Turisti portugez u vra në Ksamil, Berisha: Tre policë morën anën e vrasësit
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha e cilësoi vrasjen e turistit portugez, Luis Miguel Varela Mendes pak ditë më parë pas një sherri në Ksamil si një vrasje shtetërore
Në një bashkëbisedim me ndjekësit, kryedemokrati theksoi se tre punonjësit e policisë që ishin të pranishëm në momentin e ngjarjes mbajtën anën e autorit Sokrat Vata dhe fshehën krimin.
“Përveç ngjarjes tragjike, e them edhe njëherë, të vrasjes shtetërore të 20-vjeçarit portugez që erdhi të kalonte pushimet në Ksamil dhe kthehet në familjen e tij në arkivol, e them shtetërore sepse ishin tre uniforma policie, të cilat në vend që të mbronin turistin, të mbronin 20-vjeçarin, morën anën e vrasësit, fshehën krimin, duke dëshmuar se rojet e sigurisë në lokalet tona, në tërësi, jo të gjitha sigurisht, janë pjesë e krimit të organizuar, i cili kontrollon jetën ekonomike të vendit.
Por, tmerrësisht shqetësuese ishte ngjarja në Kombinat, ku sipas policisë dhjetëra adoleshentë kishin mprehur thikat, revolet për një përleshje, e cila do kishte marrë përmasat e një masakre.
Natyrisht parandalimi i saj meriton dhe ka vlerësim, por fakti që në Shqipëri janë krijuar mjedise të tilla të inkriminuara, ku mund të ndodhin përleshje me armë të ftohta dhe armë zjarri mes dhjetëra qytetarëve, dëshmon edhe njëherë shkallën e lartë të inkriminimit, të sundimit të krimit në këtë vend. De facto, Shqipëria dominohet tërësisht nga krimi.”, tha Berisha.
KOHA JONË SONDAZH

