për planifikimin, projektimin dhe implementimin e projekteve me rëndësi rajonale. Teksa më tej, për sektorin detar dhe atë ajror, ministri Haxhinasto u ndal në rritjen e kapaciteteve të porteve shqiptare, si edhe nevojën për më shumë lidhje ajrore me fqinjët dhe vendet e Evropës Perëndimore, por edhe nevojën e ndërtimit të Aeroportit të Jugut, si katalizator i turizmit në vend. Dhe në tërësi, sipas tij, paraqet rëndësi mjaft të madhe bashkëpunimi rajonal dhe integrimi i sektorit të infrastrukturës së transportit si i tillë. Në këtë kuadër, Haxhinasto i bëri referencë fokusit, që rajoni ka marrë në konferencën e Berlinit, në gusht të këtij viti dhe ftoi ministrat e tij homologë të rajonit, që të bashkojnë forcat për shfrytëzimin e kësaj mundësie, që po i jepet rajonit nëpërmjet krijimit të sinergjive, duke pasur një plan veprimi të përbashkët për zgjidhjen e sfidave në planifikim dhe implementim të investimeve, me qëllim final lidhjet intermodale të rrjeteve tona kombëtare me ato evropiane. "Ka ardhur koha  të vendosim për hapa konkrete të përbashkëta, sepse axhenda jonë për integrimin evropian është e njëjtë; nevojitet më tepër koordinim për të planifikuar më mirë në menyrë që, sipas udhëzimeve edhe të Komisionit Evropian, të  nxjerrim segmentet kyç nga rrjeti gjithëpërfshirës, në mënyrë që të rrisim kthimin e investimit për projektet tona, për të tërhequr edhe partnerë privat", – tha ai gjatë fjalës së tij lidhur me një fakt të tillë. Kurse ndër zhvillimet në vendin tonë, ministri Haxhinasto përmendi reformat në sektorin e transportit, rritjen e standardeve, si edhe metodologjinë e prioritarizimit të investimeve me fokus rëndësinë ekonomike të veprave, turizmin dhe veçanërisht lidhjeve me fqinjët. Por theksoi edhe eksperiencën e vendit tonë, ku janë disafishuar fondet për sigurinë rrugore dhe mirëmbajtjen e rrugëve. 

Gjithashtu, ai shtoi se nëpërmjet këtyre hapave synimi është liberalizimi i mëtejshem i  shërbimeve të transportit në rajon edhe me vendet e Bashkimit Evropian. 

 

 

PRIORITETET

“SEETO të ketë në vëmendje edhe elementë të tjerë të infrastrukturës, veç investimeve kapitale, siç janë siguria rrugore, standardet e projektimit dhe implementimit, si edhe mirembajtja, jo vetëm si masa shumë efikase në rritjen e sigurisë në rrugë, por edhe si metodologji optimizimi të infrastrukturës aktuale”.

 

 

SHKARKO APP