Tjetër padi ndaj Ministrisë së Financave dhe Thesarit
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar reagon institucionalisht ndaj bllokimit të pagave të magjistratëve dhe administratës gjyqësore, duke paraqitur padi pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.
Të paditur janë Ministria e Financave dhe Dega e Thesarit.
20 përfaqësues të gjykatave, përfshirë edhe të Gjykatës së Posaçme, por edhe të Prokurorisë, kanë nënshkruar kallëzimin penal ndaj Ministrit të Financave, Petrit Malaj, Sekretarit të Përgjithshëm, Klentian Kërri dhe përgjegjësve të degëve të Thesarit. Shkak është bërë refuzimi, sipas tyre, i kalimit të pagave me rritjen sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Paditësi i kërkon gjykatës detyrimin e organeve financiare për të ekzekutuar menjëherë listëpagesat e mbështetura në Vendimin nr. 435 të KLGJ-së dhe Urdhrin nr. 73 të Zëvendëskryetarit të Apelit të GJKKO-së, pa e kushtëzuar këtë proces me rikthimin te parametrat e pagave të muajit Korrik.
Paralelisht, është kërkuar edhe një masë sigurimi padie për të pezulluar menjëherë efektet e aktit të Ministrisë së Financave dhe për të zhbllokuar sistemin e Thesarit.
Arsyetimi ligjor i parashtruar në padi mbështetet në zbatimin e Vendimit nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese dhe aktit pasues të KLGJ-së. Këto akte përcaktuan përllogaritjen e re të pagës bazë referuese sipas Kategorisë I, Klasa I-2, në masën 222,425 lekë për pagën e pozicionit, së bashku me një shtesë prej 14,000 lekësh për kualifikimin.
Sipas padisë, kontrolli financiar i pushtetit ekzekutiv nuk mund të tejkalojë kufijtë ligjorë për t’u shndërruar në një kontroll administrativ apo pezullim faktik të akteve të vetëqeverisjes gjyqësore.
Më tej, padia vë në dukje se bllokimi i Thesarit ka prekur në mënyrë të paligjshme edhe stafin e administratës gjyqësore, ndaj të cilëve nuk ekziston asnjë debat apo pengesë ligjore.
Gjykata gjithashtu argumenton një qëndrim me dy standarde nga ana e organit ekzekutiv, pasi detyrimet fiskale dhe shoqërore janë mbajtur nga organet tatimore sipas parametrave të pagës së re të rritur, ndërsa vetë ekzekutimi i pagave për punonjësit është bllokuar në mënyrë arbitrare.
Sakaq, Gjykata Administrative ditën e sotme ka dhënë urdhër që të paguhen gjyqtarët e GJKKO.
KOHA JONË SONDAZH

