Transparenca e koncesioneve, Ahmetaj: Çdo kontratë me prokurim publik

Për të rritur transparencën e koncesioneve apo e kontratave Partneritet Publik Privat, qeveria do të bëjë të gjitha procedurat nëpërmjet prokurimit publik. Gjatë raportimit në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, Ministri i Financave dhe i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, u shpreh se është hera e parë që një qeveri merr një masë që është vetëkufizuese dhe ku detyrohet të jetë transparente ndaj Kuvendit. Sipas tij, kostoja për këto kontrata nuk do të kalojë 5% e  të ardhurave tatimore të vitit paraardhës.

“Gjithë debati për PPP-të duket sikur Shqipëria ka devijuar. Jo që s’kemi devijuar, po ne nuk kemi filluar ta ushtrojmë këtë instrument. Nuk kemi filluar ta ushtrojmë aq sa duhet këtë instrument, të kontratave PPP me privatin. Nuk kemi filluar ta ushtrojmë, akoma. Dhe prandaj punojmë me Fondin Monetar Ndërkombëtar, që të jemi shumë të strukturuar në menaxhimin e risqeve fiskalë. Dhe më besoni që jemi larg 5 përqindëshit akoma. Në mos gabohem s’kemi shkuar as 3%, 2.4% jemi, as 3% s’kemi shkuar. Pra kemi dhe një 2.6% për të ezauruar për të qenë në nivelin maksimal i lejuar nga ligji organik i buxhetit. Elementin e 5% do ta kontrollojë Ministria e Financave, qeveria, ka ligj organik të buxhetit, që thotë 5% të totalit të të ardhurave tatimore të vitit paraardhës dhe nëse kalohet, brenda 2 viteve korrektohet”, tha ministri Ahmetaj.

Por nga kryetari i komisionit Erjon Brace, është kërkuar një kontroll më i madh i këtyre marrëveshjeve nga ana e Kuvendit.

“Nuk do të ishte më mirë që në kontrata të tilla afatgjata të përfshihet edhe Kuvendi në vendimmarrje. Por jo në atë vendimmarrjen “o merre o lëre”. Se kjo është propozuar edhe me atë nismën e fundit, që Kuvendi të ketë rolin e noterit të fundit, ku zakonisht përgjegjësia bëhet kolegjiale dhe nuk mban më përgjegjësi kurrkush për atë kontratë që keni nënshkruar. Që nga çasti që qeveria mendon se do të hyjë në një marrëdhënie koncesionare, bëhet pjesë e transparencës së gjithë procesit, garës gjithashtu, negocimit të kontratës dhe pastaj ju bëni çfarë të doni, po ama Kuvendi të jetë pjesë e procesit, jo e noterizimit të një procedure ku s’ka qenë kurrë pjesë, madje s’ka pasur as dijeni fare në këtë pjesë”, tha Braçe.

Ndërsa deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e ka konsideruar paaftësi të qeverisë që shumë shërbime po i kalon tek privati.

“Fatura e koncesioneve është totalisht e papranueshme rritja me këtë ritëm kaq të lartë duke pasur parasysh se janë të gjitha kontrata shërbimesh, që nuk keni aftësinë juve t’i zbatoni dot si qeveri. Dhe detyrimi që do të lindë në kontratën prej 1 miliard, që opozita ka shqetësimet e saj se nga do të financohet, paratë e drogës dhe hashashit që përmenden shpesh do të futen në ekonomi nëpërmjet kësaj kontrate, janë rreziku më i madh që i kanoset buxhetit të vitit 2018”, u shpreh Tabaku.

Seanca e këtij komisioni mbi koncesionet është shoqëruar me debate, sidomos për mënyrën e funksionimit apo kostot që i japin buxhetit të shtetit këto marrëveshje. Ndër më të debatuarit ishte koncesioni i check-up, markimi i karburanteve, skanimi dhe ai i pullave fiskale.

SHKARKO APP