Tomorri, që mban nën “këmbë” Bogovën, perlën turistike
Pikërisht nën “këmbët” e malit të Tomorrit, kësaj enigme mitologjike, pasi ke përshkruar 12 kilometra rrugë nga qyteti i Policanit, shtrihet Bogova. Në fillim përballesh me nje urë që ndan fshatin në dy pjesë. Në të dy krahët e saj ndodhen lokale, restorante dhe hotele, pasi e tille eshte Bogova, fshat që jeton me turizmin. Gjelberimi i pyjeve shtrihet nga të gjitha anët, deri tek “Rezervati i Bogovës”, pyll i cili sipas banorëve, ka qenë i preferuar për gjueti nga ish-udheheqja e kohës së monizmit. Është plotë një siperfaqe prej 350 hektarësh pyll, ku të pasionuarit e gjahut mund të gjejnë që nga derri i egër, lepuj, e deri tek dhelpra.
Në të gjitha lokalet e fshatit ka burime uji që rrjedh nga mali dhe pronarët kanë shkrirë gjithë fantazinë, për të sjell në forma të ndryshme këtë dhuratë të natyrës e për ta shfrytëzuar për bizneset e tyre. Në oborret e lokaleve, restoranteve, ka gjithmone mjete të parkuara, gjë që tregon se këtu nën Tomorr, problemet ekonomike mundohen t’i mbulojnë me burimet turistike.Targat e ndryshme të makinave tregojnë se vizitorët janë nga vende të ndryshme, të huaj e vendas, që kanë udhëtuar kilometra rrugë për të shijuar natyrën, por dhe ushqimin dhe pijet e zonës. E ndërsa sistemohesh në lokalet komode, ku ajri i pastër dhe gjelberimi është me shumicë, nga kodrat matanë lumit shikon banorë që punojnë të qetë, pasi këtu turizmi ecën se bashku me blegtorinë, pemtarinë dhe bujqësinë.
Bogova, dikur një fshat i zakonshëm malor, sot enderron të instaloje statusin e vendit turistik.
Për banorët e vjetër dhe të rinj, sot Bogova e ka marrë “pasaportën” e një vendi turistik, fale natyrës që ka, por dhe punës së madhe të njerëzve që e duan dhe që kanë lidhur jetën me të. Bogova ndodhet në lartesinë 265 m mbi nivelin e detit dhe ketë e dëshmon dhe klima që mrekullon të gjithë vizitorët. Dikur Bogova ka qenë një lagje e Policanit, e cila u popullua rreth viteve 1950-të, por që morri zhvillim pas viteve ’90, kur edhe u krijua si njesi administrative. Ajo që e bën të vecantë Bogovën nuk është vetëm natyra, por dhe popullsia që sa vjen dhe rritet, ndryshe nga fshatra të tjerë që braktisen. Sot komuna përbëhet nga nëntë fshatra, Bogova, Novaja, Bargullasi, Nishova, Kakruka, Dobrusha, Perparimi, Selani dhe Jahupasi, duke regjistruar rreth tre mijë banorë.
Lokalet që ofrojnë dhe shërbime hotelerie shërbejnë gjithcka, që ka lidhje me zonën. Këtu mishi në hell i qingjit apo kecit, sipas sezonit, ka shijen e malit dhe si i tillë është zgjedhja e cdo vizitori. Pijet e prodhuara ne zonë, si rakia dhe vera, shoqerojne mishin, por dhe djathin dhe perimet e zonës. Një ditë në Bogovë, të bën të harrosh cdo dietë, pasi e tillë është zona tërheqëse ndaj ushqimit, që me mburrje banorët e konsiderojnë bio.
Vizitorët, që në përgjithësi e njohin zonën, pasi kanë përshkruar historinë e Beratit, i tundon për së largu Skrapari, që të kujton peligrinazhin drejt malit të shenjtë të bektashinjve. Pikërisht, në ditët e peligrinazhit në Bogovë ndalen në udhëtim pelegrinët nga të katra anët e vendit, por jo vetëm, për t’u qetësuar në këtë perlë që natyra i ka falur të gjitha, por qe njeriu duhet të bëjë më shumë.
Në përgjithësi, këdo që ndesh e bisedon, te flet me pasion për Bogovën dhe vendet e bukura rreth saj. Ata janë pasionante dhe kerkojnë të bëhet më shumë per këtë vend kaq tërheqës per vizitorin. Duke vlerësuar mrekullinë e natyrës, potencialin turistik, punën e palodhur të banorëve që nëpër kodra kullosin bagetinë, mbledhin bimë medicinale, erëza për kuzhinën, kultivojnë rakinë e verërat. Duke konsideruar si potencial investimet e dhjetëra bizneseve në hotele, restorante, ata nuk rreshtin së foluri për Bogovën. Zhvillimi i mëtejshëm i Bogovës lidhet me përmiresimin e gjendjes së infrastrukturës rrugore. Ato pak kilometra rrugë që e lidhin me Beratin dhe Skraparin, ndodhen në gjëndje të keqe. Është për t’u vlerësuar fakti që dhe pse me një infrastrukturë që le për të dëshiruar, Bogova vizitohet cdo vit nga dhjetë mijë vizitorë.
Këtë fillim sezoni turistik, Bogova e gjelbëruar pret dhe përcjell vizitore që mahniten nga pozicioni i saj natyror, gjelbërimi, uji i ftohtë dhe natyral, sherbimi i ofruar nga banorët, por që diçka duhet bërë që vizitorët dhe turizmi në këtë zonë të jetë i pranishëm në stinën e verës.