Tradita gorare
Nga Besnik Bedollari
Gora është një vlerë sa krahinore aq dhe më gjerë në drejtim të pasurisë ento-kulturore. Është një krahinë e vjetër e njohur për karakteristikat e saj formuese. Emri i saj ndeshet në histori, në rrëfime e të dhëna gojore por dhe shumë burime të shkruara. Krahina e Gorës ndodhet në veri-lindje të qytetit të Korçës. Kufizohet në veri me krahinën e Mokrës dhe me rrethin e Gramshit. Në lindje me fushën e Korçës. Në perëndim me krahinën e Oparit dhe në jug me zonën e Vithkuqit. Krahina përshkohet nga lumi Devoll dhe nga rruga automobilistike Maliq-Gramsh që ndjek shtratin e lumit duke e ndarë krahinën në mes. Kjo krahinë ka pasur dhe ka në gjirin e saj njerëz të thjeshtë, të urtë, punëtorë, bujarë,atdhetarë dhe arsimdashës. Njerëz të punës ku ka zënë vend zejtaria. Kushtet për jetesë, banim dhe ushqim e detyronin fshatarin të zgjidhte, përpunonte e të zhvillonte gjithçka sipas kushteve dhe nevojave që i paraqiteshin. Zanafillën e saj zejtaria në krahinën e Gorës e ka që në kohët e hershme. Nevojat për veshmbathje e detyronin fshatarin të përpunonte leshin e lëkurën. Gjithashtu të ngrinte shtëpi dhe kasolle e të sajonte vegla pune e pajisje shtëpie. U krijua artizanati cilësor i përpunimit të qilimave, levenxave që tregtoheshin dhe jashtë vendit, të cilat patën ndikim të madh në fshatarësitë gorare si në pikëpamjen ekonomike dhe atë kulturore. Populli i krahinës së Gorës është i hershëm me rrjedhje brezash e vazhdimësi kombësie. Gjatë jetës së vet plot luftwra, vuajtje, gëzime e hidhërime ai ka formuar kulturën e vet materiale e shpirtërore. Fshatrat e krahinës së Gorës kanë shtrirje të gjerë të vendosura rrëzë malesh dhe kodrash të ndërtuara me shije e sa më pranë vend-burimeve me ujë. Shtëpitë janë grumbull, përbri njëra-tjetrës. Vizitorë të huaj kanë thënë për gorarët se janë: ‘njerëz të thjeshtë, shtatmëdhenj, flokëgështenjë e fytyrërregullt’. Në pamje të parë duken të ashpër por me ta miqësohesh shpejt. Në përgjithësi është vend i qeshur fshatra piktoreske dhe me ujra të bollshëm. Popullsia është punëtore e zgjuar, më e pasur dhe më e kulturuar se ajo e krahinave të tjera të aksit malor. Janë mikpritës dhe të besës. Përsa i përket arkitekturës ndërtesat e banimit janë dykatëshe të ndërtuara me gurë e të mbuluara me plloça. Me dyer dhe dritare të një madhësie disi mesatare. Kati i dytë zakonisht përbëhej nga dy dhoma me korridor në mes ku njëra përdorej për fjetje dhe tjetra për pritjen e miqve. Dhomat e katit të parë përdoreshin njëra për gatim dhe tjetra për qilar. Por të shumta kanë qenë dhe shtëpitë me dy ose tri dhoma njëkatëshe. Në Gorë rrallë gjendej shtëpi pa pushkë brenda. Këto gjithmonë për t’u mbrojtur nga armiqtë. Përsa i përket veshjes, ushqimit dhe dokeve krahina e Gorës si çdo krahinë tjetër ka karakteristikat e veta. Burrat deri nga fundi i shekullit XIX mbanin cibun ose fustanella pëlhure me qylaf të zi ose kapele në kokë. Më vonë filluan të veshin rroba të shajakta në përgjithësi të punuara vetë të cilat më vonë u zëvendësuan me stofë e pantallona qillotë. Gratë mbanin jelek të shkurtër të qëndisur anash me gajtan dhe rrallë vishnin çitjane të gjera, me disa metra pëlhurë e zezë. Në fund kishin këmbëza të ngushta të qëndisura me gajtan të zi. Mbanin ferexhe të zeza prej stofi që ishin të gjera e të gjata. Në kokë gratë mbanin shami të zeza ndërsa vajzat e nuset mbanin shami të holla të qëndisura anët me hoje që zakonisht punonin vetë. Si ushqim gorarët kanë përdorur misrin dhe grurin. Buka e grurit në përgjithësi përdorej në ditët festive dhe kur vinte miku. Përdorej shumë fasulja, bollguri, tranaja, petkat dhe mishi gati traditë e trashëguar edhe në ditët e sotme. Mishi zakonisht vazhdon të bëhet pastërma duke u përdorur gjatë dimrit. Përdorim i gjerë i bulmetit do të kemi: qumështin, kosin, gjizën, djathin, gjalpin dhe dhallin. Gjithashtu, është përdorur pekmezi zakonisht prej dardhe e rrushi. Do përmendim zahirenë dimërore të qilarit me turshitë e lakrës, domates dhe specave që janë padyshim lezeti i mezesë në sofër me rakinë në krye, ku peshë kryesore në muhabete të ndryshme me miq zë dollia. Dollinë e parë e çelte i zoti i shtëpisë me një të afërm duke e gjetur si të parë ose sekretar dollie. Më tej të gjithë i ndiqnin nga pas duke pirë shëndetin që përmendte i zoti i dollisë. Dollinë e dytë e bënin miqtë. Kurse dollinë e tretë e bënin vëllazëria, pra të afërmit e të zotit të shtëpisë duke pirë dhe disa shëndete më shumë a ndonjë të pakujtuar. Nëse vëmendja nuk ishte e plotë nga gjithë pjesëmarrësit në sofër të muhabetit kishte dhe ndëshkime duke pirë një gotë raki me fund. Nëse përsëritej përsëri dënimi bëhej më i rëndë. Ndërsa njëri nga pjesëmarrësit do mbushte gotat e rakisë duke mos mbetur në asnjë shëndet gota bosh. Ai quhej sakë. Për përgatitjen e ushqimit përdoreshin enë bakri e balte. Buka piqej me çerep prej balte. Përdorej në masë kulaçi, lakrori me dy petë, byreku me gjellë të ndryshme si: qumësht e vezë, kos, presh, qepë e kungull. Ushqimi zakonisht hahej në sofër ulur përqark saj dhe me lugë druri. Për ndriçimin e dhomës në masë është përdorur pisha e cila vendosej në pishtar të gjatë gati gjysmë metër. Më vonë u përdor kandili me vajguri dhe qiriri. Më tej doli llamba me vajguri. Rrobat për fjetje zakonisht ishin të leshta. Si shtrojë përdorej minderi apo dysheku i mbushur me thelma. Poshtë tyre përdorej rrogozi. Si mbulesë përdorej levenxa e leshtë, duke filluar më vonë me jorganin dhe çarçafin,dyshekun dhe batanijen. Në biseda të ndryshme kemi dëgjuar për miq që kanë fjetur në Gorë: “kemi nostalgji të bëjmë një gjumë në verë mbuluar me jorgan”. Përsa i përket lindjeve në familje, lindja e një fëmije ishte një gëzim i madh. Më shumë festohej lindja e fëmijës së parë sidomos kur ishte djalë, ku pas 10-15 ditësh të lindjes fëmijës i vihej emri. Bëheshin navigjet, ku mblidheshin miqtë. Në sofër lëshohej bukuvalja. Plaku i shtëpisë ose dajot propozonin emrin e fëmijës. Pasi mblidheshin lugët gotat etj, nga sofra tundeshin me një sepet duke bërë zhurmë në mënyrë që fëmija mos mbetej shurdh. Lindja e fëmijës zakonisht bëhej nën kujdesin e grave të moshuara me përvojë. Martesa është një tjetër gëzim i madh i familjes dhe fisit. Krushqia lidhej me ndërmjetës që quhej mblesatar, i cili merrte përsipër lidhjen e krushqisë. Ai punonte me ngulm e durim derisa ia arrinte qëllimit në shpalljen e fejesës mes dy të rinjve. Mblesatari merrte shpërblim më pas nga dhëndri. Deri nga fillimi i shekullit dasma bëhej ditën e enjte. Për dhëndrin dasma fillonte një javë më parë. Ndërkohë sitej mielli e ziheshin bukët me qiqra,tërhollej bakllavaja e dërgohej kutia e tualetit dhe rrobat. Kurse për nusen fillonte tre ditë më parë, kur ajo vinte kënanë dhe stolisej për nusëri të cilës i këndonin bukurisë dhe hijeshisë së saj. Miqtë sillnin të gatuara dhe bakllava ose revani dhe dy-tre ditë bukë. Ndërsa të afërmit, sidomos dajua vinte në konak me 7-10 veta nga farefisi i tij duke marrë me vete bukët, mishin, rakinë etj. Për dhëndrin pak ditë para dasmës i viheshin njerëz pranë duke mos e lënë të bëjë punë apo shumë lëvizje në mënyrë që mos i bënin magji. Të enjte në mëngjes ai lahej rruhej dhe vishte rrobat e dhëndërisë. Berberi doravitej me sende e peshqeshe të ndryshme nga të pranishmit. Kurse nga ana e nuses dasma fillonte kur vinin miqtë e të afërmit. Në mbrëmje shtrohej darka dhe ditën tjetër me përcjelljen e nuses dasma quhej e mbaruar. Për marrjen e nuses prindërit e djalit caktonin krushqit hipur në kuaj. Ndërsa tre veta ecnin në këmbë, njëri tërhiqte kalin dhe dy të tjerët e mbanin nusen për krahu. I pari i krushqve para nisjes doraviste nusen dhe atë që përgatiste nusen. Doravitnin dhe tabakanë e sherbetit ku ishin vendosur dy gota, njëra me sherbet të bardhë dhe njëra me sheqer të kuq. E para ishte e dhëndrit dhe e dyta e nuses. Kur nusja hipte në kalë e mbuluar me duvak të kuq i pari i krushqve hidhte sipër duvakut një grusht oriz të përzier me monedha metalike. Gjithashtu, një sërë adetesh e prisnin nusen në derën e dhëndrit. Ndërsa përsa i përket festimeve gorarët do të festonin Ditën e verës, Bajramin. Sulltan-Novruzin. Pashkët. Si ne gjithë Shqipërinë dhe në Gorë ka një harmoni të shkëlqyer midis besimeve fetare. Por një pasuri folkorike ka qenë dhe kënga që gatuhej në shpirtin e gorarit nëpër gëzime festa dhe muhabete. Ata i kanë kënduar dashurisë, trimave, kapedanëve vendlindjes, ku zakonisht i pari ia thoshte dhe tjetri ia priste ndërsa grupi bënte iso. Le të përmendim disa vargje ku i këndohet dashurisë dhe së bukurës. Djalit çupa për sevdanë/ në sy shihnin nën’ e baban/ dashuria skish të sosur/ për at’ zemrën e vrerosur. 2. Ç’janë këto llafe moj xhania/ që moj dalin nga fshati/ të vërteta s’janë moj xhania/ janë moj nga inati. 3. O ju malet me dëborë/ pse s’qani hallet e mia/ jam sëmurë e s’lëviz dot/ më ka zënë pleqëria. 4. Kur më zbret nga mali/ si llastar me gjethe/ fytyrën s’ta pashë/ shpirtin seç ma trete. 5. O një hall që kam,njeri nuk ma di/ e si t’ja bëj un’ o i varfëri/ o si për inat,më rri për karshi/ o si ta bëj, unë i varfëri. 6. Po kjo anë e lumit/ ka bilbila shumë/ dale bandill dale/ jam i vogël unë. 7. U mbush oda plotë bandillë/ moj bashbandilleja/ na kërkojnë Mamudinë/ moj bashbandilleja. 8. Potgori e Korçës/ rrëzë atij mali/ mbamë djalë mbamë/ se rashë nga kali/ pran çupës syzezë/ ai trim gorari/ mbamë djalë mbamë/ se rashë nga kali. 9. Do ta prish shtëpinë/ do luaj lëndinë/ do ta marr moj nëne/ kapedan Shahinë. Janë pa fund këngët e Gorës. Një vend të rëndësishëm zë dhe vallja gorarçe me një koreografi mjaft të arrirë artistike. Ndoshta me shumë të drejtë dhe poeti ynë i madh Dritëro Agolli ka thënë që ne ua kemi marrë vallen duke nënkuptuar devolliçen. Gjithsesi është pak me kaq të flasësh për traditat dhe folkun gorar, por do doja ta mbyllja këtu këtë shkrim modest duke shprehur urimin karakteristik të krahinës sonë ndoshta më të bukurin në gjithë Shqipërinë: “Ju ndjefsha gjithmonë zërin e mirë. Shtëpi, nder e gëzim kudo në familjet tuaja”.