Tulipanët e Holandës

 

Behxhet sh. Shala

Gjykata Speciale e Ban ki Thaçit : Puna e kësaj Gjykate Speciale nuk po del të jetë aspak diçka speciale. Madje po bëhet diçka e neveritshme sepse nuk po buron nga një vullnet i natyrshëm që të luftohen dhe dënohen të gjitha krimet ( jo vetëm krimi që supozohet se është kryer nga UÇK !!) e që nënkupton se përpjekja për drejtësi selektive  është padrejtësi e përgjithshme e cila nuk ka të bëjë asgjë me drejtësinë! Është e gjykuar të dështojë dhe sigurisht se do të dështojë sikur që dështoi edhe Tribunal i Hagës që u përdor si instrument për vendosje të një baraspeshe politike duke e injoruar faktin për çka u themelua . Ky Tribunal e ruajti një status quo që vetëm mbështjellësin e kishte të suksesshëm ndërsa përmbajtja mbeti e pandryshuar apo me shumë pak ndryshime. Mbeti Bosnja e ndarë dhe jofunksionale , mbetën problemet midis Kroacisë dhe Serbisë të pazgjidhura , u thellua kriza në ish Maqedoni , Lugina e Preshevës u shndërrua në Golgotë për shqiptarët që kanë mbetur të jetojnë atje, të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi nuk po dhunohen fizikisht por ligjërisht ndërsa në Kosovë u shartua modeli boshnjak i një shteti jofunksional dhe të ndarë ku Serbia u bë faktor përcaktues dhe kushtëzues për thuaja të gjitha çështjet që në shtetet normale do të ishin çështje ekskluzive të një shteti të pavarur dhe sovran e që ne qartazi po shihet se nuk jemi.  Për më keq, një pjesë e madhe e ndërkombëtarëve që e shkërdhuen Bosnjën pas së cilave lindi kopili si Dodik dhe të tjerët, të njëjtin aktivitet e vazhduan në Kosovës . Dhe nuk e keni vështirë ta shihni dallimin midis Bosnjës  dhe Kosovës sepse edhe nuk ka dallime që shihen dhe maten.. Unë nuk kam qenë për themelimin e kësaj Gjykate as nga forma e as nga përmbajtja. Kam qenë dha jam për një Gjykatë që ndanë drejtësi për të gjitha viktimat pavarësisht përkatësisë etnike, fetare , bindjeve politike , statusit social apo diçkaje tjetër sikur që jam për ndjekjen dhe dënimin e merituar për të gjithë ata që urdhëruan krimin, e bënë krimin , nuk e penguan krimin apo e arsyetuan krimin .Thjeshtë,   viktimat të trajtohen si viktima ndërsa kriminelët si kriminelë! Kështu unë e shoh drejtësinë . Këso Gjykate nuk e gjeni në asnjë vend të botës dhe nuk do ta gjeni kurrë sepse shtetet normale nuk e lejojnë këtë. Kosova e vogël dhe e lodhur deri në rraskapitje po i  nënshtrohet një presioni dhe shantazhi që do të ishte i papërballueshëm edhe për shtetet shumë më të fuqishme. Po thonë se e bëjnë për të mirën tonë dhe se po formohet ( çfarë fati !!!) sipas ligjeve të Kosovës  që nuk është fare e vërtetë! Shtetet fqinje kanë këso Dhoma të Veçanta brenda sistemit gjyqësor të këtyre shteteve dhe nuk ndodhë që përbërja e trupit gjykues , prokurorëve dhe stafit tjetër administartiv të jetë ekskluzivisht nga ndërkombëtarët e lëre më që të akuazuarit të dënohen jashtë shteteve të tyre sikur që edhe dënimet t’i vuajnë jashtë shteteve , shtetas të cilëve janë! Kjo po ndodhë vetëm në Kosovë sepse ne jemi një eksperiment ku minj eksperimental janë 2.000.000 qytetarë të Kosovës. Po thonë gjithashtu se kjo qenka punë e kryer prandaj nuk ka shpëtim por vetëm vonim. Pastaj , haptas na kërcënojnë duke na shantazhuar me Rusinë, Kinën , Indinë, Kubën dhe Korenë e Veriut të cilët, nëse Kosova nuk e formon këtë Gjykatë “ miqtë “ tanë  nuk do t’i pengojnë këto shtete ta formojnë Gjykatën ku fjalën kryesore do ta kishin pikërisht këto shtete të cilat nuk e kanë ndonjë qëndrim pozitiv për Kosovën. Si mjet bindjeje dhe njëkohësisht edhe presioni po e përdorin procesin e liberalizimit të vizave pikërisht në kohën kur vetëm qytetarët e Kosovës e kanë të ndaluar po nga këta “ miq “ lirinë e lëvizjes . Dhe  argument i fundit  për presion i cili në të njëjtën kohë të bën të qeshësh por edhe të bie në situatë kur ofendohet dhe dhunohet inteligjenca mesatare e qytetarit kosovar është se :” nëse Kosova nuk e voton këtë Gjykatë atëherë e bie në dyshim kredibilitetin e saj para “ miqve “ ndërkombëtarë dhe “ partnerëve “ të saj “! Kredibiliteti i Kosovës !!!!!! Nuk kam fjalë për këtë tallje që na bëhet !  Ma gjeni një shtet në rruzullin tokësor që pranon ta formojë një Gjykatë jashtë sistemit gjyqësor, 100% me staf ndërkombëtarë , jashtë vendit dhe që i syrgjynosë shtetasit që dënohen nga kjo Gjykatë duke i mbajtur nëpër burgjet e shteteve tjera ?! E pastaj të keni fytyrë e të thoni se kjo bëhet në përputhje me ligjet e vendit! Vetëm nëse e bëni një zgjidhje klandestine dhe ilegale sikur në Guantanamo! Prandaj, po më duket e pamoralshme nga LDK që, në njërën anë voton për formimin e Gjykatës Speciale që e nënkupton internimim e pavullnetshëm të qytetarëve të dënuar eventual të Kosovës nëpër burgjet e shteteve tjera ndërsa në anën tjetër e mohon detyrimin e shtetit për përkujdesje materiale dhe ligjore për këta qytetarë dhe familjet e tyre ! Dyfytyrësi dhe e pamoralshme, nëse ndodhë kështu ! Të gjithë duan të përfitojnë nga kjo Gjykatë . PDK shpreson se , nëse dështon kjo Gjykatë , do të forcohet duke u thirrur në pastërtinë e luftës dhe UÇK-së. Njëkohësisht mendon se fiton duke u liruar nga disa persona që mund ta kenë fatin e “ kokës së turkut “ e që në mënyra tjera nuk mund të lirohet nga ata. LDK mendon se kjo Gjykatë , duke e dobësuar PDK i jep mundësinë të bëhet partia e parë sikur  që pret që, përmes gjykimeve të” krimeve  politike “ ndaj aktivistëve të saj do ta fitojë përkrahjen e gjërë duke mos ditur se vetëm një Zot e di se kush i ka bërë ato krime dhe se lehtë mund të ndodhë që kjo pritje nga gjykimet mund ta dëmtojë vet LDK-në ndonëse mendoj se kjo Gjykatë as që do të merret me këto krime. Kjo Gjykatë do të merret mbase ekskluzivisht me raste kur viktimat kanë qenë
serbë dhe joshqiptarë gjë që e bënë këtë Gjykatë si institucion që ndanë drejtësi në baza etnike. Do të ishte shumë e domosdoshme të hetohen të gjitha vrasjet që kanë ndodhur para, gjatë dhe pas përfundimit të luftës, nëse vërtet e duan drejtësinë. Në këtë kontekst do të hetohej edhe UNMIK ( me instrumentet e sigurisë ) sepse ata kanë qenë përgjegjës për sigurinë dhe se në kohën e tyre kanë ndodhur më së shumti raste të vrasjeve që dyshohen se kanë prapavijë etnike dhe politike e që nuk janë sqaruar ende. Sikur edhe pasardhësi i UNMIK-t , EULESH që nga UNMIK i ka trashëguar brekët e palara ndërsa vetëm i ka veshur uniformat e reja ! LVV ka qenë kundër kësaj Gjykate që nga fillimi dhe duhet respektuar qëndrimi i tyre ndonëse arsyetimin e refuzimit të formimit të Gjykatës nuk e kanë arsyetuar me fakte por me një slogan ekskluzivisht patriotik dhe folklorik duke injoruar faktin se askush nuk ka monopol mbi patriotizmin ndërsa për folkorizëm janë kompetent  Festivali në Gjirokastër dhe Ditët për Mujë Krasniqin në Klinë! Nisma dhe AAK po e kundërshtojnë këtë Gjykatë sepse janë në opozitë dhe se mendojnë se mund të goditen nga kjo Gjykatë e jo se ndjejnë fort dhimbje për humbjen e sovranitetit të Kosovës sepse i kanë votuar shumë ligje më parë që e kanë dhunuar këtë sovranitet. Përfshirë këtu edhe “ letërkëmbimin “ Ashton – Ashton e cila ishte kontrabanduar në një çast si të ishte Atifete Jahjaga Prandaj janë të pasinqertë! Për Lista Srpska themelimi i kësaj Gjykate është sikur ngrirja e kryqit gjatë festës së Bozhiqit! Po, në fund të fundit pse të lodhemi nëse partia që më së shumti dyshohet është aq këmbëngulëse për themelimin e kësaj Gjykate. Ia pafshin hajrin ! Për mua është inkurajuese që Grupi 7 Plus ( 6 Plus + Shaip Muja ) do të votojë për themelimin e Gjykatës! Kjo Gjykatë do të formohet sigurisht . Ose nga Hashim Mogerini ( “ Kosova “ me  “miq “ ) ose nga Ban ki Thaçi ( OKB me armiq ) !  

Pa aklamacion nuk ka demokraci, as në Kolumbi :  Për Kuvendin e fundit të LDK-së nuk e kam treguar as interesimin më të vogël sepse nuk kam dyshuar aspak se çfarë përfundimi do të ketë. Kam qenë 100% i sigurt se Isa Mustafa do të fitojë dhe se nuk do të ketë probleme e lëre më karrike dhe grushte. Sepse çdo gjë ishte përgatitur me një saktësi e cila nuk do të lejonte dështimin e Isa Mustafës. Kryetarët e degëve të LDK-së kryesisht u zgjodhën me aklamacion prandaj ishte joserioze të pritej se kryetari do të votohej me votim të fshehtë! Ishte riforcuar një strukturë e trashëguar dhe e cila i mbështetej çdo pushteti dhe çdo kryetari që vinte në krye të LDK-së. Isa Mustafa nuk mund të lejonte të dështonte  sepse do të mbetej pa postin e kryeministrit dhe …! Sikur që as strukturat rreth tij sepse do ta ndanin fatin e Isait në rast të zhvendosjes nga post i kryetarit. Zajevët e Kosovës dolën kundër Isës sepse edhe Zaevi  në Maqedoni po del kundër kryeministrit . Fatmir Sejdiu nuk hyri në garë sepse e dinte se nuk ka fare gjasa prandaj u mjaftua me duelin verbal që e pati me punëtorët e sigurimit në hyrje të hotelit Emerald që nuk lejuan të hynë brenda delegateët e diasporës  , dega e LDK –së në Zvicër dhe Gjermani e të cilët u shpallën si të paligjshëm nga LDK në Prishtinë . Nuk e kuptoj pse nuk u lejuan të hynë brenda dhe të votojnë ! Isa Mustafa kishte planifikuar kohën . Dy orë Kuvend zgjedhor dhe katër orë aktivitete rekreative në fshatin e tij në Pakashticë ,duke kositur bari! Vjosa Osmani kishte një përkrahje të fuqishme mediale dhe të shoqërisë civil endërsa nuk kishte fare përkrahje aty ku duhej t’i fitonte votat, të deputetëve të LDK-së në Kuvendin zgjedhor. Realisht , Vjosa nuk kishte gjasa të fitonte prandaj habitem se si e shpallnin fituese, ende pa u votuar. Unë, edhe po ta kisha motër Vjosën, në këtë situatë nuk do t’i ipja as gjasa minimale për fitore për faktin se te ne vota  përkthehet si interes . Isa Mustafa kishte strukturë e që Vjosa nuk e kishte. Isa Mustafa kishte besnikë të interesit sepse kishte mundësi të shpërblente ata që e përkrahin sikur që kishte mundësi të merrte masa ndaj “ besëthyerve “ kurse Vjosa Osmani nuk i kishte këto mundësi përveç premtimeve eventuale. Është dallim i madh midis mundësive konkrete dhe premtimeve qofshin ato më të mirat e mundshme. Mendoj se në këtë Kuvend zgjedhor Isa Mustafa ka gabuar aq më parë që fitoren e ka pasur të pakontestuar. Ai është dashur ta demonstrojë legjitimitetin demokratik pas së cilit do të dilte shumë më i fuqishëm . Si  do të duhej të vepronte , sipas mendimit tim? Së pari do të duhej ta blinte një buqetë të bukur me lule dhe t’ia dhuronte kundërkandidates Vjosa Osmani duke e përcjellur si zotëri, deri në rreshtin e pare, duke rezervuar karriket edhe për delegatët  e anatemuar nga Zvicra dhe Gjermania . Gjithashtu, në rreshtin e parë. Ai do të ulej midis Vjosa Osmanit dhe Donika Dërvallës dhe do të kërkonte që delegatët të votojnë që edhe Vjosa Osmani të bëhet pjesë e garës. Dhe të votohet me votim të fshehtë . Sigurisht se do të fitonte dhe do të dilte shumë më i fuqishëm Fitorja me aklamacion e ka dobësuar Isën dhe përkohësisht i ka forcuar zvarranikët  . Dhe po e dërgon LDK-në drejt vdekjes politike dhe fizike sepse biologjia është kundër LDK-së. Me këtë udhëheqje “ kineze “ dhe pa e rinovuar partinë me kuadro të reja , LDK – ë nuk ka ardhmëri! Apo, kjo udhëheqje e LDK-së po vepron sipas thënies së Luigjit të XV –të :” pas meje le të bëhet kijameti “! Zaevistët kosovarë kanë zënë pritën në gjah kundër Isës. Nexhi po thotë se  Isa përfundon në burg dhe këtë e ka shndërruar në refren që e mbanë në jetë ; politike , materiale dhe fizike ndërsa miku im i madh Halil Matoshi tha se Vjosa e meriton të zgjidhet kryetare për 33 arsye e njëra ishte se e lexon një libër brenda javës! Unë i kam lexuar dy libra brenda javës dhe jam në përfundim të librit të tretë ! A mos do të thotë kjo se jam kandidat me ulë bythen në karriken e presidentit të Kosovës të cilën e ka rezervuar për vete miku im, gjithashtu i madh, Hashim Thaçi!

Pas luftës , të gjithë , kryesisht koriten : Pas Betejës së Kumanovës pati reagime të shumta . Nga ato se këta janë heronjt  që ranë për liri dhe bashkim kombëtar deri te disa që i cilësuan si kriminelë ordinerë dhe pjesëtarë të ISIS-it. Në kohën e ish Jugosllavisë, kur donin të të dënonin, të shpallnin si nacionalist që identifikohej me armik ndërsa tash, mënyra më e lehtë e eliminimit është ta gjejnë apo ta shpikin një vegzë që të lidhë me luftën në Siri apo mozomakaeq , me ISIS-n , Al Nusran dhe të tjerët . Është një rregull i pashkruar se gjatë kohës së vdekjes dhe të pames , të gjithë rezervohen nga cilësimet . Për Grupin e Kumanovës e kanë ditur të gjithë; partitë politike maqedonase, ato shqiptare, qytetarët e Kumanovës dhe shqiptarët e Maqedonisë , shërbimet informative maqedonase dhe të huaja , diplomatët e akredituar në Maqedoni, institucionet e Kosovës dhe ka pasur përpjekje për ndërmejtësim . Pse është lejuar e tëra kjo situatë ?! Askush nuk mund t’i gjykojë  të vrarët, pa pasur fakte. Ata kanë rënë për një ideal apo qëllim që ia kanë caktuar vetes dhe nuk e kanë kursyer veten e tyre. Po të ishte motivi material , do ta zgjidhnin një rrugë tjetër ku do të pasuroheshin por nuk do ta rrezikonin jetën. Të luftosh me polici dhe ushtri, nuk është lojë, prandaj as këta nuk e kanë bërë këtë. Ata e kanë bërë detyrën për të cilën kanë besuar se duhet ta bëjnë ! Jam i sigurt se nga kjo situatë shqiptarët e Maqedonisë do të fitojnë pavarësisht një marrëveshjeje të arritur e cila përkohësisht i margjinalizon shqiptarët duke i kornizuar në Marrëveshjen e Ohrit e cila murrë nuk është realizuar e as që do të realizohet! Deri sa shqiptarët në Maqedoni nuk do të bëhen komb shtetformues , atje nuk do të ketë qetësi . Deri në federalizimin etnik , politik dhe territorial. Vetëm mbi këto baza mund të ndërtohet ardhmëria e Maqedonisë e cila për mua do të jetë shumë e dyshimtë. Sa i përket te drejtave të shqiptarëve në Maqedoni Gruevski dhe Zaevi janë një dhe nuk dallojnë fare . Sikur as edhe bariu  maqedonas që ruan dele,  nuk do të dallojë nga Gruevski dhe Zaevi! Shqiptarët duhet të bashkohen në Maqedoni nëse duan të trajtohen ashtu si e meritojnë . A munden me këta udhëheqës politikë që i kanë t’i realizojnë synimet ?! Dyshoj!

 

SHKARKO APP