
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar lidhur me mosvënien në dispozicion të vendimit të transferimit nga burgu i Durrësit në atë të Fierit.
Përmes një postimi në Facebook, Veliaj kërkon që t’i vihet në dispozicion autorizimi i Kryeministrit, mbi bazën e të cilit autoriteti përkatës është autorizuar të klasifikojë dokumentin si sekret.
Më herët Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, informoi se janë respektuar procedurat ligjore, por se arsyeja e kësaj lëvizjeje, është sekret shtetëror. Në njoftim sqarohet se Veliaj është vendosur në seksionin e pranimit në Fier ku trajtohen të gjithë ata që transferohen për herë të parë në një burg.
Postimi i plotë nga Veliaj
U deshën 31 orë që më në fund të na thuhet se vendimi është sekret!
Pra, jo vetëm që nuk na vihet në dispozicion akti, por synohet të na mohohet edhe mundësia për ta njohur, kundërshtuar dhe ankimuar efektivisht atë.
Ateherë kalojmë në faqen tjetër të kësaj maskarade: nga arbitrariteti i vendimmarrjes te fshehja e saj pas sekretit shtetëror!
Na vini në dispozicion autorizimin e Kryeministrit të vendit që ju autorizon si autoritet klasifikues.